05/10/2025
Pike.
Xhevat Gjini: SHQIPTARËVE S'UA KA FAJIN "LISTA SERBE"
Rreth 95 % e popullit të Kosovës (pa vise) janë shqiptarë. Rrjedhimisht, Kosova është shqiptare, pjesë organike e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë. Pakica serbe është 3 - 4 % e popullit të Kosovës dhe, të tjerët, 1 - 2 %. Edhe po të ishin në një përqindje më të madhe këto pakica nuk do të duhej të paraqitnin as një problem për Kosovën shqiptare.
Pas krijimit të komunave "serbe" dhe marrëveshjeve për krijimin e një entiteti të pa qenë "serb" (bashkësinë e komunave "serbe") në tokën shqiptare, me marrëveshjet e Brukselit, u krijua edhe partia "Lista serbe", që do t'i përfshinte dhe do t'i përfaqësonte interesat e pakicës serbe dhe të Serbisë...
Kjo parti, me ngarkesa të rënda nacionaliste e shoviniste është regjistruar konform ligjeve të Republikës së Kosovës dhe është certifikuar për zgjedhje... Nënkryetari i saj, Radojçiçi, ishte pjesë dhe drejtues i sulmit terrorist në Banjë. E thashë këtë pjesë të "historisë" së "Listës serbe" për të qenë në rregull me ata që e akuzojnë këtë parti për teprimet e saj nacionaliste, për terrorizmin e saj dhe si dorë e zgjatur e Serbisë shoviniste, e Serbisë që shpreh hapur pretendime territoriale ndaj Kosovës shqiptare...
Por, miqtë dhe lexuesit e mi të dashur, më lejoni të them, të konstatoj që "Lista Serbe" nuk është fajtore për gjendjen politike, sociale, ekonomike e të sigurisë në Republikën e Kosovës. Problemi i Kosovës janë partitë politike shqiptare dhe, në një shkallë bukur të lartë, mediet e "sponzorizuara" nga qarqe dhe vende antishqiptare. Problem i Kosovës, edhe i mbarë shoqërisë shqiptare, nuk është më pak islami politik dhe "frymëzuesit" e tij nga jashtë (i përkundur nga partitë politike) nga ajo botë, që nuk "korrespondon" me identitetin, qenien shqiptare...
Sidoqoftë, temë e këtij shkrimi është "Lista serbe" dhe partitë politike shqiptare, këtu po kufizohem kësaj here. Një vëzhguesi të paanshëm do t'i krijohejë përshtypja se "Lista serbe" po përdoret nga partitë politike shqiptare (ato parlamentare) për t'i mbuluar dhe fshehur dështimet e tyre po aq (në mos më shumë!) sa po përdoret nga Serbia!
Po të kishim parti politike shqiptare normale, me drejtues (udhëheqës) të zgjuar, me zotësi e shkathtësi intelektuale e politike "Lista serbe" në as një rrethanë e në as një situatë nuk do të bëhej "çështje" dhe as temë për debate e përplasje... Duke qenë parti të drejtuara nga kryetarë e kryesi të paafta, të korruptuara (shpesh të degjeneruara) ia imponuan Kosovës ato zgjidhje territoriale, administrative e kushtetuese që u bënë "mollë sherri", ia imponuan Kosovës edhe "Listën serbe"!! Nuk është pa mëkate edhe prania ndërkombëtare që këtu funksiononte me shumë shpejtësi, falë edhe partive politike shqiptare, krerëve ose bosëve të tyre më shumë matrapazë e tregtarë se politikanë e burrështetas!!
Këto parti politike shqiptare "Listën Serbe" e përdorën dhe po e përdorin herë si mollë sherri, për "kusuritje" me njëra - tjetrën dhe herë si gogol për t'i trembur shqiptarët!! Në të dyja rastet e kanë gabim dhe po i bëjnë shumë dëm Kosovës shqiptare, pozitës, sigurisë dhe stabilitetit të saj...
"Lista serbe", në raport me ligjet dhe me kushtetutën, është krejt e barabartë dhe e njëjtë me partitë tjera politike. Ajo është certifikuar për zgjedhje, njësoj si partitë tjera politike, dhe ka fituar 9 deputetë, që kanë atë "status" që kanë edhe deputetët tjerë... Kuvendi ka 100 deputetë shqiptarë e 10 deputetë serbë (një me dhjetë) dhe, kanë fytyrë të ngriten e ta bëjnë çështje të pakapërcyeshme, çështje për Gjykatën Kushtetuese "Listën serbe"!! E gjithë kjo lojë, sa e ulët, aq e shëmtuar, bëhet për t'i fshehur dështimet dhe pazotësitë e tyre për konstituimin e Kuvendit e për krijimin e Qeverisë para elektoratit të tyre dhe para popullit shqiptar!! Duan të fshehin paaftësinë e tyre (bosët e partive politike shqiptare) për të komunikuar dhe për t'u marrë vesh shqip me njëri - tjetrin...!!
Populli shqiptar në Kosovë, por edhe mbarë kombi shqiptar, duhet ta kuptojë (nëse ka shqiptarë që ende nuk e kanë kuptuar) se PROBLEMI i Kosovës shqiptare nuk është "Lista serbe", por partitë politike shqiptare, të cilat paaftësinë, degradimin dhe degjenerimin e tyre ia kanë injektuar dhe po ia injektojnë gjithë sistemit politik, kushtetues, zgjedhor, ekonomik, social, arsimor, shëndetësor...
Janë këto parti të degjeneruara politike e të korruptuara që janë pajtuar, pa asnjë minutë debat e përplasje, për sistemin zgjedhor me 10 vota (për zgjedhjet parlamentare)!! Një qytetar 10 vota!! Sistem zgjedhor unik në botë!! Amerikani, gjermani, francezi, anglezi, rusi, kinezi, indiani... e kanë një votë, kurse shqiptari në Kosovë 10 vota!! E gjithë kjo maskaradë është miratuar, pa asnjë kundërshtim(!), për t'i kontrolluar zgjedhjet dhe për t'i manipuluar rezultatet!! Turp e faqja e zezë! Si i ke partitë politike, ashtu do ta kesh sistemin zgjedhor! Si e ke sistemin zgjedhor, ashtu do ta kesh sistemin politik, qeverisjen dhe institucionet politike e shtetërore (të degjeneruara e të korruptuara)!
Sa debati e sa zhurma u bë e po bëhet për "Listën serbe"!! Kot fare ! As një fjalë s'i shpëtoi kujt prej goje për sistemin e degjeneruar e të korruptuar zgjedhor, thelbësor për jetën politike dhe institucionale! Por, me këtë brum (me këto parti) këtë bukë kemi!