01/10/2025
CURRAJ EPER, MONALIZA E ALPEVE SHQIPTARE
Mesazhi i z.Gjin PROGNI - kryetar i Shoqatës Nikaj-Mërtur në Curraj Eper!
Nga zemra ju përshëndes të gjithëve.
Jemi këtu, sepse Curraj Epër është Monaliza e Alpeve Shqiptare, është Monaliza e trojeve Shqiptare.
Trojet e kësaj treve janë kështjellë qëndrese, identiteti, integriteti pellazgo-iliro-shqiptar, ku veç dielli, hana, miku e Zoti munden me hy ndër shekuj. Në kufinin ujëndarës të Nikaj Mërturit me Shalë e Shosh është një rrenojë kishe që, sipas trashegimisë gojore të banorëve të sotëm, të trevës sonë, është kult fetar i Spanëve. Spanët ishin banorët e hershëm të këtyre trojeve. Pas Spanëve erdhën Mavriqtë, dhe për këtë më së miri flasin varrezat e Mavriqëve në Curraj Epër të identifikuara e të ruajtura nga banoret e këtyre trojeve. Hulumtimet e dijetarëve të zellshmën, të huaj e vendas, të Nikaj Mërturit kanë evidentuar prezencën e kështjellave e qytetërimeve me domethënie të qënësishme në historinë e kombit tonë, e që presin të dalin qartësisht në dritë nga kërkime shkencore arkeologjike, ashtu siç kanë pëshkruar realisht e bujarisht vlerat njerëzore të trojeve tona.
Sa më lart, mjafton t’ju kujtoj atë që la për Dukagjinin e ri, siç njihet në histori, gjeologu, studiuesi, e njëherësh, gjeniu i perandorisë Austro-Hungareze, që adhuronte Shqipninë e shqiptarët Fransua Nopçe. Ndër të tjera ai konkludon: … do isha shumë i lumtur, që këto vise të kthehen në muze për botën, për të parë njeriun e vërtetë, por, mjerisht, asnjë sistem qeverisës nuk bani të duhurën për këtë trevë, dhe pse në ndryshim nga qeveritë, nikajmërturasit dhanë shumçka për jetësimin e shtetit shqiptar.
Nuk e saktësoj dot, a i ka frikësuar dritësia e dlirësia e banorëve etalon pellazgo-ilirë-shqiptarë të këtyre trojeve, madhështia virgjine e këtyre bjeshkëve e maleve të Mujës e Ajkunës, apo çfarë i ka penguar shtetarët shqiptarë ndër vite, që të mbërrijnë në këtë dhe’. E kam fjalën të mbërrijnë, si vullnetmirë në Nikaj Mërtur, pa, si pushtues-terrorist e kemi provuar, me turq e serb.
Por kujtojmë me dhimbje dhe luftën vllavrasëse ndërmjet vedit, e njëherësh kujtojmë me krenari qëndresën për qënësi e liri, që nikajmërturasit zhvilluan në qafë të “Kolçit” ndaj brigadave bolshevike në Nëntor të 1944-s. Bolshevizmi-pushtues solli jovetëm zvetnimin, përhumbjen, ndarjen klasore, mjerimin shpirtërorë e intelektual, por dhe shkatërrimin e tempujve të trashëigimisë së lashtë, rrenimin e kulteve të kohës, siç është dhe kalvari i historisë së kishës në Curraj Epër, tashmë obelisk real e i prekëshëm për të gjithë, falë dashurisë për jetën, mirënjohjes për të parët e guximit për të besur tek e ardhmja e bijëve të Curraj Epër.
Kujtesa jonë kushtrimon ngjarje të vyera e të shumta historike, siç është historia e Kullës së Ngujimit, që mendjendrituri Kukel Ndou i Curraj Epër diti t'jua heqë trushkatrrimtarëve nga skedat e shkatërrimit, apo historia e shkollës së parë shqipe në malësinë e Gjakoves, hapur me 1 Maj 1918, e të tjera.
Nuk kam thënë asgjë të re, të paditur për banorët e Curraj Epër apo të Nikaj Mërturit.
I thashë këto për ju bujtës, që me dashurinë, përkushimin e guximtarit, që don e rrespekton identitetin e vet, të vërtetën e sheh në sy e mrekullinë don ta shpërndajë e naltësojë, jeni sot mes nesh në këtë momet, kur Zoti dhe ne toksorët bëhemi bashkë, në përurimin e shtëpisë së Zotit, falë djemëve të jashtëzakonëshëm të Curraj Epër, falë këtyre djemëve, që nuk e kërkojnë mrekullinë në qytetërimet Europiane, por me djersën e ballit e me thirrjen kushtrimtare të genit të t’parëve duan, që ta bëjnë vendlindjen Europë. Shihini, rrespektoni, vlerësojini, mësoni prej tyre shtetarë. Këta janë modeli i atdhedashurisë, këta janë ata, që e duan Shqipërinë Europiane.
Këta na bashkuan këtu, pa ne, të gjithë, nuk do vinim në Curraj Epër.
Ata e banë të tyren. Po kush merr rrogën për të qeverisur, në pushtet vendor apo qëndror, dje, sot apo nesër pyes, a ka sy për të parë, a veshë për të dëgjuar?
Në Curraj Epër ka lumë, nga i cili, me një hidrocentral të vogël ky fshat merrte dritë. Sot, jo vetëm Curraj Epër s’ka dritë elektrike, e turizëm në terr nuk ka, por ulkonja hajni, kërcënonë t'ja përbijë edhe lumin Monalizës shqiptare.
Banorët e Curraj Epër, në bashkëpunim me Bashkinë e Tropojës hapën këtë arterie, nepër të cilën erdhëm sot këtu. Mirënjohje të përjetëshme, që të dy palëve. Po shteti?! Ku është dora e shtetit në Nikaj Mërtur, një komunitet brilant, me burra e gra, me djem e vajza profesionist të vlerësuar lart me tituj e grada shkëncore e shoqërore, e që i kanë dhënë e i japin Shqipnisë shumë në të gjitha shkencat, shoqërore, inxhinierike, mjekësore e mediatike?
Më duhet t’ju uluras shtetarëve se duhet urgjent kalimi i rrjetit të energjisë elektrike nga sistemi DPZ i instaluar nga vitet 1968-69-të, në sistemet bashkëkohore, që të 12 fashtrat e Nikaj Mërturit të kenë rrymë elektrike.
Rrugën për në Curraj Epër duhet, që shteti ta asfaltojë nga qëndra e Njësisë e deri në Log të Kishës, Curraj, sigurisht duke kryer dhe ndryshimet e duhura inxhinierike në trajektoren e saj.
Pse jo, të përfshihen në buxhetet qeverisëse dhe ndërtimi i rrugës për në Curraj Epër, sipas rrjedhës së lumit, rrugë që do siguronte dhe turizmin dimnor në këtë magji Alpesh.
Turistët vinë për magjinë e Zotit, po shteti çfarë ban, pret, sepse banorët e kësaj treve po e tregojnë me vepra dashurië e sakrificën e tyre?
Investimet shtetërore në kullat monumentale, bujtina e më gjërët, në kuadrin e programit të qeverisë “Curraj Epër në 115 fshatrat turistike”, duhet të bëhet një realitet i prekshëm nga vendasit e turistët pa mbërritur koha e gojërrenave të fushatave.
Fola për Curraj Epër, se këtu jemi mbledh, dhe e meriton kjo magji, por ju ftoj ju dhe gjithë shtetarët e politikbërësit shqiptarë, që, nëse nuk munden të vijnë vetë, larg o Zot, nuk don ti shkelin magjitë turistike të Nikaj Mërturit, të dërgojnë një të zellshëm, të ditur e vullnetmirë, të filmojë me një dron stolitë e gdhendura nga nana natyrë, nga qafa e Kolçit, në shpellën e Kakverrit, bjeshkët e Kakisë së Nikajve, Okolit të Palçit, gurrat, mrizet e livadhet olimpike të bjeshkëve të Salcës, kanionin e pashoq të Daicës, Brisën e bjeshkët e saj në Kunora, qafën e Agrit e deri në Ershell, që të kuptoni e të besoni se sa shumë nihilizëm, mungesë informacioni e shpërfillje i është bërë nga institucionet shtetërore krahinës së Nikaj Mërturit ndër kohna, kësaj sofre të lashtë, të ndritur, të begatë e hirëplotë të truallit shqiptar. Pikërisht atëherë shteti dhe FSHZH-ja do binden, se një orë e më parë duhet të realizohet trajektorja Shkodër, Dukagjin, Nikaj Mërtur.
Vetëm atëherë hiret e Alpeve shqiptare, nuk do të mbeten si gojëdhëna madhështie, por do jenë të prekshme nga sytë e gjithë kureshtarëve eksporatorë të rruzullimit.
Natyrshëm lypset, që në kuadër të iniciativës së qeverisë për modernizimin e qëndrave urbane dhe qëndra e Njësisë së Nikaj Mërturit ( Zyrtarisht titullohet “Lekbibaj”, emërtesë e mbetun nga kooperativat kolkoziane komuniste) të jetësojë transformimet përkatëse që i japin jetë qëndrës së njësisë, zhvillimit të zonës, identitetit të sajë e turizmit,
Të gjitha këto, e shumë të tjera, që për arsye kohe nuk i ceka, por që janë në të mirë kësaj zone, do t'i jepnin mundësi rikthimit të fuqimishëm të jetës e turizmit në Nikaj Mërtur.
Ma ndjell shpirti si poet, që këtu, në truall të Mujës, të thrras me shpirtë, kush e dashtë këtë dhe’ Zoti e nderoftë e, kush i baftë hile e për sa t’mundet mos e ndihmoftë, Zoti e marroftë!
Faleminderit!(rb)