28/08/2026
U zhvillua ceremoni solemne në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për t’i dhënë lamtumirën akademikut Mark Tirta.
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u organizua ceremonia solemne për t’i dhënë lamtumirën në emër të gjithë botës akademike shqiptare akademikut emeritues Mark Tirta.
Të pranishëm ishin zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil Tole, sekretarja shkencore, akad. Anila Hoda, anëtarë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, familjarë, miq dhe bashkëpuntorë të të ndjerit.
Ceremonia u hap me fjalën e sekretares shkencore, akad. Anila Hoda, e cila ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në nderim të kujtimit të akademikut të shquar.
Në fjalën hapëse akad. Hoda u shpreh se në këtë moment të dhimbshëm pjesëmarrësit janë mbledhur për të zhvilluar ceremoninë solemne të përcjelljes dhe për të nderuar jetën, veprën e kujtimin e akademik Mark Tirtës, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare. Ajo theksoi se kjo ceremoni zhvillohet në përputhje me rregulloren për ceremonitë zyrtare të Akademisë së Shkencave për të shprehur mirënjohjen ndaj kontributit të tij të jashtëzakonshëm, duke shtuar se për më shumë se gjashtë dekada akademik Tirta ia kushtoi jetën kërkimit, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve nëpërmjet ekspeditave dhe kërkimit në terren.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil Tole, vlerësoi lart figurën e akademikut Tirta. Ai u shpreh se, përveçse etnolog, akad. Mark Tirta ishte mbledhës, dokumentues dhe interpretues i trashëgimisë, njeriu i bibliotekave dhe i terrenit që i dha kujtesë shkencore një pjese të madhe të trashëgimisë që rrezikonte të humbiste. Ai ka lënë gjurmë të thella në studimet e etnosit shqiptar, nga rrënjët deri te mitet dhe ritet, duke e parë kulturën popullore jo si relike, por si kujtesë të gjallë të shoqërisë.
Akad. Tole në fjalën e tij vuri në dukje se vepra e tij shquhet për përpjekjen jo vetëm për të regjistruar, por edhe për të kuptuar thellësisht zakonet, besimet dhe mënyrën e jetuarit, duke punuar me dhembshuri dhe dashuri për të shpëtuar trashëgiminë nga rreziku i urbanizimit të shpejtë.
Ai shtoi se puna e tij mbart një përparësi të veçantë, të dëgjojë përpara se zëri të shuhet, të regjistrojë para se kujtimi të venitet dhe të interpretojë para se dukuritë të bëhen të pakuptueshme.
Përtej kontributit shkencor, akademik Mark Tirta do të mbahet mend si intelektuali që ndërtoi autoritetin përmes punës, njeriu që pas çdo të dhëne etnologjike shihte një njeri, familje dhe histori, si dhe pedagogu që përcolli dijen te brezat e rinj.
Kryetari i Komisionit të Përhershëm të Antropologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, z. Artan Shkreli, në fjalën e tij në nderim të ndarjes nga jeta të akademik Mark Tirtës, theksoi se ka qenë një personazh i jashtëzakonshëm dhe i njohur gjerësisht, qoftë përmes shkrimeve të tij, qoftë nga studimet e bëra në terren në malësitë e Veriut të Shqipërisë dhe Kosovës. Ai vlerësoi se Tirta studioi një kulturë materiale unike që i përkiste ilirëve të veriut dhe zonave keltike, duke hapur një faqe të re e të paeksploruar në antropologji dhe disiplina kufitare me kurreshtje dhe skrupolozitet të lartë.
Më tej, z. Shkreli u ndal te sfidat e promovimit dhe transmetimit të kësaj pasurie shkencore, duke vënë në dukje se, pavarësisht kontributit të tij të madh, vepra e Markut mungon në internet dhe kërkon kërkime të thella në biblioteka, ndërsa theksoi se misioni i Akademisë është pikërisht përcjellja e dijes dhe kuptueshmërisë te njerëzit e zakonshëm.
Drejtori i Institutit të Antropologjisë, prof. asoc. dr. Olsi Lekaj, theksoi se akademik Mark Tirta ishte një nga personalitetet më të shquara të etnografisë dhe albanologjisë shqiptare, si dhe pionier në studimin e traditave, mitologjisë dhe besimeve popullore edhe në periudha ideologjikisht të pafavorshme.
Në vijim të homazheve prof. dr. Perikli Qirjazi solli në vëmendje peshën e pazëvendësueshme të trashëgimisë shkencore të lënë nga studiuesi, duke u shpreh se vepra e tij mbetet një kontribut i pazëvendësueshëm që ndihmon shqiptarët të njohin rrënjët dhe trashëgiminë e tyre shpirtërore.
Në mbyllje ai u shpreh se kontributi i tij nuk shuhet me vdekjen, por jeton përgjithmonë në libra, arkiva, institucione kërkimore dhe në kujtesën e atyre që ai orientoi.
Në vijim, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Gëzim Hoxha, mbajti fjalën e lamtumirës në emër të seksionit, duke e vlerësuar atë si një formues brezash përmes tekstit universitar "Etnologjia e përgjithshme" dhe kontributit të tij në muzeologji, projekte ndërkombëtare e bashkëpunimin me UNESCO-n. Ai e cilësoi anëtarësimin e tij në Akademi në vitin 2008 si një vlerësim të merituar për një jetë kushtuar dijes.
Sot, ndërsa përcjellim akademik Mark Tirtën në banesën e fundit, ndjejmë jo vetëm dhimbjen e thellë të humbjes, por mbi të gjitha krenarinë e madhe që shkenca shqiptare pati në gjirin e saj një personalitet të këtyre përmasave. Veprat e tij do të vazhdojnë të jenë përherë burim i pashtershëm frymëzimi, ku do të jetojë përgjithmonë mendimi i tij shkencor dhe dashuria e tij e pashtershme për kulturën shqiptare, u shpreh akad. Hoxha.
Në emër të familjes, vajza e të ndjerit shprehu mirënjohjen e saj për Akademinë e Shkencave, duke sjellë në vëmendje dy dimensionet e ndritura të babait të saj, përkushtimin e jashtëzakonshëm si studiues dhe model i pazëvendësueshëm për brezat, dhe ngrohtësinë si njeri familjar, trashëgimi krenarie që fëmijët dhe nipërit do ta vazhdojnë me të njëjtin pasion.