15/11/2025
DUVAKU në traditën shqiptare dhe evoluimi në vello!...
Ndër elementet më të spikatura të trashëgimisë etnografike shqiptare është veshja e nuses. Ajo zë një vend të veçantë si shprehje e botës shpirtërore, estetike dhe morale të shoqërisë tradicionale.
Në veshjen e nuses, bën pjesë edhe duvaku, (mbulesa e kokës apo e fytyrës) që përfaqëson një simbol të lashtë e shumëkuptimshëm, që lidhet ngushtë me rite, besime e kode nderi.
Në disa raste, veçanarisht në vitet e komunizmit (1944-1990), vënja e duvakut u ndalua dhe u trajtuar si një mbeturinë patriarkale, me ndikim fetarë, apo zakonor…
Ka disa vite qe sipas mundësive, jam marrë me historinë dhe etnokulturën, kryesisht të Shqipërisë së veriut, në menyrë të veçantë me etnokulturën në Mirditë. Gjatë kësaj kohe kam konstatuar edhe trajtime e vështrime të gabuara.
Më poshtë po parashtroj disa çeshtje që bazohen në studimet e kryera më parë nga etnokulturologë shqiptar, por edhe në veshtrimet direkte dhjetra vjeçare nga ana ime. Fatmirsisht Shqipëria ka një plejadë të shkëlqyer etnografësh që janë marrë me veshjet popullore si; -Andromaqi Gjergji, figura më e rëndësishme në studimin e veshjeve shqiptare, autorja e librave themelorë si; “Veshjet popullore shqiptare në shekuj” dhe “Veshjet e grave në Shqipëri”; -Rrok Zojzi, themelues i etnografisë shkencore shqiptare i cili ka bërë hulumtime të hershme për veshjet popullore dhe për mënyrën si lidhen me strukturën shoqërore dhe ekonomike; -Margarita P**o, e cila ka studiuar veshjet e zonave të jugut dhe ndryshimet midis veshjeve qytetare dhe fshatare. Ajo ka kontribuar në ekspozitat e Muzeut Etnografik Kombëtar dhe në katalogë dokumentues; -Afërdita Onuzi, e cila ka botuar disa studime mbi veshjet e grave në Shqipërinë e Mesme dhe Jugore dhe ka analizuar elementet simbolike dhe të trashëgimisë kulturore, sidomos në raport me ritet si “dasma” dhe “lindja”; -Niko Kotherja, që ka punuar për veshjet e krahinave veriore, veçanërisht të Mirditës dhe Pukës. Ai është një ndër studiuesit që ka lidhur veshjen me traditën e armëve, punimit të lesh*t dhe zbukurimeve metalike; -Mimoza Ndreca, si përfaqësuese e brezit më të ri të etnologëve që ka kryer studime mbi trashëgiminë e kostumit popullor si pjesë e identitetit kombëtar dhe mënyrën si përshtatet sot në turizëm e kulturë; -Zamira Kita, Afërdita Basha, Shpresa Gjongecaj, Donika Boçi që kanë kontribuar në katalogët e muzeve etnografikë dhe me botime mbi veshjet popullore të Kosovës dhe të trevave shqiptare në Maqedoni dhe janë marrë me evoluimin historik të veshjeve në bazë të gjetjeve arkeologjike dhe ikonografike, sidomos për periudhën e antikitetit dhe mesjetës së hershme etj.
Këta studiuese i kanë kushtuar vëmendje të veçantë edhe studimeve për duvakun, duke e përshkruar si një pjesë të pandarë të identitetit kulturor të gruas shqiptare.
Origjina dhe funksioni simbolik.
Duvaku është një element që, ndonëse është i lidhur kryesisht me kulturën lindore, në të vërtetë ka një historik shumë më të lashtë e ndërkulturor, që përfshin edhe Evropën para Mesjetës, madje para-ilirik dhe para-romak.
Në Mesopotami dhe Persi, burimet më të hershme përmendin duvakun (“mbulesën e nuses”) që në mijëvjeçarin e dytë p.e.s.. Ligjet e Hamurabit (rreth 1750 p.e.s.) kërkonin që nusja të vishej me “perde mbi fytyrë” si shenjë nderimi dhe përkatësie ligjore.
Në Greqinë e lashtë: nusja mbulohej me një vello të artë ose të kuqe (kredemnon apo kalluptra), që i hiqej nga dhëndri në mbrëmjen e dasmës. Kjo praktikë është dokumentuar nga shek. VIII p.e.s. dhe konsiderohej pjesë e riteve të “kalimit” në martesë.
Në Romën e lashtë: nusja vishte flammeum, një vello ngjyrë zjarri, simbol i dritës e pjellorisë. Kjo është ndoshta forma më e afërt me duvakun evropian të mëvonshëm.
Pra, ideja e mbulesës së nuses është shumë parësore ndaj ndikimeve lindore ose islame.
Në Itali dhe Francë: përdorimi i duvakut (“velo della sposa”) është i dokumentuar që nga shek. XIII, si pjesë e cermonisë fetare në kishë.
Në Angli: në shek. XIX, mbretëresha Viktoria e bëri të modës vellon e bardhë, e cila u përhap në gjithë Evropën si simbol i pastërtisë.
Në Ballkan: (Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Bullgaria dhe Greqia) duvaku ka pasur forma të ngjashme me duvakun në Shqipëri, shpesh të quajtura “pokrivalo”, “velo”, “zastor” etj.etj.
Pra, duvaku ose velloja e nuses është një zakon që gjendet në të gjitha kulturat evropiane e aziatike, me ndryshime në ngjyrë, formë dhe me domethënie fetare apo etnike.
Duvaku në Shqipëri.
Në Shqipëri, përdorimi i duvakut është i lashtë dhe i përgjithshëm, por ka ruajtur më gjatë formën tradicionale në veri, sidomos në Mirditë, Dukagjin, Pukë, Malësi të Madhe, Lezhë e deri në Kosovë.
Në këto zona, nuses i vendosej duvak i kuq ose i bardhë , të çendisur me simbole mbrojtëse (shqiponjë, diell, yll, gjarpër, kryq).
Në traditën popullore, duvaku nuk është vetëm zbukurim, por shenja e kalimit nga vajzëria në martesë. Në momentin kur nusja mbulohej me duvak, ajo “fshihej” përpara syve të të tjerëve si shenjë modestie, virgjërie dhe nderi. Ky akt përbënte një ritual të rëndësishëm, shpesh të shoqëruar me këngë e rite të veçanta, që shënonin ndarjen nga shtëpia e prindërve dhe hyrjen në jetën e re familjare. Sipas Andromaqi Gjergjit, duvaku “është mbulesë nderi, që shpreh pastërtinë shpirtërore të vajzës dhe respektin ndaj traditës”.
Në disa krahina besohej se duvaku kishte edhe fuqi mbrojtëse, duke e ruajtur nusen nga syri i keq ose ndikimet e liga në ditën e dasmës.
Variacionet krahinore në Shqipëri.
Forma dhe ngjyra e duvakut në Shqipëri kanë ndryshuar nga një trevë në tjetrën, duke pasqyruar edhe veçoritë shoqërore e kulturore të secilës zonë.
Në Shqipërinë e Veriut, duvaku ishte zakonisht i kuq apo i purpurt, shpesh prej leshi ose mëndafshi, ku mbulonte fytyrën e nuses gjatë ceremonisë.
Në Mirditë, duvaku kishte një veçanti të rrallë: në të çendisej një shqiponjë, simbol i lirisë dhe fisnikërisë. Ky detaj nuk është rastësor. Ai dëshmon se nusja, duke u mbuluar me duvak, futej në një rend të ri jetësor, por gjithmonë nën hijen e krenarisë shqiptare. Shqiponja mbi duvak ishte mburojë, bekim dhe kujtesë e origjinës arbënore.
Duvaku i nuses mirditore në disa raste ishte edhe i bardhë i çendisur me një diell ose yll, motive këto që mishëronin bekim e mbrojtje.
e duvakut të nuses, shoqërohej me këngë uratash dhe lutjesh. “Nusja, nën duvak”, ishte në gjendje përuljeje e heshtjeje, si një “duva” e brendshme, nga ku shumë studiues e lidhin fjalën duvak me duva = lutje.
Në disa raste, duvaku ruhej gjatë gjithë jetës dhe vendosej sërish mbi trupin e gruas në fund të jetës, si një rreth i mbyllur i shenjtërisë dhe i mbrojtjes.
Në Shqipërinë e Mesme, ai përbëhej nga pëlhura të holla të bardha me thekë ose qëndisje të lehta, disa herë e çendisur edhe me perla.
Në jugun e Shqipërisë, nën ndikimin e qytetarisë së Beratit, Gjirokastrës e Vlorës, duvaku mori trajta më elegante, afër vellos perëndimore, duke u përdorur më shumë si mbulesë e kokës dhe shpatullave.
Kalimi nga duvaku te velloja moderne.
Pas viteve ’30 të shekullit XX, me ndikimin e qytetërimit perëndimor dhe përhapjen e dasmave kishtare, veçanarisht në qytetet shqiptare, duvaku tradicional filloi të zëvendësohet nga velloja e bardhë.
Në dallim nga duvaku, velloja ka origjinë perëndimore dhe simbolizon pastërti shpirtërore dhe bekim hyjnor. Në thelb, ajo ruan funksionin e një mbulese nupciale, por e zhvendos theksin nga riti popullor te ceremonia fetare dhe estetika moderne.
Sidoqoftë, edhe pse forma e jashtme ndryshoi, kuptimi i brendshëm mbeti i njëjtë; -mbulesa e nuses, qoftë duvak apo vello, përfaqëson respektin, ndjeshmërinë dhe nderin e femrës shqiptare përballë një etape të re të jetës.
Përfundime.
Duvaku mbetet një nga simbolet më të vyera të kulturës materiale e shpirtërore shqiptare. Ai pasqyron jo vetëm estetikën e veshjes, por edhe botëkuptimin moral të shoqërisë tradicionale mbi rolin e gruas dhe familjes.
Mendoj se në muzeumet tona apo vende të tjera ku ekpozohet ky objekt etnokulturor, duhet shoqëruar me disa shpjegime konkrete, si -origjina krahinore, -vjetërsia -etj.
Evoluimi i duvakut në vello në qinvjeçarin e fundit, nuk përbën humbje, por vazhdimësi kulturore, ku trashëgimia përshtatet me kohën, pa humbur thelbin e saj simbolik.
Post huazuar nga profili i studiuesit, historianit dhe shkrimtarit të njohur z Mark Rica me banim në Ravenna Itali, e falënderojmë 11 Nëntor 2025!