06/15/2026
Këngëtari Yll Limani ka ndarë me ndjekësit disa momente shumë personale pas dy koncerteve të tij të mëdha në Tiranë, ku u ndoq nga mijëra fansa.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, artisti shihet i ulur në prapaskenë, me duart në fytyrë, menjëherë pas përfundimit të performancës. Pamjet tregojnë një moment të fortë emocional për këngëtarin, i cili duket se është prekur thellë nga përjetimi i skenës dhe reagimi i publikut.
Ylli shkroi se këto ditë kanë qenë ndër më të vështirat, por edhe ndër më të bukurat e jetës së tij.
“Dy netë, 30 mijë njerëz… Ka qenë java ma e vështirë edhe ma e bukur e krejt jetës tem. Këto fotografi jon bo menjëherë masi u kry koncerti. Jon lot shlirimi, kur e sheh me sy andrrën tu u bo realitet… Faleminderit prej zemrës! Ju dua”, ka shkruar ai.
Postimi i këngëtarit mori menjëherë mijëra reagime nga fansat, të cilët e përgëzuan për suksesin dhe për emocionet që përcolli në skenë.
Koncerti i mbajtur mbrëmjen e së premtes në Tiranë nuk kaloi pa një moment të pazakontë. Për disa çaste, atmosfera i ngjau një tubimi politik, kur të rinjtë e pranishëm shpërthyen në kor me thirrjet: “Rama jep dorëheqjen!”.
Megjithatë, mbrëmja u përmbyll me emocione të mëdha për këngëtarin, i cili e cilësoi këtë eksperiencë si realizimin e një ëndrre.