Blogmedia

Blogmedia Blogmedia është platformë dixhitale që operon në shperndarjen e lajmeve dhe informacioneve të ndryshme, apo përmbajtjeve të tjera argëtuese.

“Elbasani 2030”: Propaganda e një qyteti klimatik apo e një qyteti nën smog?Aktiviteti i sotëm i ministres Albana Koçiu ...
14/04/2026

“Elbasani 2030”: Propaganda e një qyteti klimatik apo e një qyteti nën smog?

Aktiviteti i sotëm i ministres Albana Koçiu në Elbasan, nën sloganin “Elbasan(i) 2030 – Delivering the Climate City Contract”, u prezantua si një hap i rëndësishëm drejt së ardhmes për një qytet të zgjuar, klimatikisht neutral, pjesë e vizionit europian.

Ta lexosh në letër gjithçka duket perfekte, por duke u kthyer sot nga Tirana për në Elbasan, qyteti nuk të priste me “neutralitetin klimatik”, por me një perde të trashë smogu, ku horizonti ishte zhdukur. Një realitet që nuk ka nevojë për raporte shkencore, pasi mjafton të hapësh xhamat dhe të përpiqesh të marrësh frymë nën ajrin e rëndë që të shoqëron drejt e në qytet.

Përpara se të flasim për “qytetin klimatik”, duhet të përballemi me faktin se Elbasani mbetet një nga qytetet më të ndotura në Shqipëri dhe në rajon. Një qytet që prej më shumë se 35 vitesh pas komunizmit vazhdon të paguajë faturën e një modeli industrial të pakontrolluar dhe të një tranzicioni pa standarde mjedisore. Këtu pasojat janë konkrete:

1) Numri i të prekurve nga sëmundjet kancerogjene dhe patologjitë respiratore është i lartë dhe i vazhdueshëm ndër vite.
2) Jetëgjatësia në disa zona rezulton më e ulët se mesatarja kombëtare, një tregues që lidhet drejtpërdrejt me ndotjen dhe cilësinë e dobët të jetesës.
Këto nuk janë narrativa politike, por pasoja të një realiteti të akumuluar.
3) Elbasani është kthyer në simbol të dështimit të menaxhimit të mbetjeve: një mal plehrash që digjet periodikisht, duke çliruar toksina në ajër.
4) Një incenerator që ekziston në letra, por jo në funksion real. Dhe tani, në mungesë të një zgjidhjeje, flitet për transferimin e mbetjeve me kamionë drejt Tiranës pa asnjë transparencë institucionale për këtë proces.
Kjo e fundit nuk është politikë për zgjidhje mjedisore, por zhvendosje problemi. Tani kancerin do ia dërgojmë Tiranës, njësoj si në Napolin e viteve 2000 kur plehrat e qytetin zhvendoseshin nga nje zonë në një tjetër për të ulur çmimin e shpronësimeve për kantieret e reja.

Nga këndvështrimi i administrimit publik, kjo situatë është shembull klasik i dështimit të ciklit të politikave publike. Si ish-student i kësaj fushe, parimet për rastin konkret janë të qarta, pasi çdo politikë duhet të mbështetet në evidenca, të ketë objektiva të matshëm, transparencë në financim dhe llogaridhënie për rezultatet.

Në rastin e Elbasanit, kam disa pyetje per institucionet lokale:

1) Ku janë të dhënat e sakta dhe të përditësuara mbi ndotjen?
2) Ku janë objektivat konkretë dhe afatet për reduktimin e saj?
3) Ku është analiza "kosto–përfitim" për inceneratorin që nuk funksionon?
4) Kush mban përgjegjësi për këtë dështim?
5) Pse nuk informohet publiku për transferimin e mbetjeve?

Pa përgjigjet e këtyre pyetjeve, çdo forum, çdo slogan dhe çdo “vizion 2030” mbetet propagandë!

Një qytet nuk bëhet “i zgjuar” duke e quajtur të tillë. Bëhet kur zgjidh problemet bazë. Problemet me ajrin, ujin, mbetjet dhe shëndetin publik.

Elbasani sot nuk ka nevojë për etiketa europiane, por për oksigjen. Kontrasti mes sallës së konferencës dhe realitetit jashtë është brutal. Ndërkohë që ministrja brenda flet për klimën neutrale, jashtë qyteti mbytet në smog.

Pyetja e fundit që mbetet pezull është nëse po ndërtojmë një qytet për të jetuar, apo një fasadë tjetër, për ta raportuar në Bruksel?

AMENDAMENTI 25 DHE THIRRJET "NO MORE KINGS": Quo Vadis America?Debati për përdorimin e Amendamentit të 25-të ndaj Presid...
08/04/2026

AMENDAMENTI 25 DHE THIRRJET "NO MORE KINGS": Quo Vadis America?

Debati për përdorimin e Amendamentit të 25-të ndaj Presidentit Donald Trump nuk është thjesht një episod politik. Është një simptomë. Një tregues se sistemi amerikan po hyn në një zonë presioni ku mjetet e jashtëzakonshme fillojnë të përmenden si opsione reale.

Ndër të tjera, Amendamenti i 25-të nuk është armë politike, por një mekanizëm kushtetues për situata ekstreme, kur një President konsiderohet i paaftë për të ushtruar detyrën. Aktivizimi i tij kërkon një akt të brendshëm të vetë pushtetit ekzekutiv, një lëvizje që në praktikë është pothuajse e pamundur pa një krizë të hapur brenda administratës.

Megjithatë, fakti që sot përmendet publikisht nga senatorët demokratë nuk tregon se do të zbatohet, por se klima politike ka kaluar në një nivel tjetër. Në një pikë ku kundërshtari nuk shihet më si rival, por si rrezik.

Në anën tjetër, është ngritur reagimi qytetar me thirrjet “No More Kings!”, i cili është po aq domethënës, si reflektim i popullit kundrejt elitave, duke refuzuar çdo formë përqendrimi të pushtetit në një individ. Është kujtesë historike që vjen nga vetë ADN-ja e republikës, se Amerika u ndërtua pikërisht kundër idesë së mbretit.

Pra, Amerika po përballet me dy linja paralele: një elitë politike që përplaset në kufijtë e Kushtetutës dhe një publik që rikthen parimet bazë në rrugë.
Por a duhet të themi se është fundi i demokracisë amerikane? Jo. Kjo është një provë e saj. Dhe SHBA-të nuk rrezikojnë të bien nga një amendament apo nga një protestë. Rreziku real është më i heshtur, dhe ka të bëjë me delegjitimimin e vazhdueshëm të institucioneve, konsumimin e besimit publik dhe polarizimin ekstrem që e bën çdo vendim një betejë ekzistenciale.
Ndryshe mund të themi se kur çdo mjet kushtetues shihet si armë politike dhe çdo protestë si rebelim, atëherë sistemi fillon të lodhet.

Përpos këtyre lëvizjeve, kjo histori ka edhe një anë tjetër medaljeje:

Fakti që flitet për Amendamentin e 25-të, që protestohet hapur në rrugë, që Presidenti kritikohet publikisht pa censurë, janë tregues se demokracia funksionon akoma. Dhe natyrisht një sistem që lejon përplasje të tilla, është një sistem që nuk është dorëzuar.

Në fund, beteja nuk është mes demokratëve dhe republikanëve, por mes një ideje të vjetër amerikane për pushtet të kufizuar dhe tundimit modern për ta përqendruar atë. Dhe në këtë betejë, slogani “No More Kings” nuk është thjesht protestë. Është një paralajmërim.

Në një botë gjithnjë e më të ndarë, ku zëri i arsyes shpesh mbytej nga zhurma e interesave, u shfaq një figurë që e bëri...
05/04/2026

Në një botë gjithnjë e më të ndarë, ku zëri i arsyes shpesh mbytej nga zhurma e interesave, u shfaq një figurë që e bëri botën të ndalej për një çast dhe të dëgjonte. Papa Françesku, i njohur ndryshe edhe si "Papa i popullit", nuk ishte vetëm kreu i Kishës Katolike, por një udhëheqës shpirtëror i epokës sonë, i cili zgjodhi rrugën e thjeshtësisë dhe përulësisë, përkundër madhështisë që shpesh shoqëronte pozitat e larta.

Që nga momenti kur doli për herë të parë në ballkonin e Vatikanit si Papë, ai e nisi me një përshëndetje të zakonshme, “Mirëmbrëma,” dhe e uli kokën për të kërkuar bekimin e popullit. Në atë çast, u kuptua se përballë kishim një njeri që nuk vinte për të mbretëruar, por për të shërbyer. Një Papë që nuk e pa Kishën si një kala të mbyllur, por si një urë të hapur për të gjithë, besimtarë e jobesimtarë, të pasur e të varfër, konservatorë e progresistë.

Papa Françesku foli me gjuhën e ndjeshmërisë dhe të drejtësisë sociale. Ai kujtoi vazhdimisht se feja pa mëshirë ishte e thatë, se doktrina pa dashuri ishte bosh. Ai nuk ngurroi të fliste hapur për nevojën për të mbrojtur të varfrit, emigrantët, planetin tonë, duke sfiduar të gjithë, nga liderët politikë te qytetarët e zakonshëm, që të mos harronin njerëzimin e tyre në garën e përditshme për pushtet dhe pasuri.

Por më shumë se çdo fjalim apo enciklikë, ishte shembulli i tij ai që frymëzoi: jetoi në një apartament të thjeshtë, udhëtoi me makinë të zakonshme, hapi dyert e Vatikanit për ata që nuk kishin zë, për ata që ishin lënë në harresë. Dhe në këtë mënyrë, e ktheu Kishën në një strehë shprese, jo në një fortesë gjykimi.

Papa i popullit nuk ishte thjesht një titull. Ishte një mënyrë jetese. Një thirrje për t’u kthyer te rrënjët e besimit dhe njerëzores. Ai kujtoi se autoriteti i vërtetë nuk vinte nga froni, por nga përulësia. Jo nga dominimi, por nga shërbimi.

Në kohëra të turbullta, zëri i tij ishte si një fener në errësirë. Dhe ndoshta, më shumë se kurrë, kishim nevojë për udhëheqës që flisnin më shumë me veprimet se me fjalët. Ashtu si Papa Françesku. Ashtu si Papa i popullit.
..

Prospera Pascha sit! 🙏🏻🕊️

Me një përgjigje të qartë, të thatë, e të padiskutueshme, Italia i tha "JO" një reforme që cënon ekuilibrat e drejtësisë...
23/03/2026

Me një përgjigje të qartë, të thatë, e të padiskutueshme, Italia i tha "JO" një reforme që cënon ekuilibrat e drejtësisë, "JO" një projekti që tenton ta përkulë sistemin përballë pushtetit. Dhe kjo “JO” është një shuplakë për çdo model populist që e sheh drejtësinë si instrument, dhe jo si pushtet të pavarur.

Thelbi është që drejtësia ose kontrollon pushtetin, ose kontrollohet prej tij. Nuk ka rrugë të mesme, apo kompromis.

Dhe ndërsa në Itali, qytetarët zgjodhën të mos dorëzojnë një institucion kyç në duart e politikës, duke mbrojtur një sistem (edhe pse me të metat e tij), përballë tundimit për ta “rregulluar” sipas interesit të ditës, në Shqipëri, "Reforma në Drejtësi" nisi si premtim historik: Si ndarje nga e shkuara, si një shans për të ndërtuar një sistem që nuk i nënshtrohet askujt, por që sot, kemi një realitet të deformuar. Kemi një drejtësi që lëkundet mes presionit politik, selektivitetit dhe perceptimit publik të kapjes.
Institucionet që duhej të ishin të forta, janë bërë të diskutueshme, kurse hetimet që duhej të ishin të paanshme, shpesh duken të orientuara. Dhe mbi të gjitha, besimi që është elementi themelor i çdo sistemi drejtësie, është konsumuar.
Ndërkohë, retorika e pushtetit në Shqipëri i afrohet gjithnjë e më shumë modelit që Italia refuzoi, një diskursi që delegjitimon drejtësinë kur ajo afrohet te pushteti, që e sulmon kur nuk e kontrollon, dhe që e përdor kur i shërben.

Ndër të tjera, Italia tha “JO”, për të mbrojtur kufirin mes populizmit dhe demokracisë, ndërsa Shqipëria rrezikon të mos ketë demokraci fare. Pasi atje qytetarët vendosën kufij ndaj pushtetit, ndersa
këtu pushteti vendos kufij ndaj drejtësisë dhe të drejtave të qytetarëve.

Nuk është thjesht krahasim mes dy vendeve. Është pasqyrë e dy rrugëve: njëra që mbron institucionet e pavarura, tjetra që i deformon ato. “JO”-ja italiane është një fitore e heshtur, por e fortë. Është një kujtesë se demokracia nuk është vetëm votë për dikë, por është votë kundër abuzimit.

Në Shqipëri, beteja për demokracinë është bërë gjithmonë e më e vështirë. Sepse kur drejtësia fillon të duket si zgjatim i pushtetit, vetë demokracia nis të rrëzohet ngadalë. Dhe pikërisht këtu, MES BOSHLLËKUT DHE ILUZIONIT, LIND AUTOKRACIA.

Nëse është e vërtetë që Qeveria Shqiptare ka shpallur “non grata” Donika Gërvallën për një reagim politik, atëherë kemi ...
21/03/2026

Nëse është e vërtetë që Qeveria Shqiptare ka shpallur “non grata” Donika Gërvallën për një reagim politik, atëherë kemi një problem serioz me vetë demokracinë në këtë vend.

“Non grata” nuk është mjet për të ndëshkuar fjalën. Është instrument ekstrem, që përdoret për rrethana të jashtëzakonshme. Dhe që të përdoret për një qëndrim publik do të thotë të barazosh kritikën me kërcënimin.

Debati për letrën e Kryeministrit Rama ndaj Aleksandër Vuçiçit është politik. Dhe politika përballohet me argumente, jo me përjashtime.
Nëse ky standard pranohet, nesër çdo zë kritik mund të shpallet i padëshiruar. Kjo nuk është praktikë europiane. Është sinjal alarmi që demokracia ka rrëshkitur drejt autokracisë dhe narcizmit të një individi.

Marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë nuk përballojnë vendime emocionale. Ato kërkojnë maturi, transparencë dhe respekt për mendimin ndryshe.

Në momentin që një qeveri fillon të ndëshkojë fjalën, problemi nuk është më kush foli, por kush nuk pranon të dëgjojë.

EDI RAMA FIRMOSI “VETËVRASJEN” E TIJ POLITIKEKa momente në jetën e një pushteti kur ai nuk rrëzohet nga opozita, as nga ...
13/03/2026

EDI RAMA FIRMOSI “VETËVRASJEN” E TIJ POLITIKE

Ka momente në jetën e një pushteti kur ai nuk rrëzohet nga opozita, as nga protestat, as nga zgjedhjet. Rrëzohet nga vetja, nga arroganca, nga paniku dhe nga frika e drejtësisë. Dita e djeshme në Parlament ishte pikërisht një nga ato momente. Një nga ato çaste kur pushteti zhvishet nga çdo maskë dhe tregon fytyrën e vërtetë të sistemit që ka ngritur për vite me radhë.

Votimi i klikës parlamentare për të bllokuar kërkesën e SPAK lidhur me heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut nuk ishte një akt parlamentar. Ishte një akt mbrojtjeje mafioze. Një legjitimim i "Omerta-s", i ngritur me vota për të ndaluar drejtësinë të hyjë aty ku dyshohet se ka korrupsion të nivelit më të lartë. Deputetët e shumicës nuk votuan si përfaqësues të qytetarëve, por si roje të një sistemi që mbron veten. Ndërsa mesazhi që ata i dhanë popullit ishte se kur drejtësia afrohet shumë pranë pushtetit, ata janë të gatshëm t'i mbyllin dyert me çdo kusht, edhe duke u "vetëflijuar".

Por ajo që ndodhi menjëherë më pas, e bëri situatën edhe më të rëndë për qeverinë. Ambasadat kryesore në Tiranë reaguan, duke kujtuar diçka që në fakt nuk duhet kujtuar, por që duhet të jetë parim: Lufta kundër korrupsionit është kusht themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian!
Me fjalë të tjera, ajo që ndodhi në Parlament nuk është vetëm një problem i brendshëm politik. Është një sinjal alarmi për rrugën europiane të vendit.
Ashtu sikurse, akoma më domethënëse ishte fjalia e Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila në platformën X shkroi shkurt dhe prerë:
“No Trojan Horses. We need to put the right safeguard in place.”

Një paralajmërim diplomatik, por i lexueshëm për këdo që di të lexojë mes rreshtave, se Europa nuk do kuaj Troje në procesin e integrimit. Nuk do mekanizma që mbrojnë korrupsionin duke përdorur institucionet. Dhe pikërisht në këtë moment presioni, Kryeministri Rama zgjodhi strategjinë më të rrezikshme politike që mund të zgjidhte (sulmin frontal ndaj drejtësisë).

Prej ditësh ai ka nisur një ofensivë të hapur kundër SPAK, duke deklaruar publikisht se Shqipëria është pa prokurori. Është një deklaratë e rëndë, sepse nuk është thjesht një kritikë ndaj një institucioni. Është një delegjitimim i gjithë sistemit të drejtësisë që vetë qeveria e tij e ka sh*tur për vite si “reforma historike”. Por në thelb është një mesazh i thjeshtë, se drejtësia është e mirë vetëm kur nuk prek pushtetin.

Megjithatë, sot kryeministri shkoi edhe më tej. Në një akt të paprecedentë për një vend që pretendon të jetë demokraci europiane, ai sulmoi dhe përjashtoi nga konferencat e tij për shtyp gazetaren Ambrozia Meta, vetëm sepse bëri pyetje që pushtetit nuk i pëlqen.

Ky nuk është debat siç pretendon Rama. Është ndëshkim i medias. Dhe nuk është rastësi që objektivi ishte një gazetare e Syri TV, televizionit që sot për sot mbetet i vetmi kanal opozitar që nuk është përkulur përballë presioneve të pushtetit. Një media që prej kohësh është nën sulm të vazhdueshëm, si me dhunë verbale nga qeveria, presione politike, kontrolle të institucioneve të drejtuara nga njerëz të pushtetit, por edhe me tentativa të vazhdueshme për ta frikësuar atë.

Në këtë rast, kur pushteti përjashton gazetarët që bëjnë pyetje, ai nuk lufton median, por lirinë e një vendi.
Dhe kur pushteti bllokon drejtësinë për të mbrojtur njerëzit e tij, ai nuk mbron një individ, por mbron një sistem.

Të gjitha këto zhvillime, si vota për të mbrojtur një ministre nga hetimi, paralajmërimet e partnerëve ndërkombëtarë, sulmet ndaj SPAK dhe goditja ndaj medias, nuk janë episode të veçuara. Janë pjesë e të njëjtës histori: të një pushteti që ndjen se toka po i rrëshqet nën këmbë dhe reagon me arrogancë, frikë dhe agresivitet.

Historia politike ka treguar diçka shumë të thjeshtë, që kur një qeveri fillon të luftojë drejtësinë dhe të mbyllë gojën e gazetarëve, ajo ka hyrë në fazën e fundit të pushtetit të saj. Sepse në atë moment nuk po qeveris më. Po mbijeton.
Dhe ndoshta, pa e kuptuar ende, me çdo sulm ndaj drejtësisë dhe çdo përjashtim ndaj medias, Edi Rama sapo ka hedhur firmën mbi aktin e fundit të karrierës së tij politike.

Një firmë që në histori do të lexohet thjesht kështu:

EDI RAMA,
VETËVRASJA IME POLITIKE
..

Address

Lagja "Kongresi I Elbasanit", Bulevardi Aqif Pasha, Pallati 45
Elbasan
3001

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Blogmedia posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share