06/12/2025
Si u grabit floriri i Krrabës – Misteri i thesarit të shtetit dhe helikopterit që ulej natën
Në vitin e trazuar 1997, mes kaosit dhe rrëmujës që përfshiu gjithë Shqipërinë, ndodhi një nga ngjarjet më të errëta e më misterioze të historisë sonë moderne: zhdukja e floririt të Krrabës.
Tuneli i Thesarit – Sekreti i Shtetit
Grupi i ngarkuar për ruajtjen e thesarit të shtetit dhe tunelit të Krrabës e mori objektin në dorëzim me procesverbal më 27 shkurt 1997. Vetëm pesë ditë më vonë, më 2 mars, Kuvendi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Shqipëria ishte në prag të një lufte civile.
Më 13 mars, populli shpërtheu depot e armatimeve në të gjithë vendin. Po atë ditë, turma të zemëruara sulmuan edhe objektin e Krrabës – tunelin ku mbahej thesari i arit i shtetit shqiptar.
Rrëfimet e banorëve
Sipas banorëve të Krrabës, pranë tuneleve ndodheshin edhe zyrat e Ministrisë së Brendshme, ku ruheshin dokumente e arkiva. Ato u sulmuan të parat.
“Morën krevate, susta, gjithçka që gjenin. Aty kishin qenë mbi dyqind zyra, të gjitha me skemë metalike. I kam parë me sytë e mi,” – kujton Fiqeret Filja, banor i zonës.
Por çuditërisht, në ditën e sulmit, tuneli i thesarit ishte i pambrojtur.
“Aty vetëm një tunel nuk u hap. Ai ishte komplet i derdhur në plumb. Portat ishin aq të mëdha sa të futej një kamion brenda. Kishte çelës me numërator, duhej t’i bije kodit për ta hapur. Sekret i madh. Populli nuk mund ta hapte. Ai ishte tuneli i thesarit,” – shton Filja.
Banori tjetër, Skënder Sallaku, dëshmon:
“Ata morën florinj e ikën. Po i morën të tjerë, jo fshati. Fshati kishte frikë.”
Kush i mori arin?
Në dëshmitë e mbledhura, thuhet se sasia më e madhe e arit nuk është marrë nga populli, por nga persona me pushtet – njerëz që kishin akses për të hapur tunelin dhe për t’u larguar më pas pa lënë gjurmë.
“Tuneli është hapur nga dera kryesore, jo nga tavani. Kjo tregon se ata që e bënë kishin çelësat dhe dijen teknike,” – deklaron gazetari Artan Hoxha.
Në dosjet hetimore thuhet se në datën 13 mars 1997, kur vendi ishte nën gjendje të jashtëzakonshme, objekti “Lumi”, ku ruhej thesari, ishte pa asnjë roje. Tre ditë më vonë, një grup nga Ministria e Brendshme shkoi për kontroll. Ata konstatuan dëmtime në dyert e jashtme, por nuk hynë brenda për të bërë inventar. U mjaftuan me një vëzhgim sipërfaqësor dhe më pas vendosën mina në hyrje të tunelit – për ta mbyllur përfundimisht.
40 mijë monedha ari që u zhdukën pa gjurmë
Asnjëherë nuk u gjetën më. Asnjë procesverbal, asnjë dokument zyrtar nuk sqaroi fatin e tyre. Vetëm dyshime, heshtje dhe frikë.
Banorët tregojnë se disa muaj pas ngjarjes, në zonën e Krrabës u shfaq një helikopter që ngrihej dhe ulej shpesh në të njëjtin vend, përreth lumit.
“E kam parë me sytë e mi, jo njëherë, por shumë herë. Ulej dhe ngrihej disa herë në ditë, në orë të çuditshme. Zgjati rreth tre muaj, pastaj nuk u pa më,” – dëshmon sërish Fiqeret Filja.
Misteri që nuk u zbardh kurrë
Askush nuk e di çfarë bënte ky helikopter në atë vend, ndërkohë që zyrtarisht thesari nuk ishte shpallur ende i vjedhur. Nuk ka raportime zyrtare, as dëshmi të regjistruara nga autoritetet e asaj kohe.
Historia e floririt të Krrabës mbetet një nga enigma më të mëdha të shtetit shqiptar. Kush kishte çelësat e tunelit? Kush organizoi transportin? Dhe, mbi të gjitha — ku përfunduan 40 mijë monedhat e arit të popullit shqiptar?
Misteri vazhdon të mbetet i mbuluar nga heshtja, si vetë tuneli i Krrabës që ende ruan sekretet e arit të humbur.