Info.mk

Info.mk Info.mk eshtë portali më i ri informativ në gjuhën
shqipe, i fokusuar më shumë në mbulimin me lajme dhe informacione nga Magedonia.

Problematiku Alternativës nuk është më pjesë e këtij subjekti, Zejd Rexhepi bëhet “kufomë” politikeSkënder Zejd Rexhepi ...
14/06/2022

Problematiku Alternativës nuk është më pjesë e këtij subjekti, Zejd Rexhepi bëhet “kufomë” politike

Skënder Zejd Rexhepi ka qenë emri më i përfolur në subjektin e sapo formuar Alternativa, në opinion njihej si revolucionar nga fjalimet e tij që kërkonte ndryshime vazhdimisht, ndërkaq sipas informacione prej brenda kësaj partie ishte kancer i partisë. Nga bashkëthemelues i Lëvizjes Besa, në bashkëthemelues i Alternativës përfundoi as te Besa e as te Alternativa. Me citate fetare shpeshherë është paraqitur në foltoren e Kuvendit, edhe pse është përfolur se mbas Kuvendit ka vendosur tezgën me një produkt të vetëm “votën e deputetit”, për çfarë ka qenë nevoja vota e Zejdit ka qenë në dispozicion, e çmimi ka ndryshuar varësisht blerësit. Kjo krijon mjegulla edhe në kohë me diell pasi nuk dihet nëse Zejdi ka keqpërdorur pozitën e deputetit për interesa personale, shkruan Zhurnal.

Deputetët janë në Kuvend për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, por ata që e keqpërdorin këtë pozitë të përkohshme e humbin besimin dhe dinjitetin, kështu që nga Kuvendi mund të marrin vetëm pagën për aq mandat sa kanë e asgjë më tepër. Ndërkaq, humbin shumë sepse kanë keqpërdor besimin e qytetarëve që nuk mund ta rikthejnë asnjëherë më.

Zejdi është njohur jashtë partisë si zëri kritik në Alternativë, ndërkaq përbrenda partisë thonë që ka qenë kancer i partisë duke kundërshtuar çdo vendim që nuk ka qenë në përputhje me interesat e tij personale, por tani ata konsiderojnë se janë çliruar nga Zejdi. Madje, në opinion shpeshherë janë dëgjuar edhe komperacione të figurës së Zejdit me atë të Artan Grubit në BDI, duke i bashkëdyzuar si dy figurat më të padëshiruara përbrenda partive politike.

Pozita e deputetit e vesh individin me petkun e përgjegjësisë dhe dinjitetit që duhet të ketë ndaj qytetarëve, posaçërisht atyre që e kanë votuar dhe i kanë besuar. Por, si duket Zejdi e ngatërroi petkun e përgjegjësisë me atë të “interesit personal”, dhe u zhvesh nga përgjegjësia u ngarkua me veprime që shkonin në konton e tij personale, njëherë konsideronte se po fitonte mjaftueshëm, por tani me këtë përfundim sigurisht ka kuptuar se më shumë ka humbur.

Çfarë gaboi Zejdi që e humbi besimin në partinë e tij?

Nëntori i vitit të kaluar ishte koha kur partitë politike opozitare dhe ato maqedonase u dakorduan për rrëzimin e qeverisë Zaev, kishin mbledhur 61 nënshkrime, por nga Alternativa kishin plasaritje për brenda pasi Zejd Rexhepi u pendua për nënshkrimin e dhënë dhe tha tërhiqem, nën pretekstin se nuk dëshiron nënshkrimi i tij të jetë në të njëjtën letër me atë të Apasievit të së Majtës. Duke tentuar të luajë me patetizëm folklorik Zejdi nuk arriti ta manipulojë as publikun e as bashkëpartiakët, se e kuptuan të gjithë se është i kapur nga partitë në pushtet dhe nuk guxon të votojë për rrëzimin e tyre.

Ditë më vonë, pushteti e kishte pasur gati një “kurban” tjetër, Kastriot Rexhepin, dhe i dha sinjal Zejdit se mund të votojë sepse edhe me votën e tij sërish qeveria nuk do të rrëzohet. Kështu që ky i fundit pastaj ndryshoi mendim dhe kinse u bind nga partia dhe tha se do të votojë për rrëzim të qeverisë. Ky ishte edhe fillimi i demaskimit të Zejd Rexhepit, ishte shkaktar që prishi raportet me kreun e ASH-së, Zijadin Sela, që arriti të prish edhe koalicionin mes ASH-së dhe Alternativës, edhe përkundër se kishin pasur marrëveshje bashkëpunimi deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Mes tjerash, pas prishjes së këtij koalicioni opozitar partia e Zejdit, Alternativa u bë pjesë e pushtetit me një marrëveshje të caktuar, me të cilën janë krekosur si partia e parë që bëhet pjesë e pushtetit me një marrëveshje. Por, në 100 ditët e para të qeverisjes përderisa këta numëronin punët e tyre që kanë bërë, nuk mendonte njëjtë edhe bashkëpartiaku i tyre, Zejdi, i cili hapur publikisht në emisione akuzonte partinë e tij se nuk kanë arrit të realizojnë asnjë premtim në 100 ditshin e parë të qeverisjes.

Ai thoshte se 100 ditë kaluan dhe deputetët e Alternativës nuk kërkuan hapjen e rasteve të montuara. Asnjë nga pikat e programit të Alternativës nuk u plotësua në 100 ditët e para. Pra, ishte nga po ajo parti ku në njërën anë ata tentonin të paraqisnin në publik disa prej arritjeve të tyre, në anën tjetër ishte Zejdi që vuloste dështimin e tyre.

Alternativa një muaj më herët mbajti edhe Kongresin e parë partiak, ku u emërua, Afrim Gashi, sërish në krye të partisë, u emërua pasi nuk mund të quhet zgjedhje apo rizgjedhje ku në garë është vetëm një kandidat. Por, ajo që e bëri Kongresin e parë partiak të kësaj partie të pa kompletuar ishte mungesa e njërit prej themeluesve të partisë, Zejd Rexhepit, i cili nuk ishte prezent në kongres. Sipas tij prezenca e tij në kongres nuk do të kishte kuptim pas deklaratave të para disa ditëve, ku kishte paralajmëruar edhe fundosjen e partisë, e nuk përjashtonte edhe mundësinë e largimit nga partia.

Zejdi mes tjerash është thënë shumë herë nga bashkëpartiakët e tij se është njëri ndër problematikët kryesor kur vjen koha e kandidatëve që duhet të vendosen për kryetar komunash apo në listat për deputet, dhe vështirësitë e kundërshtimet më të mëdha thonë që kanë ardhur pikërisht nga Zejdi.

Ndërkaq, dje është mbajtur edhe mbledhja e parë e Kuvendit Qendror të Alternativës pas Kongresit partiak, ku është zgjedhur Kryesia Qendrore, nga gjithsej 39 anëtarë, 5 nënkryetarë, dhe 6 sekretarë. Nga gjithsej 50 pozita qendrore në parti në asnjërën prej tyre nuk pati vend e hapësirë për Zejd Rexhepin, i cili dikur ishte krahu i djathtë i kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, por ky i fundit nuk e propozoi sepse nuk po i beson më për asnjë pozicion në parti.

Nga tre shok me ideal të fuqishëm Bilall Kasami, Zejd Rexhepi e Afrim Gashi, ngelën të ndarë e të përçarë madje nuk dihet se cili mbeti pa krahë të djathtë sepse që të tre përfunduan të vetmuar. Ishin shpresa e ndryshimit u bënë shembulli përçarjes e ndarjes.

Ndryshe, Zejd Rexhepi, gabimin më të madh e ka bërë që e ka humbur besimin në parti, edhe ashtu Alternativa ishte në këmbë “të qelqta” dhe i duhej vetëm një skandal i ndonjërit prej eksponentëve të partisë që të shkatërrohej tërësisht. Por, si duket këta si masë preventive për të parandaluar një skenar të tillë e larguan problematikun e partisë, Zejdin, dhe me këtë lirshëm mund të konstatojmë se në moshë të re në kulmin e karrierës politike Zejdi përfundon karrierën e tij dhe bëhet “kufomë” politike.

Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot do të vazhdojë debatin për buxhetin plotësues për vitin 2022. Sipas minis...
14/06/2022

Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot do të vazhdojë debatin për buxhetin plotësues për vitin 2022. Sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, me projekt-ribalancin e Buxhetit duhet të ruhet stabiliteti makroekonomik, të mbështetet ekonomia që të kthehet në nivelin para pandemisë, por edhe të ruhet siguria sociale e qytetarëve.

Në fjalën e tij të djeshme në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet, ai theksoi se synimet që duhet të arrihen me këtë dokument janë mbështetja e synuar për qytetarët dhe kompanitë për tejkalimin e sfidave që sjellin krizat e reja globale.

Me propozim-buxhetin plotësues të hyrat janë paraparë në 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë më të larta se parashikimet fillestare, ndërsa shpenzimet në nivel prej 288,5 miliardë denarë ose rreth 16 miliardë denarë më shumë në raport me projeksionet fillestare me plani për vitin 2022.

Transferet rrjedhëse janë planifikuar në nivel prej 189,7 miliardë denarë ose rreth 19 miliardë denarë më i lartë se plani për vitin 2022.

Buxheti plotësues parasheh 4,7 miliardë denarë mbështetje shtesë financiare për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive në kushtet e krizës së zgjatur në tregun botëror të energjisë dhe produkteve primare.

Gjithashtu, janë paraparë edhe subvencione dhe transfere shtesë për fermerët, përkatësisht 3,2 miliardë denarë shtesë për subvencionet e parapara fillimisht. Këto fonde kanë për qëllim të stimulojnë rendimentet dhe produktivitetin, të amortizojnë presionet e çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

Janë planifikuar edhe transfere më të larta në komuna, kryesisht për shkak të rritjes së bllok-dotacioneve për rritjen e pagave në kopshte dhe në shkollat fillore dhe të mesme për 15 për qind.

Me ribalancin e Buxhetit parashikohen edhe mjete për rritjen e pensioneve sipas metodologjisë së re sipas indeksit të shpenzimeve së jetesës në masën 50 për qind dhe rritje të pagës mesatare të paguar të të gjithë punonjësve në masën 50 për qind. Për shfrytëzuesit e të drejtës të ndihmës minimale të garantuar janë planifikuar edhe 2,4 miliardë denarë shtesë.

Janë parashikuar mjete për subvencionimin e kontributeve për të mbështetur punëdhënësit në rritjen e pagave në sektorin privat, duke përfshirë efektin e subvencionimit të kontributeve të pagës minimale.

Shpenzimet për pagesën e pagave janë projektuar në nivelin prej 33,2 miliardë denarë, ku përfshihet efekti i harmonizimit të pagave të të punësuarve me shfrytëzuesit buxhetorë me pagën minimale nga njëra anë dhe efektet e kontrollit të punësimeve të reja dhe optimizimit të administratës publike nga ana tjetër.

Ministri në paraqitjen e mbrëmshme në TV24 përmendi se ribalanci i Buxhetit së pari thith të gjitha masat që janë marrë nga marsi i këtij viti për të përballuar krizën dhe së dyti se nuk na pret në periudhën e ardhshme.

“Kjo do të thotë se shpenzimet duhet të ristrukturohen dhe ne i kemi korrigjuar sa i përket realizimit të të hyrave. Kjo do të thotë se nëse deficiti buxhetor ishte planifikuar në 545 milionë euro, ai është diku në nivelin 695 milionë euro. Inflacioni është në rritje krahasuar me 2.4 për qind fillestaret dhe parashikimet janë që mesatarisht do të jetë 7.2 për qind. Gjërat kanë ndryshuar në skenën botërore. Është bërë praktikë çdo tre muaj që të shohim një rishikim të projeksioneve. Tani po jetojmë në një periudhë krize”, tha Besimi.

Megjithatë, gjatë debatit të djeshëm, deputetët e pushtetit dhe opozitës kanë mbetur me qëndrime të kundërta.

Sipas deputetëve të pozitës, me ribalancin projektohen më shumë mjete nga buxheti për mbështetjen e standardit të qytetarëve dhe mbështetet aktiviteti ekonomik, ndërsa opozita mbetet në qëndrimin se buxheti nuk është dimensionuar në mënyrë përkatëse dhe se mbushet vetëm në kurriz të qytetarëve.

Deputeti Brane Petrushevski nga OBRM-PDUKM theksoi se ribalanci është i vonuar dhe se Qeveria është dashur në mënyrë më efikase dhe më në kohë të reagojë, duke e pasur parasysh edhe luftën dhe në përgjithësi të gjitha efektet të cilat më vonë erdhën si ekonomikisht të pafavorshme.

“Presim momente më të reja në Buxhet, por për fat të keq asgjë e re. Bëhet fjalë për buxhetin më të keq deri më tani, pasi është më i madhi në historinë e ekonomisë por edhe më voluminozi në deficitin buxhetor”, tha Petrushevski.

Sipas tij, Qeveria duhet të qaset me më pak optimizëm dhe më shumë realitet, që të kenë dëshpërim më të vogël nga qytetarët.

“Masat të cilat i hoqi Qeveria duke heshtur, ndërsa të cilat skaduan për shkak të afateve kohore por edhe duke mos i pranuar propozimet e opozitës dhe të qytetarëve lë vakum hapësirë në të cilën shteti ynë është vendi i vetëm në rajon e mbase edhe në Evropë, që për momentin në fuqi nuk ka kurrfarë masash efektive antiinflacionit. Rritja e tillë e deficitit buxhetor nuk mund të thuhet se është shkurtim i shpenzimeve joproduktive, nëse merret zëri për mallra dhe shërbime thuajse askund nuk ka shkurtim. Nuk është buxhet që kursen, por buxhet i cili shpenzon”, shtoi deputeti Petrushevski.

Sipas deputetit Bedri Fazli nga BDI, në kushte të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve në nivel global, buxheti i rikonstruuar nga e para do të sigurojë mbrojtje më të madhe të qytetarëve, veçanërisht të qytetarëve të rrezikuar social por edhe mbështetje financiare dhe likuiditet të kompanive.

Gjithashtu, siç tha, me rritjen e pagës minimale dhe me rritjen e pensioneve do të zbuten efektet nga rritja e madhe e çmimeve.

Sipas deputetëve të OBRM-PDUKM-së, ribalanci i buxhetit është vetëm për t’u rritur borxhi publik, dhe ai mbushet sërish në llogari të qytetarëve, ndërsa e vetmja që ka përfitim nga inflacioni është Qeveria. Deputetët e OBRM-PDUKM-së theksojnë se bazë për miratimin e këtij buxheti shtesë është vetëm dështimi në investime kapitale dhe nevoja për një huamarrje të re enorme.

Sipas opozitës, çdo miratim i amendamenteve që janë shtruar nga ana e tyre do të thotë jetë më e mirë për qytetarët.

Deputeti Mile Lefkov nga OBRM-PDUKM në kundëreplikën e tij theksoi se ka një rënie rekord të popullsisë së aftë për punë në vend për shkak të emigrimit dhe për shkak të mosregjistrimit si fuqi punëtore aktive. Siç theksoi ai, ka një rënie historikisht të paprecedentë në ekonomi dhe vetëm këtë vit janë mbyllur afro 4000 kompani.

Ministria e Arsimit demanton me fakte akuzat e ASH-së: Dëftesat elektronike janë edhe shqipAleanca për Shqiptarët akuzon...
10/06/2022

Ministria e Arsimit demanton me fakte akuzat e ASH-së: Dëftesat elektronike janë edhe shqip

Aleanca për Shqiptarët akuzon se dëftesat në ditarin elektronik plotësohen vetëm në gjuhën maqedonase e jo edhe në shqip. Shtojnë se kjo është diskriminuese dhe degraduese për arsimtarët shqiptarë, të cilët pastaj detyrohen që të kërkojnë para nga nxënësit ose të paguajnë vetëm për plotësim dëftesash.

“Deri sa ishte ministre znj.Carovska kjo edhe mund të kuptohej, por kur ministri dhe zv/ministri janë shqiptarë, kjo s’do asnjë koment më tepër. Nëse ankoheni se nuk keni ekspertë nga lëmi i IT ose përkthyes, si gjithmonë do të ju ndihmojmë më ekspertët tanë, por pranoni se nuk jeni të aftë të menaxhoni dhe ta implementoni gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare”, tha Naim Bajrami, zëdhënës i ASh-së.

Akuzat i hedh poshtë Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Na dërguan fotografi të cilat sipas tyre dëshmojnë se ekziston edhe opsioni në gjuhën shqipe.

“Për herë të parë pas shumë vitesh, ditari elektronik punon pa vonesa. Dje janë regjistruar 731.000 nota në ditar, që është rekord. Po ashtu, dëftesa gjenerohet në mënyrë automatike, në gjuhën e zgjedhur, pra edhe në gjuhën shqipe. Nga shtatori, do të vijojnë risi të tjera ku si rezultat, të dhënat nëpër shkolla do të ruhen vetëm në forme elektronike, do të ketë edhe shumë shërbime tjera shkollore të cilat do të jenë elektronike, transparente dhe të shpejta”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Për ndihmën e ofruar nga Aleanca për Shqiptarët për t’ju dërguar ekspertë të IT-së ministrisë së Arsimit, nga ky dikaster u përgjigjën se nuk kanë nevojë. Theksuan se përgjigjja për akuzat e ASh-së është dërguar pikërisht nga këshilltari i posaçëm i ministrit për politika arsimore, Dr.Shpetim Latifi, inxhinier i IT-së.

Bekteshi: Po përgatisim masa të reja për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, nuk mund të bëhen fitime në kohë ...
09/06/2022

Bekteshi: Po përgatisim masa të reja për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, nuk mund të bëhen fitime në kohë lufte si më parë

Po shqyrtojmë masat, në konsultim me sektorin e biznesit. Është duke u konsideruar një masë për uljen e kostove të caktuara për prodhuesit apo importuesit e produkteve ushqimore bazë. Ne do të marrim parasysh të gjitha kostot e bëra nga prodhuesit dhe do të bëjmë një analizë për të eliminuar disa detyrime që ndikojnë më tej në çmimet përfundimtare. Këto kosto marrin pjesë me 25 për qind në çmimin final të produkteve, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sonte në emisionin Uin-Uin në Tv Telma

“Të gjitha ato produkte, apo 80 për qind e këtyre produkteve që kanë qenë në vendimin fillestar, ne do të marrim një masë për to në aspektin tregtar dhe si të tregtohet me ato produkte duke filluar nga importi, nëse një produkt i caktuar nuk prodhohet në Maqedoninë e Veriut, nga faturat hyrëse nga kostot që ka”, theksoi Bekteshi.

Nëse një kompani prodhon vetëm një produkt, sigurisht që ka kosto më të larta operative për atë produkt, nëse ka një gamë më të madhe produktesh, duhet të shpërndajë kostot e të gjitha produkteve. Dhe për ata prodhues që prodhojnë këto produkte për ta do të ketë një masë tjetër ku do të merren parasysh inputet që kanë, kur them input nënkuptoj çmimet e aksioneve që janë të grurit, të lulediellit apo lëndëve të tjera të para, sipas atyre analizave ata e përcaktojnë çmimin dhe ne kemi mundësinë si Ministri e Ekonomisë dhe si Qeveri që t’i heqim disa kosto që i kanë aktualisht”, tha Bekteshi.

Këto masa, siç tha ministri, tashmë janë marrë një herë dhe janë përvoja nga vendet evropiane dhe me gjasë do të miratohen javën e ardhshme.

“Ne kemi rrjete supermarketesh që kanë promovime dhe politika të ndryshme në tregjet e tyre. Ka kosto të ndryshme për një produkt si për prodhuesin ashtu edhe për importuesin e atij produkti. Këto janë politikat që kanë zinxhirët e tregut. “Ne mendojmë se në një kohë të tillë duhet të eliminohen kostot e tilla shtesë që ndikojnë në çmimin edhe të prodhuesit edhe të importuesit dhe ato kosto variojnë nga 5% deri në 25% në çmimin final të produkteve”, tha Bekteshi.

Ministri theksoi se gjatë ditëve të fundit përmes konsultimeve intensive me të gjithë palët, tregtarët me shumicë dhe pakicë, prodhuesit e produkteve ushqimore bazë, si dhe me të gjitha institucionet kompetente në fushën e kontrollit të tregut, janë shqyrtuar të gjithë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe cilat janë pritshmëritë për periudhën e ardhshme.

“Po, çmimet e ushqimeve bazë janë rritur si rezultat i masave që ne kemi marrë, si ngrirja e marzheve dhe ulja e TVSH-së, kanë pushuar së aplikuari, por tregtarë të caktuar për të realizuar fitim vendosin marzhe jo reale për këto produkte. Nuk lejohet në këtë moment që disa tregtarë të vendosin marzhe të mëdha fitimi si përpara krizës”, tha Bekteshi.

Ministri Bekteshi informoi se ka një propozim nga Oda Ekonomike e Maqedonisë në sferën e kufizimit të marzhit të fitimit në produktet ushqimore bazë nga 5% deri në 10%.

“Kemi konstatuar se markete të ndryshme në të gjithë vendin vendosin marzhe të ndryshme fitimi për produktet, por ne e kemi thënë hapur se të njëjtat fitime që janë bërë vitin e kaluar nuk mund të bëhen në kohë lufte. “Ashtu siç ne e rishikojmë buxhetin, edhe ata duhet të rishikojnë pritshmëritë dhe planet e tyre për këtë vit”, tha ministri.

Sipas ministrit në një ekonomi të hapur të tregut, çdo masë e vendosur nga qeveria për të kontrolluar rritjen e çmimeve mund të jetë vetëm e përkohshme.

“Ekonomia e tregut të hapur ndikohet nga disa faktorë të jashtëm dhe ndikime të caktuara nga BE-ja po përhapen tek ne, dhe lufta në Ukrainë ka pasur një ndikim të veçantë në muajt e fundit. Por njëfarë përgjegjësie për rritjen e çmimit duhet ta mbajnë vetë tregtarët”, tha ministri..

Artan Grubi për Nova TV: Të gjitha arritjet mbajnë vulën e BDI-sëBashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nesër më 5 qersh...
06/06/2022

Artan Grubi për Nova TV: Të gjitha arritjet mbajnë vulën e BDI-së

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nesër më 5 qershor mbush 20 vjet nga themelimi i saj. Partia ka pothuajse po aq vite në pushtet dhe merr pjesë në të gjitha proceset e rëndësishme në vend. Për jubileun dy dekadash të partisë biseduam me sekretarin organizativ të partisë dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm dhe kryesisë, Artan Grubin, i cili është Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive në Qeveri. Në intervistën për Nova Tv, Grubi thotë se çelësi i suksesit të partisë është se gjatë gjithë këtyre viteve ka qëndruar konsistente me parimet dhe angazhimet themeluese dhe për këtë arsye nuk ka dallim mes BDI-së nga 20 vjet më parë dhe BDI-së tani. Ai është krenar se të gjitha projektet e rëndësishme për shtetin dhe platformat që nga viti 2002 deri më tani mbajnë shenjën e partisë së tij, thotë ai, Grubi u përgjigj edhe për përtrirjen e partisë dhe për sulmet nga oponentët për festimin e ditëlindjes. Për çfarë kemi biseduar, ndiqni intervistën që vijon.

Këtë vit BDI shënon dy dekada në skenën politike. Nëse do të duhej të krahasonit BDI-në nga fillimi dhe BDI-në tani, si do të dukej?

Po, më 5 qershor BDI shënoi 20 vjet të ekzistencës. Nëse e krahasojmë BDI-në atëherë dhe BDI-në tani, do të theksojmë se nuk ka dallim të madh. Pikërisht, duam të theksojmë se BDI-ja mbështetet në parimet mbi të cilat është formuar dhe i respekton ato. Tregues për atë që po flasim janë fitoret në të gjitha ciklet zgjedhore të deritanishme, tregues është edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, integrimi në NATO dhe BE, zbatimi i plotë i programeve të premtuara për qytetarët etj. Nga ky këndvështrim mund të premtojmë se në të ardhmen do të respektojmë parimet dhe do të punojmë në interes të qytetarëve. Në periudhën e kaluar, lirisht mund të themi se të gjitha të arriturat e deritanishme, projektet dhe platformat në vend mbajnë shenjen e BDI-së, por të drejtat më të mëdha për të gjithë janë arsyet pse BDI-ja fiton besimin e qytetarëve.

Pjesën më të madhe të ekzistimit politik partia politike e ka kaluar në pushtet. Cili është çelsi i këtij suksesit, superioriteti, inventimi, apo në pyetje është diçka tjetër?

Siç e theksova më lart në përgjigje të pyetjes suaj atë që e premtojmë para qytetarëve atë edhe e realizojmë. Si shembull për këtë duam ta përmendim rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale, gjegjësisht zgjedhje në të cilat BDI ishte fitues absolut në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Në pjesën e dytë të pyetjes suaj, nëse ajo është një risi ose krijim në programe, ne do t’ju përgjigjemi më pozitivisht, pra risia, krijimi i programeve por edhe përmbushja e tyre është çelsi i suksesit.

Çfarë ndodhi me „Agjendën blertë” të BDI-së, e promovuar në vitin e kaluar, disi sikur ka zbehur?

Agjenda e blertë të cilën BDI e promovoi është e një rëndësie të veçantë për tërë shoqërinë. Ne si veprues politik do të mbesim të përkushtuar ndaj këtij premtimi ngase konsiderojmë se kjo është një kërkesë kryesore e qytetarëve. Agjenda blertë do të thotë jetë cilësore, ajr i pastër, ambient pastër, rrugë të moderuara. hekurudha, gazifikim, shkolla më të mira, kopshte, etj. Fillimi i jonë ishte me përpjektet tona për barazi dhe drejtësi përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, pastaj për integrime të brendshme, rajonale dhe euroatlantike, e deri më sot kur fillojmë me Agjendën e Zhvillimit të Gjelbër sepse tashmë i kemi përfunduar dy qëllimet e para. Agjenda e blertë duhet të jetë nxitje dhe aspiratë e të gjitha partive të tjera politike që kërkojnë besimin e qytetarëve. Si përkujtim për atë që po flasim është vendimi për shpalljen e Malit Sharr për park kombëtar. Nga ky këndvështrim do të premtojmë se shpallja e Malit Sharr për park kombëtar është vetëm një nga një nga shumë projekte të cilat i kemi në agjendën tonë.

BDI gjatë gjithë këtyre viteve të ekzistencës ka qëndruar konsistent me liderin e partisë Ali Ahmeti. Po në lidhje me procesin e përtëritjes? A nuk ka ndonjë zëvendësues të denjë për Ahmetin, apo Ahmeti është guruja politik që mund të përsërisë suksesin e dy dekadave të fundit në vitet në vijim?

BDI është parti politike që i kushton rëndësi të veçantë rinisë së saj politike. Megjithatë duam të theksojmë se vazhdimisht po punohet në zhvillimin, trajnimin dhe përgatitjen e kuadrove të rinj të cilët duhet të vazhdojnë të punojnë edhe në të ardhmen me përkushtim, përgjegjësi dhe ndershmëri edhe më të madhe, në drejtim të një standardi më të mirë jetese dhe kushte më të mira për jetesë për të gjithë. Në këtë kontekst, dua të shtoj se BDI është duke u reformuar vazhdimisht. Si të dhëna për këtë procedurën tonë, e cila është në vazhdim, janë kryetarët e rinj të degëve, pra 98 për qind e kryetarëve të rinj të degëve, nga të cilët 49 për qind janë gra. Përveç kësaj, është shumë e rëndësishme të theksohet se ne në strukturën tonë partiake kemi parashikuar të kemi edhe sekretarin për mundësi të barabarta.

Grubi, si parti organizuat një festë pompoze me shumë yje të estradës. Kundërshtarët si Besa dhe Aleanca për Shqiptarët po ju bëjnë thirrje që të anuloni festën për shkak të zjarrit dhe furtunës që goditi komunën e Tetovës, duke pretenduar se do të ishte një festë e rreme sepse pas 20 vitesh qeverisje e keni vrarë shpresën te njerëzit?

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk feston por shënon 20 vjet ekzistencë. Domethënë, ky shënim i 20 vjetorit nuk parasheh vetëm ngjarje muzikore. Kjo është vetëm një segment i vogël i serisë së aktiviteteve të planifikuara për këtë ngjarje. Me mbajtjen e paneleve, forumeve ku do të flitet për të arriturat e deritanishme por edhe për sfidat që na presin, më pas aktivitetet e të rinjve tanë në aspektin e aktiviteteve sportive, shoqërimit dhe shkëmbimit të ideve me bashkëmoshatarët e tyre, është planifikuar pritja e kryetarit të partisë për të gjithë vepruesit politik, trupin diplomatik dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se të gjitha partitë politike marrin mjete nga buxheti dhe për to duhet të tregojnë mënyrën dhe transparencën se si i kanë shpenzuar fondet. Sa për kujtesë, para nga buxheti kanë marrë edhe ata që akuzojnë. Por, ndryshe nga ne, nuk japin llogari se ku janë shpenzuar këto mjete, këtu dinë vetëm të spekulojnë pa bazë.

Address

Skopje
1200

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Info.mk posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Share