18/07/2026
Të gjithë mund të dyshohemi se kemi motive për ta grabitur tjetrin!!!
Tristani pati parasysh bisedën me Astrit Toskën, policin, atë ditë në drekë te ëmbëltore “Sulltan Bakllava”.
Ai e pyeste për të gjithë ata që kishin pasur çelësin e apartamentit të tij në duar, qoftë edhe për pak kohë. A kishin motiv për ta plaçkitur atë?
Pa dashje kishte rezultuar se të gjithë mund të kishin pasur një motiv për ta plaçkitur dhe vjedhur njëri-tjetrin, për t’i çarë me sëpatë dyert e apartamenteve njëri-tjetrit, për t’i marrë gratë njëri-tjetrit, për t’i hedhur helmin në kafe njëri-tjetrit, për ta fyer, sharë, goditur njëri-tjetrin.
Të gjithë qenkemi të dyshimtë për njëri-tjetrin.
Në një gjykatë hyjnore, ne të gjithë dalim fajtorë, sepse motivet për ta shkatërruar njëri-tjetrin i kemi të gjithë! I vinte edhe për të qeshur edhe ndjehej keq.
“Ja, ky që hyn në zyrën time pa teklif, madje duke folur në telefon me dikë tjetër, ky që e mbaj si mik prej dhjetë vjetësh, bashkë me atë tjetrin që më mbanin me llafe te kafe – Kulla, natën e plaçkitjes së apartamentit tim, a janë ata të dyshimtë?
Përse jo?
Mënyra sesi më nxorën jashtë shtëpie, si i zvarritnin kot bisedat atë mbrëmje, a nuk ishte një taktikë që ta linte vjedhësin në apartamentin tim të bënte gjithçka donte?
Kush mund ta përjashtojë këtë? Astrit Toska do të më pyeste me këtë rast:
“A kanë ata motiv për ta bërë këtë, pra për të qenë bashkëpunëtorë në plaçkitjen tënde?”
Si do t’i përgjigjesha?
Kanë more, si nuk kanë! Ose për të qenë më i saktë do të thosha se nuk përjashtohet të kenë. Nuk vendos dorën në zjarr se nuk kanë.
Motivet?
Xhelozi se një kolegu i tyre mori një trashëgimi të majme financiare që e çlironte nga detyrimi për të punuar. Kishte një apartament shumë më të bukur dhe luksoz sesa të tyret. Mbase sepse janë xhelozë që kisha marrë këtë projektin studimor për rastin e murgut Martin, kanë dashur të më ulin hundën. Por, edhe ndoshta kanë dashur të marrin hak për ndonjë pakujdesi që diku mund të kem treguar ndaj tyre. Kushedi! Pastaj, a nuk ankoheshin ata për pagat e vogla?”
Ndjeu se kishte ikur larg në arsyetime që nuk ishte i zoti t’i ndiqte shpirtërisht pavarësisht se logjikisht i dukeshin të pakundërshtueshme.