13/12/2025
Haradinaj ju drejtohet profesorëve:
"Të nderuar profesorë,
Me nderimin më të lartë intelektual dhe qytetar, ju drejtohem për të kërkuar mbështetjen tuaj morale dhe profesionale në këtë proces elektoral, i cili përbën një moment strategjik për përcaktimin e orientimit të ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon të çojë përpara një program shtetformues, të mbështetur në konsolidimin e institucioneve, avancimin e sigurisë kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror e ekonomik. Politika e përgjegjshme duhet të orientohet nga dijet, profesionalizmi dhe bashkëpunimi i strukturuar me komunitetin akademik dhe intelektual.
Ashtu si arritëm të ndërtojmë kapacitete profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ne jemi të vendosur të avancojmë objektivin madhor të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si garanci e sigurisë së vendit dhe si afirmim i rolit të Kosovës në arkitekturën ndërkombëtare të mbrojtjes dhe paqes.
Intelektualët, studiuesit dhe profesorët universitarë mbeten faktor kyç në strukturimin e vizioneve shtetërore, edukimin e gjeneratave dhe artikulimin e politikave publike. AAK e konsideron investimin në kapacitetin akademik dhe profesional të vendit si parakusht të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, modernizimin institucional dhe forcimin e kulturës qytetare dhe demokratike.
Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ju shpreh mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm në formësimin e mendimit shkencor, ngritjen e cilësisë arsimore dhe shërbimin ndaj interesit publik të Kosovës."
Me respekt,
Ramush Haradinaj