21/09/2026
Granit Xhaka pranon gabimin me certifikatën Covid, jashtë Kombëtares së Zvicrës
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk do t'i bashkohet kombëtares për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, pas zhvillimeve të fundit lidhur me një certifikatë vaksinimi kundër Covid-19.
Prokuroria e kantonit të Lucernës ka hapur një procedim për të sqaruar nëse janë kryer vepra penale që lidhen me sigurimin ose falsifikimin e dokumenteve të vaksinimit. Xhaka pritet të merret në pyetje në fillim të muajit tetor.
Vetë mesfushori shqiptar i Zvicrës ka reaguar publikisht duke pranuar gabimin dhe duke shpjeguar se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe frikë të fortë ndaj vaksinimit.
“Sigurova një vërtetim vaksinimi në vend që t'i sqaroja shqetësimet e mia përmes rrugëve të parashikuara. Sot e kuptoj qartë se kjo nuk ishte rruga e duhur. Ishte një gabim dhe më vjen keq”, deklaroi Xhaka.
Ai shtoi se merr përgjegjësinë për vendimin dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet.
Federata Zvicerane e Futbollit njoftoi se vendimi që kapiteni të mos marrë pjesë në grumbullimin e ardhshëm është marrë në marrëveshje me vetë futbollistin. Situata e tij në kombëtare do të rivlerësohet pas përfundimit të ndeshjeve ndërkombëtare.
Sipas raportimeve mediatike, nëse hetimi çon në akuza dhe më pas në një dënim për falsifikim dokumentesh, Xhaka mund të përballet me pasoja të rënda ligjore. Për momentin procedura penale vazhdon.