08/27/2026
Mbi 80% e territorit të Qarkut të Korçës rezulton pa popullsi banuese, niveli më i lartë në Shqipëri, sipas të dhënave të Raportit Përfundimtar të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0.
Analiza, e bazuar në Censin 2023 dhe në ndarjen e territorit në qeliza standarde 1×1 kilometër, tregon se pas Korçës renditen Gjirokastra me 77,5% të territorit pa banorë, Vlora me 71,4% dhe Kukësi me 70,7%.
Situata është krejt ndryshe në Durrës, ku vetëm 20,6% e territorit rezulton i pabanuar. Fieri regjistron 39,9%, ndërsa Tirana 43,7%.
Në rang kombëtar, rreth 57% e territorit të bashkive shqiptare rezulton pa popullsi në qelizat prej 1 kilometër katror.
Të dhënat tregojnë se popullsia është përqendruar kryesisht në qytete, zona fushore, lugina dhe korridore të caktuara banimi, ndërsa sipërfaqe të mëdha, veçanërisht në qarqet malore dhe juglindore, mbeten pothuajse të zbrazëta.
Raporti paralajmëron se kjo shpërndarje krijon edhe kosto më të larta për bashkitë, të cilat duhet të ofrojnë rrugë, transport, shërbime sociale dhe emergjenca në territore të mëdha me shumë pak banorë.
Treguesit pritet të kenë peshë edhe në diskutimet për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.