08/06/2026
Vetëvendosja feston fitoren - po a do të zgjidhet ngërçi politik në Kosovë? Si do jetë bashkëpunimi me partitë e tjera në të ardhmen?
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti doli partia e parë me 42.92% të votave, një rënie e kësaj partie krahasuar me zgjedhjet e fundit të dhjetorit të vitit 2025, ku kishte mbi 51%. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 21.06%, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me 17.61%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mori 7.18% të votave. Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, mori 6.17% të votave. Në këto rezultate, sipas KQZ-së, nuk janë përfshirë votat e diasporës dhe votat me kusht.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke iu drejtuar simpatizantëve të tij në mesnatë, rezultatin prej rreth 43% të partisë së tij, pa përfshirë votat e diasporës, e cilësoi rezultat fitoreje për qeverinë, siç tha Kurti 4. “Kjo përbën konfirmim të një dekade qeverisjeje të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti, duke paralajmëruar se do të bashkëpunojë me partitë e tjera për të zgjidhur çështjen e presidentit.
“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë, sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane, të cilës i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në ne jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që bëjmë”, u shpreh Kurti.