Zëri i Luginës

Zëri i Luginës "PODemeCAST" është një emision (prodhim medial) i bazuar në intervista

KËSO POETËSH KISHTE DIKUR PRESHEVADikur, Presheva kishte poetë që nuk kërkonin zhurmë për t’u dëgjuar. Kishte njerëz të ...
11/08/2026

KËSO POETËSH KISHTE DIKUR PRESHEVA

Dikur, Presheva kishte poetë që nuk kërkonin zhurmë për t’u dëgjuar. Kishte njerëz të penës që shkruanin në heshtje, por veprat e tyre arrinin deri te njerëzit që dinin ta njihnin dhe ta vlerësonin letërsinë.

Njëri prej tyre ishte poeti preshevar QERIM ARIFI, autor i veprës "MBYLLUR NË URNË", botuar nga „Rilindja“ në Prishtinë më 1987.

Dhe sot, kur e hapim këtë libër të vjetër, hasim emra që vetvetiu i japin peshë kohës dhe veprës: IBRAHIM RUGOVA, atëherë recensent i veprës, redaktor: ALI PODRIMJA.

Ky nuk është thjesht një detaj bibliografik, por është një dëshmi e një kohe kur libri, poezia dhe fjala letrare kishin një vend tjetër në jetën kulturore të Preshevës.

Këso lloj poetësh kishte dikur Presheva, poetë që shkruanin libra, jo statuse. Poetë që kërkonin të linin gjurmë, jo të merrnin duartrokitje të çastit dhe mbi të gjitha, kishte një rreth kulturor ku një vepër nga Presheva mund të lexohej, vlerësohej e recensohej nga figura të rëndësishme të letërsisë shqiptare.

Sot, këto libra të vjetër nuk janë vetëm kujtime, janë dëshmi se Presheva ka pasur një traditë letrare që meriton të rizbulohet, të lexohet dhe të mos lihet në harresë.

Ndoshta, duke i hapur këto faqe të zverdhura, po e hapim edhe një pjesë të historisë sonë kulturore.

•Fitim A. Nuhiu


RRUGËT E MËRGIMIT NUK HARROHEN…Gjersa mërgimtarët tanë po kthehen sërish në rrugën e gjatë drejt vendeve të mërgimit, pa...
08/08/2026

RRUGËT E MËRGIMIT NUK HARROHEN…

Gjersa mërgimtarët tanë po kthehen sërish në rrugën e gjatë drejt vendeve të mërgimit, pas ditëve të kaluara pranë familjes, vendlindjes e njerëzve të tyre, mendja të shkon te një rrugëtim tjetër, i bërë shumë vite më parë.

Te reportazhi i parë i librit “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera” të Nerimane Kamberit, me titull “Në autostradën e pushimit” (2016).

Autorja na kthen në fëmijërinë e saj, në kohën e Jugosllavisë, kur me veturën Capri të babait nisej nga Presheva drejt Namyr-it të Belgjikës. Një rrugë e gjatë, që për një fëmijë duhej të dukej si një udhëtim pa fund: kilometra, kufij, pritje, ndalesa dhe një horizont që gjithnjë shtyhej përpara.

Sot, kur i shohim kolonat e mërgimtarëve duke u larguar nga vendlindja, duket sikur shumëçka ka ndryshuar. Veturat janë më të shpejta, rrugët më të mira, kufijtë më të lehtë për t'u kaluar… por malli është ende i njëjtë, sepse mërgimi nuk është vetëm një adresë tjetër. Është një rrugë që njeriu e bën me trup, ndërsa zemrën e lë diku pas. Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e librit “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”: ai nuk është vetëm një përmbledhje reportazhesh e intervistash. Është një udhëtim mes kujtesës dhe së tashmes, mes Preshevës e botës frankofone, mes kulturës shqiptare dhe asaj franceze.

Libri, i shoqëruar edhe me përkthimin në gjuhën frënge, bëhet një urë mes dy kulturave, duke sjellë njerëz, vende, histori dhe përvoja që flasin me njëra-tjetrën dhe ndoshta, pikërisht sot, kur rrugët mbushen përsëri me makina që largohen, ky libër duhet lexuar ndryshe.

Me pak më shumë mall.
Me pak më shumë kujtesë.

Rrugët e mërgimit ndryshojnë me kohën, por dhimbja e largimit dhe gëzimi i kthimit mbeten të njëjta.

Disa udhëtime mbarojnë kur mbërrin në destinacion, por disa rrugë vazhdojnë të jetojnë gjatë në kujtesë.

•Fitim A. Nuhiu

07/08/2026

Momente, emocione dhe diskutime nga promovimi i librit "Rrëfime për kufijtë e Luginës së Preshevës" vijnë të përmbledhura në këtë material të përgatitur nga Labinot Sulejmani.

Ju ftojmë ta ndiqni videon për të përjetuar atmosferën e kësaj ngjarjeje kulturore, ku studiues, përfaqësues institucionesh dhe dashamirë të librit ndanë vlerësimet dhe reflektimet e tyre për një vepër që ndriçon historinë dhe kujtesën e Luginës së Preshevës.

Falënderojmë përzemërsisht ekipin e KTV nga Prishtina për përcjelljen hap pas hapi të promovimit të librit. Mirënjohës p...
04/08/2026

Falënderojmë përzemërsisht ekipin e KTV nga Prishtina për përcjelljen hap pas hapi të promovimit të librit.
Mirënjohës për interesimin, profesionalizmin dhe mbështetjen që i dhanë këtij aktiviteti kulturor.

“Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” ka mbërritur në vendin, historinë e të cilit e zbërthen në detaje si një vepër monumentale që përcjell fatin e kës

Kufijtë e Luginës, të rrëfyer përmes fakteveNë një pasdite të bukur vere, oborri i Zërit të Luginës në Preshevë u shndër...
01/08/2026

Kufijtë e Luginës, të rrëfyer përmes fakteve

Në një pasdite të bukur vere, oborri i Zërit të Luginës në Preshevë u shndërrua në hapësirë takimi për dashamirët e librit, studiuesit, intelektualët dhe përfaqësues të institucioneve nga Presheva, Bujanoci, Gjilani, Prishtina, Kumanova dhe Shkupi.

Libri "Rrëfime për kufijtë e Luginës së Preshevës" i autorit Skënder Latifi, botuar nga Botimet KOHA nga Prishtina, u promovua përmes një bisede të hapur dhe interaktive mes autorit dhe publikut, duke krijuar një atmosferë të veçantë diskutimi rreth historisë, kujtesës dhe identitetit të Luginës.

Recensenti Prof. Dr. Ferid Selimi e vlerësoi veprën si një burim historik me vlera të rëndësishme shkencore, ndërsa publicisti Emin Azemi nga Shkupi foli për rëndësinë dhe përmbajtjen e librit, duke theksuar kontributin e tij në ndriçimin e shumë ngjarjeve dhe fakteve që deri më tani kanë mbetur pak të njohura për opinionin.

Edhe publiku ishte pjesë aktive e promovimit, me pyetje dhe diskutime rreth temave që trajton libri, duke dëshmuar interesimin për njohjen më të thellë të historisë dhe trashëgimisë sonë.

Një falënderim i veçantë shkon për moderatorin e promovimit Shkodran Ismaili dhe gjithë ekipin që bëri të mundur organizimin e këtij aktiviteti, edhe në mes të sezonit të pushimeve verore. Ky përkushtim është dëshmi se rrugëtimi ynë për ta dokumentuar dhe ruajtur kujtesën kolektive vazhdon, sepse trashëgimia jonë meriton të shkruhet, të ruhet dhe t'u përcillet brezave.

Mërgata – fryma që i jep jetë Preshevës Në këto ditë përvëluese vere, Presheva ka marrë një tjetër gjallëri. Mërgata, si...
16/07/2026

Mërgata – fryma që i jep jetë Preshevës

Në këto ditë përvëluese vere, Presheva ka marrë një tjetër gjallëri. Mërgata, si çdo verë, i ka dhënë qytetit ritmin dhe ngrohtësinë e saj. Familjarë, miq, shokë e dashamirës janë rikthyer në vendlindje, duke e mbushur çdo rrugë, kafene e shesh me buzëqeshje, biseda të ngrohta dhe takime që kishin munguar prej kohësh.

Si gjithmonë, mërgata mbetet e lidhur ngushtë me vendlindjen. Interesimi i saj nuk kufizohet vetëm te vizitat familjare, por shtrihet edhe te zhvillimi i shoqërisë, kultura, institucionet dhe e ardhmja e Preshevës. Dëshira e tyre është e sinqertë: të shohin një vend që funksionon mirë, me institucione të përgjegjshme, me rend, pastërti dhe drejtësi.

Në këtë atmosferë takimesh e bashkëbisedimesh, edhe shtëpia botuese "Zëri i Luginës", me drejtuesit e saj, po mirëpret miq të librit, dashamirës të fjalës së shkruar, artdashës dhe njerëz të përkushtuar ndaj vlerave kulturore e kombëtare.
Një kënaqësi dhe nder i veçantë ishte vizita e mikut tonë, z. Faruk Ismaili. Ai është një dashamirës i përhershëm i librit, i kulturës dhe i vlerave kombëtare, një personalitet me integritet të dëshmuar dhe me kontribut të çmuar në promovimin e këtyre vlerave.

Gjatë këtij takimi miqësor biseduam për veprimtarinë e "Zërit të Luginës", për botimet, sfidat dhe rëndësinë e kulturës së leximit, si dhe për mënyrat se si libri duhet të gjejë rrugën drejt lexuesit. Ishte një shkëmbim mendimesh i frytshëm, që dëshmoi edhe një herë se dashuria për librin mbetet ura më e fortë që lidh njerëzit, pavarësisht largësive.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, mikut tonë i dhuruam një libër, një prej botimeve më të çmuara të një miku tonë të përbashkët.

Z. Faruk Ismaili jeton dhe vepron në Zvicër, mirëpo tërë kohës mëton të ruaj lidhje të fortë me vendlindjen dhe me vlerat që e identifikojnë atë.

Takime të tilla janë dëshmi se mërgata nuk është vetëm një pjesë e pandashme e Preshevës gjatë muajve të verës, por një forcë e rëndësishme që vazhdon të mbështesë, të frymëzojë dhe të kultivojë jetën kulturore e shoqërore të vendlindjes.

Në shiritin e kohësNJË LETËR PA ADRESËHysë SHKRELII nderuar dhe i dashur Bekim Fehmiu, Na thanë se ke vrarë veten. E pab...
12/07/2026

Në shiritin e kohës

NJË LETËR PA ADRESË

Hysë SHKRELI

I nderuar dhe i dashur Bekim Fehmiu,
Na thanë se ke vrarë veten. E pabesueshme! Ti Bekim nuk mund ta vrisje Bekim Fehmiun. Ai ishte i madh për tu vrarë. E deshe ti atë apo nuk e deshe, ai nuk ishte vetëm yti. Ishte edhe yni. Ti linde në një qytet tragjik, ku filloi një luftë botërore e disa të tjera ballkanike. Ti linde në një kohë të pakohë, kur shqiptarët nuk kishin film, as ekran e as shtet të konsoliduar. Linde me shumë lindje shqiptare. Ato ishin lindje plotë dhembje, disa edhe të përgjakshme. Ndaj u detyrove, njësoj si Uliksi, të rrugëtoje e shpërnguleshe nga njëri qytet në tjetrin: nga Sarajeva, Shkodra, Prizreni, Prishtina… Udhëtove nga njëra kulturë në tjetrën, nga njëri front në tjetrin. Fole në shumë gjuhë, e megjithatë disa nuk të kuptuan. Ti zgjodhe të jetosh në një skenë e vend të turbullt. Kjo ishte beteja jote, në të cilën ishe i gatshëm për sulme e plagë. Ti nuk zgjodhe skenarin e jetës sate. Atë ta shkroi e imponoi koha e gjeneratës sate. Jeta jote ishte plotë shkëlqim e dallgë, guxim e frikë, sfida e fitore.
I ngjan fatit të shqiptarit. I ngjan historisë sonë. Si komb, ne përherë ishim në luftë mbrojtëse, ashtu siç ishe ti. Gjatë historisë, ndonjëherë në lidhëm edhe aleanca të gabuara, mirëpo arritëm edhe shkëlqime në civilizimin evropian. Megjithëkëtë, shpesh na bënë fajtor. Ishim të akuzuar, ishim të abuzuar. Jo rrallë e zgjodhëm tkurrjen si mbrojtje.
Ti jetove në Beograd, në kryeqytetin e vuajtjeve shqiptare. Aty ku shqiptarët i quajtën “sharrëxhinj”, “njerëz me bisht”, “primitivë”… Në qytetin ku shqiptarët përherë ishin të përbuzur e nënçmuar. Aty ku shpesh u morën vendime të kobshme për shqiptarët. Mirëpo, ti dëshmove se ne nuk ishim njerëz me bisht, por njerëz me njëqind shpirtra. Nuk ishim sharrëxhinj, por vetë sharra: ajo që hapë udhë edhe aty ku nuk ka. U ngrite mbi urrejtjen e përbuzjen në një yll hollivudian. Na bëre të ndihemi krenarë edhe atje ku s’na njihnin ose ku s’na donin. I munde përçmimet që iu bënë kombit tënd. U tregove edhe armiqve të kulturës sonë se shqiptarët kanë talent dhe mund të ngrihen edhe mbi kulturën e tyre. U dëshmove atyre se ne kemi kulturë edhe për kulturën e tyre. U bëre idol i tyre dhe yni.
Kritikët e tu tëqortuan pse zgjodhe Beogradin si qytet tëndin akademik. Po ç’zgjidhje tjetër kishe? Ta studioje filmin në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj?!… Kosova asokohe nuk kishte shkollë për ty. Ndoshta mund të zgjidhje Tiranën. Po të zgjidhje Tiranën, s’ka dyshim se rruga jote jetësore do të ishte tjetër. Mirëpo, asokohe Tirana ishte e ndaluar për ty e për ne. Madje, edhe kineastët më të njohur të Shqipërisë në ato vite shkolloheshin në Rusi. Ndaj mbase Beogradin e pate një udhë të imponuar nga rrethanat, në të cilat jetove. Disa shtruan pyetjen e kundërt: pse jo Beogradin?
Ne kishim intelektualë të shquar në të gjitha qendrat e Ballkanit. Nëse kishim një Moisi në Vjenë, një Gjika në Bukuresht, një Luaras në Sofje, një Frashër në Selanik, pse të mos kishim edhe një Bekim në Beograd? Në atë qytet jetuan dikur, e jetojnë edhe sot, më dhjetëra mijë shqiptarë. Në Beograd u shkolluan edhe intelektualë të shquar shqiptarë, si Anton Çeta, Idriz Ajeti e deri të Mark Krasniqi. Beogradi gjendet në Ballkan, e ky Ballkan u takon edhe shqiptarëve.
Të kritikuan pse nuk u shpërngule. Pse nuk e lëshove Beogradin, atëherë kur edhe intelektualë serbë u larguan në shenjë proteste për politikën e luftën që u udhëhoq e u drejtua nga ky qytet. Vendimi yt mbase ishte protesta jote. Apo lufta jote kundër tkurrjes shqiptare. Në të kaluarën ne u shpërngulëm me mijëra nga Bujanoci, Nishi, Beogradi. Mjaft na shpërngulën! Ndoshta është koha të rrimë e mbijmë aty ku duam për të dëshmuar praninë tonë në të katër anët e Ballkanit.
Gjithnjë dëshiruam të të shihnim në një film shqiptar, mirëpo kjo nuk ndodhi. Sigurisht që nuk ishe kundër filmit shqiptar, mirëpo ishe kundër provincializmit primitiv shqiptar, i cili nganjëherë preku kulturën tonë. Ne kishim heronj e role për ty, mirëpo nuk kishim filma për ty. Sepse ti ishe më i madh se filmat që bënim. Kosova nuk mundte të ofronte atë që nuk e kishte. Ndaj na kritikove e të kritikuam. Donim te të shihnim të përsosur, doje të na shihje më të mirë. Kritikat, ngado që erdhën, nuk ta humbën madhështinë. Ti mbete vigan në artin tënd e kulturën tonë. Kosova nuk ka intelektualë për të gjykuar apo hedhur.
Jeta jote ishte një rrjetë sfidash. Ti rrënove ose kapërceve shumë mure. Vizitove Shqipërinë në një kohë të turbullt, kur të tjerët e kishin të ndaluar. E theve kështu murin shqiptaro-shqiptar për të dëshmuar burimin e gjakut tënd. Shkove në Francë dhe me suksesin tënd në Kanë theve murin filmik midis Evropës Komuniste dhe Evropës Perëndimore, të cilat i kishte ndarë lufta e po i bashkonte arti. Më vonë, me filmat tu theve edhe murin kulturor midis Evropës Lindore dhe Hollivudit. Edhe atje ishe shqiptar.
Deshën të ta ndryshojnë emrin për shqiptim më të lehtë, ose qëllime komerciale, mirëpo ti nuk pranove. Emri yt kishte kuptim vetëm në gjuhën tënde. Mbete Bekim Fehmiu në çdo ekran ku zure jetë. Ti hyre në Hollivudin e Xhon Belush*t, në kohën kur akoma nuk dihej se edhe ai ishte shqiptar. Pas Elena Qiriqit ti ishe i pari emër shqiptar në dyert e Hollivudit.
Bekim, ti nuk e vrave Bekim Fehmiun. Nuk mund ta vrisje. Nuk kishe fuqi vrasësi për tëvrarë Bekim Fehmiun. Dikush apo diçka vetëm u dha fund dhembjeve e vuajtjeve tëtrupit tënd. Shpirti yt gjallëron e inspiron.
Ty, apo trupin tënd, e vrau koha e ligë, koha e dhunës, koha e kobit, të cilën e sollën ata që deshën një Ballkan tjetër. Ty të vrau dëshpërimi, vetmia, zhgënjimi, politika… Ty të vranë ata që plagosën Evropën, ata që ngulfatën Ballkanin, ata që dogjën Kosovën, ata që shpërndanë vdekje nga Kroacia deri në Kosovë. Ty të vrau shovinizmi serb, primitivizmi Ballkanik, dhuna mbi humanizmin, urrejtja midis njerëzve. Ty të vranë armiqtë e artit tënd. Ata të gjithë së bashku nuk mund te të vrisnin me një plumb, ndaj të vranë me zymtësinë, me errësirën e tmerrin që krijuan rreth teje.
Ti besove se kultura është mbi politikën, mirëpo politika shpesh e dhunoi kulturën. Ti besove se arti është mbi ndasitë midis njerëzve, mirëpo njerëzit krijuan kufi gjaku. Ty të vrau rrënimi i kalasë sate të paqes. Ty të vrau lufta pa luftëtarë. Të vrau paqja që nuk ishte. Të vrau koha e pakohë. Të vranë… apo besojnë se të kanë vrarë!
Ti jetove në dy brigje që nuk takoheshin dot, sepse urat rrënoheshin çdo ditë. I besove kohës në të cilën jetove, mirëpo ajo të zhgënjeu ty dhe ne. Zgjodhe heshtjen si armë kundër armiqve të tu, zgjodhe izolimin si protestë, mbylljen si mburojë. Ishin këto armë shumë njerëzore e të civilizuara për armiqtë e tu primitivë.
Ti vendose ta bëje këtë luftë i vetmuar. Megjithëkëtë ne ndihemi fajtorë: të lamë të vetmuar atëherë kur më së tepërmi kishe nevojë për miq. Ne të kishim ty në ekran, mirëpo ti nuk na kishe pranë.
Të kërkojmë ndjesë.
Ti e le Kosovën si Uliksi Penelopën për tël uftuar për artin tënd. Kosova të priti me vite. Po kthehesh nga Troja jote në Kosovë hi e shpirt, yll e famë. Vdekja jote na kujton kohën kur kolosë të kulturës sonë vinin në arkivole nga dheu i huaj.
Ti le porosi të kremohesh. Ndoshta pse trupi yt ishte në flakë prej vitesh. Ndaj varri yt nuk do të jetë në Beograd, as në Prishtinë, në Tiranë, as në Holivud. Varri yt do të jetë në qiell, atje ku pushojnë yjet. Sepse ti ishe një yll. Atje të pret Aleksandër Moisiu e emra të tjerë shqiptarësh të bekuar. Në historinë tonë nuk është hera e parë që yjet shqiptarë lindin ose vdesin në dhe të huaj. E rëndësishme është që ata shkëlqejnë mbi tokën e tyre. Ne, jo rrallë u kemi dhënë krijues e heronj edhe kulturave të tjera, ashtu siç bën bota e civilizuar.
Ti ishe një shkollë e Moisive të rinj. Familja jote ishte një universitet shqiptar: tempulli i Ibrahim Fehmiut. Sot familja jote, jemi të gjithë adhuruesit e filmit tënd.
Thanë se jetove 74 vjet. Themi se jetove më mijëra vjet e do të bësh edhe shumë jetë tët jera në të katër anët e botës, kudo që do të arrijnë filmat e tu.
Prizreni të dha djalërinë, ti po i jep emrin: Bekimin.
Ti nuk po i kthehesh tokës së Kosovës, ajo ka varre tepër. Po i kthehesh qiellit të Kosovës. Engjëjt dhe artistët jetojnë në qiell. Prej sot ai qiell ka një yll më tepër. Të gjithë ata që ëndërrojnë Olimpin tënd le të shikojnë kah ai yll.
Të qoftë i kaltër qielli i Kosovës!
Qoftë e pafund bota e artit tënd!
Qoftë i ndritshëm ylli yt në atë qiell!

Nju Jork, 22 qershor 2010

(Shkëputur nga Monografia "BEKIM FEHMIU - Odiseu i Kosovës" (botimi i dytë 2021), të autorit Fahri MUSLIU)

Një libër i dhuruar është një dritare e re që hapet për dijen. Këto ditë, përmes bashkëpunimit të Zërit të Luginës me Fo...
06/07/2026

Një libër i dhuruar është një dritare e re që hapet për dijen.

Këto ditë, përmes bashkëpunimit të Zërit të Luginës me Fondacionin ALSAR nga Tirana, arritëm të sjellim buzëqeshje dhe dije në duart e lexuesve.

Mbi 1.170 kopje librash, nga tituj të ndryshëm të historisë, kulturës, letërsisë dhe studimeve islame, u shpërndanë si dhuratë për rreth 100 lexues dhe dashamirës të librit. Secili prej tyre u pajis me disa tituj, duke pasuruar bibliotekën personale me botime që edukojnë, frymëzojnë dhe ruajnë kujtesën kulturore.
Në një kohë kur teknologjia e ka bërë leximin më sfidues, çdo libër që gjen rrugën drejt një lexuesi është një investim për të ardhmen. Një libër nuk është thjesht letër e shtypur; ai është dije, kulturë, frymëzim dhe një shoqërues që mbetet për gjithë jetën.

Falënderojmë Fondacionin ALSAR dhe partnerët e tij për besimin dhe mbështetjen në këtë nismë me vlerë. Besojmë se çdo libër i dhuruar sot do të kthehet nesër në më shumë dije, më shumë vetëdije dhe një shoqëri më të pasur shpirtërisht.

Leximi mbetet dhurata më e bukur që mund t'i bëjmë vetes dhe brezave që vijnë.

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Shtëpisë Botuese “Zëri i Luginës” dhe shkollës fillore “Prof. Ibrahi...
01/07/2026

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Shtëpisë Botuese “Zëri i Luginës” dhe shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, kanë nisur emisionet tona Podcast me nxënësit e kësaj shkolle.

Në një format të hapur dhe të lirshëm, temat do të trajtohen nga vetë nxënësit, të mbështetur me këshilla dhe udhëzime nga stafi i “Zëri i Luginës”.

Qëllimi i kësaj nisme është t'u japim fëmijëve një hapësirë ku zëri i tyre të dëgjohet, ku ata të ndajnë mendimet, përvojat dhe këndvështrimet e tyre mbi tema të ndryshme që i preokupojnë.

Në episodin e parë, biseda i kushtohet librit, leximit dhe rolit që ai ka në formimin e të rinjve.

Njëkohësisht, ftojmë të gjithë nxënësit që dëshirojnë të provojnë përvojën e një podcasti, të shprehin idetë e tyre dhe të bëhen pjesë e diskutimeve tona, të na bashkohen në emisionet e radhës. Dyert tona janë të hapura për çdo nxënës që ka dëshirë të flasë, të mësojë dhe të kontribuojë me zërin e tij.

Mirë se vini në podcastin e “Zëri i Luginës” – aty ku zëri i të rinjve dëgjohet dhe vlerësohet.

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Shtëpisë Botues...

Recensë për librat me poezi të poetes Hyrije Jusufi (Preshevë, Zvicër):• “Kthinave të jetës” (2019) • “Rilindur nëpër st...
01/07/2026

Recensë për librat me poezi të poetes Hyrije Jusufi (Preshevë, Zvicër):

• “Kthinave të jetës” (2019)
• “Rilindur nëpër stinë” (2020)

Nga: Fitim Nuhiu

Që në faqet e para të këtyre dy përmbledhjeve poetike, lexuesi vëren një formim të gjerë artistik dhe letrar të autores. Poezitë e saj karakterizohen nga një stil estetik i spikatur, një gjuhë e pasur dhe e pastër, e cila hap horizonte të reja mendimi dhe imagjinate gjatë leximit.
Në librin e parë, vërehet qartë se autorja ka ndërtuar një poezi me prirje thuajse autobiografike, pa kompleksin e fshehjes së përjetimeve të saj personale. Vargjet e saj shpesh ngjajnë me letra të padërguara, të shkruara në heshtje të brendshme, që lidhen me përjetime dashurie dhe zhgënjimi. Ato krijojnë përshtypjen e një komunikimi të ndërprerë, ku ndjenjat mbeten të pezulluara midis kujtesës dhe realitetit.
Kjo poezi reflekton një ndjeshmëri të thellë emocionale, ku dashuria paraqitet njëkohësisht si përjetim dhe si plagë. Autorja nuk e fsheh dhimbjen e saj, përkundrazi e shndërron atë në material poetik, duke e bërë lexuesin pjesë të dramës së brendshme njerëzore.
Në këtë kontekst, poezitë e saj shfaqen si rrëfime të sinqerta të një bote personale, ku arti bëhet mënyrë shërimi. Siç shprehet edhe vetë autorja, poezia është ngushëllimi i saj për vuajtjet jetësore.
Pajtohem me mendimin e redaktorit Bedri Dula, i cili thekson se:
“Arti është udha më fatlume që shëron plagët e shpirtit dhe krijon një botë të pasur si thesar.”
Në këtë kuptim, Hyrije Jusufi përmes poezisë së saj arrin të shndërrojë përjetimet personale në vlera artistike, duke shpërfaqur forcën dhe ndjeshmërinë e një krijueseje femërore që e përdor penën si mjet katarsisi. Edhe kur vargjet mbartin dhimbje apo mllef, ato nuk mbeten vetëm rrëfim emocional, por ngrihen në strukturë artistike të mirëfilltë.

Në vijim po ndaj disa vargje dhe poezi që më kanë lënë mbresa të veçanta:

- Jetën e tragjedisë nuk do t'ia falja as hasmit
Dhimbjen ia fala gurit.
(fn- autorja ngurtëson dhimbjen)

- Ngrohtësia e shpirtit avulloi lotin.

amaneti i nënës:
- Shtegtimeve të jetës bija ime
Puno e dhuro veç dashuri.

- Ti nuk ishe poet
Por me fjalë poeti më ngushëllove.

- por Dielli nga terri s'ka pjellur.

- Poezia: ILUZION
Aq fort më përqafoi vetmia
Kur të humba ty
Nga forca e saj e madhe
Njoha vetveten
Fillova ta dua
Ta çmoj
Njoha durimin
Dhe në këtë rrugë
Do të qëndroj
Dhe...
Më për asnjë njeri
Nuk do të trishtohem.

- Poezia: DITË NËNTORI
Në këtë ditë nëntori lë gjethet nën këmbë
Eci kujtueshëm
Deri te kafeneja e preferuar e pjesës së qytetit tjetër
Mënjanë rrahë kambana e kishës gri
Në krahun e kundërt rrotullohen akrepat
E premtja është lutja ime e vjetër.

Në mënyrë të veçantë, autorja arrin të ndërtojë një simbolikë domethënëse kur ndërthur elemente të besimeve dhe mbi to vendos “Nëntorin kombëtar” si një lloj prijësi të harmonisë ndërfetare dhe unitetit shpirtëror. Kjo qasje e saj e zgjeron dimensionin e poezisë përtej personales, duke e lidhur me identitetin kolektiv dhe me vlerat universale të bashkëjetesës.
Librin e parë, autorja e mbyll me një ton të qartë shprese dhe rifillimi, duke i dhënë fund mllefit dhe frustrimeve të brendshme përmes vargut: “gjithçka duhet nisur nga e para”. Ky mesazh shënon një kthesë të rëndësishme emocionale dhe artistike, ku dhimbja shndërrohet në reflektim dhe fillim të ri.
Në librin e dytë, “Rilindur nëpër stinë”, kjo kthesë bëhet edhe më e dukshme. Autorja dëshmon se ka arritur të gjejë ekuilibrin e brendshëm dhe rrugën e saj jetësore, duke u distancuar nga poezia e theksuar personale e librit të parë. Tematika e saj zgjerohet drejt poezisë dedikuese, ku përfshihen kombi, atdheu, dashuria e përjetshme dhe vlera të tjera universale, duke i dhënë krijimtarisë së saj një dimension më të pjekur dhe më dinjitoz.
Në këtë fazë, poezia e saj nuk mbetet vetëm shprehje e përjetimit individual, por shndërrohet në reflektim artistik mbi njeriun dhe shoqërinë, duke fisnikëruar shpirtin e lexuesit dhe duke i dhënë vargut një peshë më të gjerë kulturore.
Në përmbyllje, këto dy vepra paraqesin një rrugëtim poetik nga dhimbja personale drejt harmonisë së brendshme dhe pjekurisë artistike.

Ju rekomandoj që t’i lexoni këto vepra, pasi ato pasurojnë dhe fisnikërojnë botën shpirtërore të lexuesit.

Address

Presevo

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Zëri i Luginës posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Business

Send a message to Zëri i Luginës:

Shortcuts

Share

Category