
24/07/2025
EDITORIAL FESTIV – 100 NUMRA DEDIKUAR LEXUESIT
Nga: Çajup Kajtazi
Autor enigmatikash, krijues dhe botues i revistës “Fjalëkryqi Kosovar”
Ky muaj shënon një moment historik për mua si autor dhe për redaksinë tonë, botimin e numrit të 100-të të revistës Fjalëkryqi Kosovar. Ky është më shumë se një jubile, është një dëshmi e një përkushtimi 25-vjeçar ndaj botës së fjalëkryqeve, ndaj lexuesit dhe ndaj një pasioni që nuk është shuar kurrë.
Gjatë këtyre viteve, kam qenë autor dhe botues i qindra revistave e gazetave enigmatike në Kosovë dhe më gjerë. Në një kohë kur botimi në format të shtypur është gjithnjë e më sfidues, sidomos në një treg ku sot mungon madje edhe një gazetë ditore, unë ndihem i bekuar që ende arrij të sjell tek ju revista që ruajnë gjallërinë e leximit dhe mendimit.
Ju, lexues të dashur, keni qenë gjithmonë burimi im i motivimit. Falë mbështetjes suaj të pandërprerë dhe dashurisë që keni treguar për botimet tona, revista Fjalëkryqi Kosovar, së bashku me titujt tjerë si Sinda Fjalëkryq, Fjalëkryqi Dardan, Alkas Fjalëkryqi, Aksa Enigmatika dhe Rilindja Enigmatike, vazhdojnë të ekzistojnë e të shpërndahen në gjithë Kosovën, pavarësisht kushteve të vështira logjistike.
Ky numër i 100-të është i veçantë edhe për një arsye shumë personale. Në faqen e parë kam paraqitur figurën e babait tim, njeriun që më mësoi me shembull, që më frymëzoi dhe që më bëri të dashurohem me botën e shkruar. Ai ishte mësues, pedagog dhe autor i qindra shkrimeve të publikuara në revista e gazeta të ndryshme, ndër të cilat spikaste revista letrare Shkëndija, ku ai botoi punime me nivel të lartë akademik e gjuhësor.
Në shtëpinë tonë, fjala kishte një peshë të veçantë. Ishte një ambient ku fjala shkruhej me dashuri dhe respektohej si një vlerë e shenjtë. Më kujtohet kur babai, me zërin e tij të qetë por autoritar, më diktonte artikujt që kishte përgatitur për botim. Unë, ende fëmijë, i shkruaja me kujdes me makinë shkrimi – një përvojë që nuk ishte thjesht ndihmë, por një shkollë më vete. Çdo fjali që dilte nga goja e tij, e ndieja si një thesar që duhej ruajtur. Kishte një ritëm, një ndjenjë dhe një përgjegjësi që më mësoi çfarë do të thotë të shkruash me pasion, me saktësi dhe me përgjegjësi.
Shkrimet tona – më saktë, shkrimet e tij të daktilografuara nga unë – dorëzoheshin më pas në redaksinë e Shkëndijës, ku priteshin me respekt, sepse aty njihej dora dhe mendimi i një autori që fliste për çështje të thella me tonin e një mësuesi që nuk lodhej së ndriçuari mendjen e lexuesit. Për mua, ato ditë ishin të shenjta. Ishte pikërisht në ato momente që e kuptova se fjala mund të jetë një formë e përjetësisë.
Që atëherë, unë, si nxënës i tij, u rrita me respekt për gazetën, për letrën dhe për mendimin e shkruar. E përvetësova stilin e tij, fillova të krijoj botën time dhe u dashurova thellësisht me idenë se fjala e shkruar mund të ndikojë, të edukojë dhe të ndërtojë një shoqëri më të vetëdijshme.
Kështu nisi rrugëtimi im në fushën e enigmatikës, me pasion, me përulësi dhe me bindjen se fjalët janë më shumë sesa simbole të renditura në një rrjetë. Janë dritare drejt dijes, reflektimit dhe vetëkuptimit.
Në epokën e teknologjisë dhe dixhitalizimit, fakti që në Kosovë ende botojmë revista enigmatike të shtypura është një arritje më vete. Ato nuk janë thjesht revista, janë dëshmi të një dashurie të pashuar për dijen, për lojën intelektuale, për lidhjen mes lexuesit dhe botuesit. Dhe kjo lidhje mbijeton falë jush.
Botimi i 100-të nuk është vetëm një numër, është një histori dashurie, përkushtimi dhe vazhdimësie. Është një falënderim i përjetshëm për lexuesin që nuk është lodhur kurrë së kërkuari përgjigje mes rreshtave të një fjalëkryqi.
Me përulësi dhe mirënjohje, ju ftoj ta festojmë së bashku këtë arritje. Të vazhdojmë të kultivojmë këtë traditë të bukur, që e bën mendjen më të mprehtë, shpirtin më të pasur dhe zemrën më të lidhur me fjalën.