04/11/2025
Më 30 tetor 2025, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), salla “Ismail Qemali”, do të mbahet Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), me temën bosht “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë– vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”.
Prof. Giuliana B. Prato, antropologe dhe profesore me reputacion ndërkombëtar nga Universiteti i Kentit, do të mbajë një Lectio Magistralis: “Shaping New Albanian Identities: From Arbëresh Diaspora to Contemporary Expatriates”.
Dr. Giuliana B. Prato është Profesoreshë e Nderuar e Antropologjisë Sociale në Universitetin e Kentit, Mbretëria e Bashkuar, Sekretare e Thesarit e International Urban Symposium – IUS, si dhe Anëtare Akademike e Akademisë Evropiane të Shkencave të Ukrainës.
Prof. Prato është formuar në fushën e Sociologjisë (Laurea cm laude, sistemi i vjetër universitar, Universiteti i Napolit Federico II, Itali) dhe në Antropologjinë Sociale (MSc dhe PhD, University College London, MB).
Ajo ka zhvilluar kërkime në Shqipëri, Angli, Francë dhe Itali, dhe ka botuar studime mbi ndryshimin politik, legjitimitetin, shtetësinë, qeverisjen, korrupsionin, pabarazitë, politikat socio-ekonomike, politikën transnacionale të emigracionit (përfshirë komunitetin arbëresh dhe migrimet bashkëkohore shqiptare drejt Italisë), pakicat gjuhësore, analizën krahasuese mbi “migrimet e reja” në Evropë dhe së fundmi, mbi kujdesin shëndetësor, politikat publike të shëndetit, si edhe implikimet etike e socio-ekonomike të teknologjive dixhitale dhe aplikimeve të inteligjencës artificiale në shëndetësi, arsim dhe qeverisje.
Prof. Prato ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Antropologjinë Urbane dhe si Drejtuese e Këshillit të Komisioneve në Ekzekutivin e IUAES. Ajo ka dhënë mësim dhe ka qenë ligjëruese e ftuar në universitete britanike, italiane dhe evropiane, përfshirë edhe në Shqipëri, si dhe ka mbajtur një numër të madh ligjëratash hapëse në konferenca ndërkombëtare ndërdisiplinore. Së bashku me kolegët, ajo bashkëdrejton Shkollën Fushore të Trajnimit të IUS me temë “Kërkimi Urban: Metodologji dhe Teori”, ku marrin pjesë studiues dhe profesionistë ndërkombëtarë nga fusha të ndryshme.
Prof. Prato ka botuar gjerësisht në anglisht dhe italisht. Një pjesë e punimeve të saj është përkthyer në gjuhën shqipe, kineze, frënge, gjermane, greke dhe ukrainase.
Ajo është bashkëthemeluese e revistës me akses të hapur URBANITIES – Journal of Urban Ethnography, bashkëredaktore e serisë Palgrave Studies in Urban Anthropology dhe bashkëredaktore e serisë Ashgate Urban Anthropology (tani Routledge).