03/08/2025
Shtrenjtohen pushimet, rriten shpenzimet për ushqime dhe transport, sfidë pastërtia në bregdet
Shpenzimet ditore për ushqime, transport dhe aktivitete gjatë pushimeve verore janë rritur ndjeshëm, duke vënë në vështirësi familjet me buxhete të kufizuara.
Problematika e pastërtisë dhe infrastruktura e dobët mbeten shqetësime kryesore për turistët.
Në sezonin turistik veror, shpenzimet e përditshme të pushuesve ndryshojnë shumë në varësi të buxhetit që ata kanë planifikuar. Ata me buxhet më të kufizuar preferojnë të zgjedhin alternativa më ekonomike, si gatimi në apartamente me kushte të përshtatshme, përdorimi i plazheve publike apo ato me tarifa më të ulëta, si dhe shmangien e aktiviteteve shtesë që ngarkojnë më shumë xhepin, përfshirë vizitat në muze apo ture me anije.
Nga ana tjetër, ata me mundësi financiare më të mira zgjedhin hotele dhe konsumojnë jashtë shtëpisë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në evente kulturore dhe sociale gjatë pushimeve. Ky model përkon me një nivel më të lartë shpenzimesh ditore.
Sipas sondazhit të revistës “Monitor” me 266 të anketuar përmes aplikacionit ECR (Engaged Citizens Reporting), 52% e tyre parashikojnë shpenzime ditore për aktivitete jashtë akomodimit midis 50 dhe 100 eurove. Një pjesë prej 28% pret të shpenzojë më pak se 50 euro në ditë, ndërsa 15% shpresojnë të kenë një buxhet midis 100 dhe 200 eurove. Vetëm pak më shumë se 5% parashikojnë shpenzime më të larta, mbi 200 euro në ditë.
Krahasuar me një vit më parë, shihet një rritje e numrit të atyre që presin shpenzime ditore në rangun 50-100 euro, ndërsa ata me buxhet më të ulët janë pakësuar.
Sa i përket buxhetit total të pushimeve, shumica e të anketuarve (37%) planifikojnë një shpenzim mes 500 dhe 1000 euro, ndërkohë që 23% synojnë një buxhet më të madh, nga 1000 deri në 2000 euro. Një pjesë më e vogël (8%) synon shpenzime deri në 2500 euro.
Në përgjithësi, përvoja e pushimeve verore është konsideruar pozitive. Rreth 64% e të anketuarve u shprehën të kënaqur ose shumë të kënaqur me pushimet e fundit, ndërsa një pakicë prej 6% i vlerësuan ato si jo të kënaqshme.
Megjithatë, një nga problemet më të mëdha që po rëndon përvojën e pushuesve janë çmimet e larta të shërbimeve dhe produkteve turistike, të cilat sipas gjysmës së të anketuarve janë sfida kryesore.
Një tjetër shqetësim i theksuar në sondazh është infrastruktura e pamjaftueshme, që pason me cilësinë jo të mirë të shërbimit, mungesën e informacionit për turistët, çështje sigurie dhe vështirësi në komunikim për shkak të barrierave gjuhësore.
Problemet me zhurmën e madhe dhe mbetjet në plazhe janë gjithashtu shqetësime të përbashkëta që përcillen nga komentet e turistëve, përfshirë edhe ato të huaj në rrjetet sociale. Shumë prej tyre ankohen për ndotjen akustike dhe mungesën e pastërtisë në zonat bregdetare.
Pushuesit vendas përjetojnë sfida të ngjashme, me problemet kryesore të renditura të jenë mbipopullimi në plazhe, muzika e zhurmshme, ndotja dhe abuzimet nga subjektet që shfrytëzojnë bregun, sidomos në çështjen e çmimeve.
Trafiku është një problem i përhershëm në zonat bregdetare, sidomos gjatë fundjavave, megjithëse këtë vit ka pasur përmirësime në disa segmente rrugësh.
Në zgjedhjen e destinacionit të pushimeve, kostoja mbetet kriteri më i rëndësishëm për shumicën e turistëve, sipas 104 të anketuarve. Pas saj renditen afërsia me atraksionet kulturore dhe natyrore, që po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi si faktorë zgjedhjeje.
Siguria, klima dhe lehtësitë për familjet me fëmijë janë gjithashtu elementë thelbësorë që ndikojnë në vendimin për destinacionin e pushimeve.
Sondazhi tregon se 78% e të anketuarve do t’u rekomandonin të tjerëve destinacionin ku pushuan së fundmi, duke dëshmuar një nivel të lartë kënaqësie.
Sa i përket frekuencës së udhëtimeve, 35% e shqiptarëve bëjnë 3 deri në 5 udhëtime në vit, ndërsa 40% udhëtojnë 1-2 herë, brenda dhe jashtë vendit.
Në grupin e udhëtarëve më aktivë, 12% kryejnë 6-10 udhëtime në vit, ndërsa 4% kanë bërë më shumë se 10 udhëtime gjatë 12 muajve të fundit.
Një pjesë prej 8% e të anketuarve nuk kanë udhëtuar asnjëherë gjatë vitit të kaluar.
Në lidhje me masat për përmirësimin e turizmit, të pyeturit sugjerojnë që shteti duhet të mbrojë më shumë interesat e banorëve vendas dhe të ndalojë praktikat abuzive që ndikojnë negativisht në jetën e tyre.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre theksojnë nevojën për kufizimin e rritjes së çmimeve, duke përmendur protesta kundër turizmit masiv në vende të tjera europiane si model për t’u ndjekur.
Të tjerë kërkojnë masa për të luftuar bllokimin e qarkullimit nga parkimet para lokaleve dhe hoteleve, si dhe për të ndëshkuar operatorët që pengojnë konsumimin e produkteve të marra me vete në zonat bregdetare.
Rekomandime të tjera përfshijnë zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, përmirësimin e infrastrukturës dhe edukimin e brezit të ri për ruajtjen e mjedisit.
Këto masa synojnë të balancojnë zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e komuniteteve lokale dhe ambientit natyror, duke garantuar një turizëm cilësor dhe të përgjegjshëm.