29/10/2022
Durrës, transporti publik problematikë e vazhdueshme
Me mbarimin e sezonit turistik dhe fillimin e vitit shkollor e akademik, qyteti i Durrësit karakterizohet nga një intensitet i lartë lëvizjesh, këmbësorë që nxitojnë në ndjekje të rutinave të tyre, rradhë të gjata makinash, stacione autobuzi të mbipopulluara, ku qytetarët presin nën stresin e kohës dhe me shpresën që kur ky i fundit të mbërrijë, të kenë mundësinë të gjejnë një vend dhe të mos jenë të detyruar të presin autobuzin tjetër.
Shqetësimet në lidhje me transportin urban, janë pjesë e bisedave të përditshme të qytetarëve, ku më së shumti mbizotërojnë ankesat për mungesën e afishimit të orareve dhe frekuenca e ulët e lëvizjes së autobuzëve. Kushtet higjeno-sanitare lënë për të dëshiruar. Më tepër e vështirë bëhet për çdokënd që vjen nga qytete të tjera apo turistët e huaj, të cilët pa pyetur rreth e rrotull, nuk do të jenë në gjendje ta gjejnë vetë stacionin që u nevojitet, pasi jo vetëm që ato ekzistuese nuk e kanë të afishuar itinerarin, por në disa vendqëndrime autobuzësh, mungon dhe stacioni!
Këto konstatime janë bërë në terren dhe janë raportuar edhe nga vetë qytetarët në fokus grupet e realizuara nga CSDC Durrës në kuadër të Kontratës Sociale, nismë e rrjetit POP – Përballja e Ofertave Politike, ku përmirësimi i cilësisë së transportit publik ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet e komunitetit. Krahasuar dhe me përfundimet e nxjerra në raportin e monitorimit për Bashkinë Durrës nga Lëviz Albania në Tetor 2017, vërehet që nuk kjo çështje nuk ka ecuri progresive.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, janë të publikuara intervalet dhe numri i autobuzave të linjave për transportin qytetas urban. Megjithatë, nuk ka asnjë raport të publikuar nga ana e këtij institucioni për monitorimin e mbarëvajtjes së aktvitetit.
Në kërkesën për informacion drejtuar nga CSDC Durrës, lidhur me shqetësimet e mësipërme, Bashkia Durrës në përgjigjen e saj më datë 30.09.2022, është shprehur se nga ana e institucionit do të merren masa për zgjidhjen e kësaj problematike, duke njoftuar Ndërmarrjen Rruga (ndërmarrje në varësi të Bashkisë Durrës), për vendosjen e sinjalistikës“.
Me optimizmin për rezultate pozitive konkrete, qytetarët janë në pritje!
Shkrimi është prodhuar nga Jonida Markja, pjesëmarrëse në projektin “Youth RAP”, lehtësuar nga Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile Durrës si dhe Faktoje zbatuar nga organizata IREX Albania.