Shkodra Live

Shkodra Live Shkodra Live është platformë mediatike online, e pavarur dhe e paanshme, informuese dhe promovuese.Themeluar në Dhjetor 2021

06/12/2025

Puka ndez dritat e Vitit të Ri 2026.

Qyteti është ndriçuar dhe zbukuruar për të mirëpritur atmosferën festive gjatë gjithë këtyre ditëve.

Ndezja e dritave u shoqërua edhe me një festë në qendër të qytetit organizuar nga fëmijët e qendrës kulturore.

06/12/2025

Gruaja nga Kopliku që çante dru për bukën e gojës / "Më ndihmoni me ushqime për tre fëmijët e vegjël"

Nexhmije Delaj është një grua nga Kopliku e cila mbante familjen e saj duke çarë dru tek persona të ndryshëm.

Me ato pak para ushqente tre fëmijët e vegjël dhe siguronte të ardhurat për burrin invalid dhe veten.

Disa kohë më parë gruaja në fjalë është aksidentuar me motorr dhe tashmë e ka të pamundur që të punojë më.

Delaj bën apel për ndihma ushqimore për tre fëmijët e vegjël.

Të vetmet të ardhura që ka janë kempi i të shoqit invalid dhe ndihma sociale që merr.

06/12/2025

Vajza nga Australia vjen për të bërë petulla në Shkodër / "E dashuroj këtë qytet. Do kaloj festat këtu"

Viktoria është një vajzë nga Australia e cila këtët periudhë ka zgjedhur Shkodrën për të kaluar disa muaj.

Deputetja Marjana Koçeku publikoi një video të vajzës australiane teksa po gatuante petulla pasi është bërë pjesë e një prej barakave në pedonale të vendosura në këto ditë dhjetori për festat e fundvitit.

Ja se çfaeë shkruan deputetja Koçeku:
Viktoria nga Australia dhe une, ju ftojme me zemer që festat ti festoni n’Shkodër dhe të provoni petullat e shijme që bahen n’shesh

06/12/2025

"Politikë me ndihmat ushqimore nga bashkia Malësi e Madhe, po ndahen pa transparencë" / Akuzat nga kreu i PSD Ardian Hysa

Kryetari i PSD-së në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa, ka akuzuar Bashkinë për mungesë transparence dhe shpërndarje selektive të ndihmave ushqimore të ardhura nga Emergjencat Civile.

Sipas tij, disa familje realisht në nevojë janë lënë jashtë, ndërsa ndihmat po përdoren për qëllime politike.

Rasti më flagrant është i familjes të Ilir Ujka në fshatin Aliaj që ndodhen në kushte të mjerueshme por bashkia sipas Hysës i ka përjashtuar nga dhënia e ndihmave.

Vetë kryefamiljari tregon se ndodhen në mëshirë të Zotit edhe pse festat po afrohen dhe tregojnë se jetojnë me shumë vështirësi.

Më poshtë, deklarata e plotë e Ardian Hysës, kryetar i PSD në Malësinë e Madhe:

Kritikë për mungesë transparence në shpërndarjen e ndihmave nga Bashkia Malësi e Madhe

Bashkia e Malësisë së Madhe ka nisur shpërndarjen e rreth 300 pakove ushqimore, të siguruara nga Drejtoria e Emergjencave Civile, për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë gjatë dimrit. Por, fatkeqësisht, ky proces po zhvillohet pa asnjë transparencë dhe pa kritere të qarta.

Në zonën e Kelmendit janë shpërndarë rreth 150 pako, pa ndonjë listë zyrtare të miratuar nga kryepleqtë apo strukturat vendore. Ndërkohë, familje realisht në nevojë, si ajo e Ilir Ujkës në fshatin Aliaj, me pesë anëtarë, tre prej të cilëve të sëmurë, dhe që jetojnë në një shtëpi të shkatërruar, janë përjashtuar nga ndihmat.

Këto pako, të destinuara për emergjenca dhe për të ndihmuar më të varfrit në këto kushte të vështira ekonomike, po përfundojnë në duart e miqve, të afërmve dhe patronazhistëve të kryetarit të bashkisë dhe PS-së, duke u kthyer në një instrument politik dhe jo një akt solidariteti.

Kërkojmë publikimin e menjëhershëm të listës së përfituesve, për të siguruar drejtësi sociale dhe shpërndarje të barabartë të ndihmave. Ndihmat janë për qytetarët në nevojë, jo për interesat e pushtetit lokal! PSD Malesi e Madhe.

06/12/2025

EMRI/ Arrestohet për drogë dhe bixhoz 39 vjeçari nga Vau Dejësi / Përshtati lokalin për lojëra fati dhe lëndë narkotike

Një operacion i Forcave të Policisë së Vaut të Dejës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ka çuar në pranga 39-vjeçarin Alfred Palushi, banues në fshatin Stajkë.

Operacioni i koduar “STAJKA” u zhvillua pas informacioneve operative dhe kontrolleve intensive të Policisë për të goditur paligjshmëritë në zonë.

Sipas policisë vendore të Shkodrës, Palushi kishte përshtatur një lokal bar-kafe në fshatin Stajkë për përdorim droge dhe organizim lojërash fati.

Gjatë kontrollit të lokalit, efektivët sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, një valixhe me çipsa pokeri dhe letra bixhozi të përdorura për aktivitete të paligjshme të kumarit.

Kontrolli u shtri më pas edhe në banesën e tij, ku Policia gjeti sasi shtesë kanabisi, fara të dyshuara të kësaj bime dhe një mjet prerës (thikë), që përforcuan dyshimet për aktivitet të vazhdueshëm kriminal.

Alfred Palushi u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale, “Prodhimi dhe sh*tja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”, “Organizim i lojërave të fatit”.

Hetimet për rastin vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm.

Myftiu i Pukës Kopani: 61.7% e besimtarëve myslimanë janë larguar / Fshatrat të boshatisura Myftiu i Pukës, Gezim Kopani...
06/12/2025

Myftiu i Pukës Kopani: 61.7% e besimtarëve myslimanë janë larguar / Fshatrat të boshatisura

Myftiu i Pukës, Gezim Kopani, ngre alarmin për largimin masiv të besimtarëve myslimanë dhe boshatisjen e fshatrave në rrethin e Pukës.

Përmes një studimi të kryer për periudhën 2005–2025, bazuar në arkivin e Myftinisë së Pukës dhe të dhënat e aktiviteteve fetare, sociale dhe arsimore, Myftiu Kopani thotë se rrethi ka humbur rreth 61.7% të besimtarëve myslimanë, krahasuar me periudhën para viteve 1991–2005.

Sipas tij, emigracioni dhe lëvizjet e brendshme kanë boshatisur pothuajse të gjitha fshatrat me popullsi myslimane, si Pezhve, Meçe, Flet, Kulumri, Blerim (Sakat) dhe zonat e tjera të theksuara në studim.
Edhe qytetet Pukë dhe Fushë-Arrëz janë prekur rëndë nga largimet.

Censi 2023 e rendit Pukën me vetëm 11 100 banorë, shumë më pak se në vitin 1930, kur numëroheshin 14 437 banorë.

Rënia e popullsisë prek sidomos familjet me fëmijë dhe të rinjtë.

Sipas studimit, 40% e familjeve me fëmijë janë larguar nga qyteti, ndërsa 65% nga fshatrat.

Ndërkohë, nga të rinjtë, 78% e djemve dhe 59% e vajzave kanë braktisur rrethin.

Kopani shprehet se kjo situatë reflektohet dukshëm edhe në regjistrat e mejtepeve, ku vit pas viti numri i fëmijëve që ndjekin mësimin fetar vazhdon të bjerë.

Statusi i plotë i Myftiut Kopani:

"Për shkak të detyrës time 20-vjeçare si Myfti i rrethit Pukë, vendosa të bëj një studim mbi lëvizjen e besimtarëve myslimanë të rrethit Pukë. Pjesë e këtij studimi janë vendet: Pukë, Fushë-Arrëz, Qerret, Dedaj, Kabash, Meçe, Rrapë, Pezhve, Micoj, Vilë, Kryezi, Iballë, Flet, Xath, Kulumri, Blerim (Sakat) dhe Truen.

Nga të dhënat që kam grumbulluar ndër vite, por edhe në bazë të arkivit të Myftinisë Pukë të dalë nga aktivitetet sociale, fetare, arsimore etj., rezulton se:

Nga fillimi i vitit 2005 deri në fund të vitit 2025 përqindja e myslimanëve të larguar nga rrethi i Pukës është afërsisht 61.7%, në krahasim me përqindjen e myslimanëve para viteve 1991–2005, duke ulur ndjeshëm përqindjen e myslimanëve në rrethin e Pukës.

Si pasojë e largimit apo emigracionit etj., janë boshatisur pothuajse të gjithë fshatrat myslimanë, dhe jo vetëm. Kjo dallohet sidomos në: Pezhve, Meçe, Flet, Kulumri, Blerim (Sakat) etj. Largim të frikshëm ka edhe qyteti i Pukës dhe i Fushë-Arrëzit, të cilat, sipas CENS 2023, si rreth, Puka nuk ka më shumë se 11 100 banorë, shumë më pak se në vitin 1930 ku rrethi i Pukës kishte 14 437 banorë.

Një tregues tjetër shumë negativ është largimi i jashtëzakonshëm i familjarëve me fëmijë dhe largimi i rinisë. Nga vendbanimet e shënuara në grafik përqindja e familjeve me fëmijë të larguar është: qytet 40%, ndërsa në fshat 65%. Kjo fare lehtë mund të dallohet edhe në shkollat e fshatrave të sipërpërmendur. Ndërsa rinia e larguar sipas gjinisë afërsisht është: 78% djem dhe 59% vajza.

Ulja e rinisë dhe e fëmijëve reflektohet edhe në regjistrat e mejtepeve, ku çdo vit sa vjen dhe ulet numri i tyre, kjo për shkak të hemorragjisë së jashtëzakonshme që rrethi i Pukës ka përjetuar dhe po vazhdon të përjetojë!

VEMENDJE!
Studimi është vetëm për efekt analize për mbarëvajtje të punës time dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër."

Nelson Hysa stërvitje me kampionin e botës në boks Tyson Fury / "Jam në rrugën e duhur për titullin kampion bote" Boksie...
05/12/2025

Nelson Hysa stërvitje me kampionin e botës në boks Tyson Fury / "Jam në rrugën e duhur për titullin kampion bote"

Boksieri shkodran, Nelson Hysa, ka zhvilluar një seancë intensive sparringu me kampionin e njohur botëror Tyson Fury, duke kaluar plot 15 raunde me të. Përballja është konsideruar si një test i rëndësishëm në rrugëtimin e tij drejt titullit kampion i botës, ndërsa Hysa aktualisht renditet i katërti në botë.

Hysa ndau në rrjetet sociale përvojën e veçantë me “Mbretin” Fury, duke e cilësuar si një provë të vërtetë force dhe pjekurie sportive. Sipas tij, sparringu me njërin prej emrave më të mëdhenj të boksit i jep edhe më shumë besim për sfidat e ardhshme dhe objektivin final, titullin botëror.

Boksieri shkodran që synon trofeun botëror dhe Xherdanin e Artë ndau këtë mesazh në një postim të tij:

“21 raunde me Mbretin.
15 raunde të plota sparringu me Tyson Fury, një kampion brenda dhe jashtë ringut.

Sot ishte punë, sot ishte provë…
sepse kur qëndron përballë më të mirit, e kupton saktësisht sa gati je për fronin.
Premtimi im për të gjithë shqiptarët: jemi në rrugën e duhur drejt titullit botëror.
Punë, zemër, përkushtim.

Shqiponja shqiptare nuk ndalet.”

05/12/2025

Plazhi i Velipojës para dhe pas pastrimit të mbeturinave.

Video nga kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci!

Kush e vrau Luigj Gurakuqin? / 100 vite nga vrasja plot dritëhije e patriotit të madh shqiptarLuigj Gurakuqi, një nga fi...
05/12/2025

Kush e vrau Luigj Gurakuqin? / 100 vite nga vrasja plot dritëhije e patriotit të madh shqiptar

Luigj Gurakuqi, një nga figurat më të shquara të arsimit dhe politikës shqiptare, u ekzekutua në qytetin italian të Barit 100 vite më parë, më 2 mars 1925. Një krim që tronditi botën shqiptare dhe që krijoi një mister që zgjati në një shekull, pra deri në ditët e sotme. Vrasja e Gurakuqit, mbetet një pikë e errët në historinë politike shqiptare, ku e vërteta dhe dyshimet e historianëve përplasen shpesh.

Sipas dokumenteve të kohës në Itali dhe Shqipëri, vrasësi zyrtar ishte Balto Stambolla, një emigrant shqiptar në Bari. Motivacioni i deklaruar është një konflikt personal dhe tensione brenda komunitetit të emigrantëve shqiptarë. Balto Stambolla pas vrasjes së Gurakuqit, u arrestua dhe u përball me drejtësinë italiane, duke marrë rolin e përgjegjësit të vetëm për ngjarjen. Ky është versioni që figuron në aktet hetimore italiane, dhe që u mbajt si pistë zyrtare për dekada.

Por shumë historianë dhe dokumente të tjera hedhin dyshime mbi këtë version të thjeshtë zyrtar. Sipas tyre, Gurakuqi ishte një figurë politike me ndikim, duke qëndruar në krah të ideve demokratike dhe kundër pushtetit të Ahmet Zogut pas Revolucionit të Qershorit 1924. Balto Stambolla, sipas studiuesve, nuk kishte kapacitete politike ose motivacionin e duhur për një krim të tillë politik, duke e bërë skenarin e “konfliktit personal” të dyshimtë.

Ana tjetër e historianëve mendojnë se vrasja e Gurakuqit lidhet me një eleminim politik të porositur nga Mbreti Ahmet Zogu. Gurakuqi shihej si armik politik i Zogut dhe për këtë arsye vrasja mund të ketë qenë pjesë e një strategjie për të eliminuar figurat demokratike dhe opozitare jashtë vendit. Në këtë mënyrë autori i arrestuar Balto Stambolla mund të ketë qenë thjesht një instrument për të fshehur porosinë.

Disa studiues sugjerojnë përfshirjen ose lejen e autoriteteve italiane në këtë ngjarje sepse ka dyshime se regjimi i Mussolinit nuk e donte ndikimin e figurave pro-evropiane dhe demokratike në Shqipëri. Gurakuqi cilësohej si një figurë e pavarur dhe me vizion pro-evropian. Në këto kushte, sipas studiuesve, vrasja mund të ketë qenë e mbikëqyrur ose e lejuar nga autoritetet italiane edhe për interesa të tyre strategjike.

Vrasja e Gurakuqit është më shumë se një ngjarje e thjeshtë kriminale. Për dekada, ekzekutimi i tij ka nxitur teori konspirative, libra dhe studime historike. Ndërsa dokumentet zyrtare identifikojnë një individ si autor, historia dhe analiza e ngjarjeve tregon se vrasja e Luigj Gurakuqit ishte më shumë se një krim personal. Ajo mbetet një simbol i tensioneve politike, intrigës dhe fuqisë që shtrihej përtej kufijve shqiptarë.

Historia e Gurakuqit nuk është thjesht një ngjarje e së kaluarës por një kujtesë se politika dhe krimi nuk njohin kohë dhe as ideal. Vrasja e një prej figurave më të rëndësishme në arsimin shqiptar, Pavarësinë e vendit por edhe qeverinë e asaj kohe ka mbetur për shumë kend një mister në kërkim të së vërtetës për eleminimin e Luigj Gurakuqit.

Shkodra por edhe Shqipëria është krenare për Luigj Gurakuqin për kontributin e tij të madh në arsim, Lëvizjen Kombëtare dhe politikë. Me krenari universiteti i Shkodrës mban emrin e këtij patrioti. Çdo tentativë tjetër për ta njollosur emrin e Gurakuqit është një turp dhe nuk i përket axhendave në favor të Shqipërisë.

05/12/2025

"Ça me ba në hotel me dy gra maj"....

Kolosët e humorit shqiptar, Zyliha Miloti, Drande Xhai dhe Arjan Çuliqi interpretojnë me mjeshtëri duke sjellë shume të qeshura.

Paradoksi rikthehet në teatrin "Migjeni" pas 38 vitesh mungesë.

Në vitin 1987, Paradoksi u kthye 4 herë mbrapsht nga komisioni sepse cilësohej si shumë moderne në Shqipërinë komuniste të asaj kohe.

Herën e pestë zhanri i Paradoksit u pranua dhe u vendos në skenë ndërsa tani rikthehet pas 38 vitesh me një tjetër pjesë.

05/12/2025

Denoncimi i qytetarit: Rregulloni rrugën e Myselimit / Prej vitesh e lënë në harresë

Prej disa kohësh banorët e fshatit Myselim në Postribë ngrejnë shqetësimin për gjendjen e degraduar të segmentit rrugor Ura e Mesit – Bardhaj, një prej akseve kryesore lidhëse për tre fshatrat. Sipas tyre, prej vitesh rruga është pothuajse e pakalueshme dhe paraqet rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve.

Banorët pohojnë se i janë drejtuar disa herë Bashkisë Shkodër, edhe përmes adresës zyrtare të emailit, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ata kërkojnë një reagim të menjëhershëm institucional, duke theksuar se nuk duhet pritur që ky segment të shënojë viktima përpara se të ndërhyhet.

Në pritje të një reagimi nga autoritetet vendore, banorët nënvizojnë se situata po rëndohet çdo ditë dhe se ndërhyrja urgjente është e domosdoshme.

Ja çfarë shkruan qytetari në redaksinë e Shkodra Live:

“Janë bërë disa kohë që kemi marrë si nismë denoncimin e gjendjes në të cilën është katandisur segmenti Ura e Mesit – Bardhaj. Ky segment përfshin tre fshatra, Mes, Myselim dhe Bardhaj.

Jemi munduar të kontaktojmë me emailin zyrtar të Bashkisë Shkodër, por nuk kemi marrë përgjigje.

Presim reagim zyrtar nga Bashkia Shkodër. U themi të mos presin deri sa ky segment të shënojë viktima, por të marrin masa.

Me respekt,
një banor i zonës Myselim.”

05/12/2025

Shembet ura në Bardhaj / Mbi 150 fëmijë ecin në këmbë për të shkuar në shkollë

Ura e shembur në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina në Shkodër ka bllokuar lëvizjen e automjeteve të transportit për nxënësit e shkollës.

Banorët shprehen se janë 150 familje, fëmijët e të cilëve duhet që të ecin për disa orë në këmbë për të shkuar në shkollë.

Ura shprehen ata ka dy javë e shembur.

Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të riparojnë sa më parë urën për të kaluar automjetet dhe për të bërë të mundur që nxënësit të shkojnë normalisht në shkollë dhe jo të detyrohen të ecin në këmbë.

Address

Rruga "Edit'h Durham" Shkodër
Shkodër
4001

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Shkodra Live posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Business

Send a message to Shkodra Live:

Share