09/10/2026
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur garën për hartimin e projektit të detajuar për transformimin e aksit Veri–Jug të Shkodrës, përmes ndërhyrjes së emërtuar “Kopshti Linear dhe Aksi Multimodal Veri–Jug”. Fondi limit i procedurës është 28 milionë e 57 mijë lekë.
Projekti parashikon riorganizimin e një prej korridoreve kryesore të qytetit, nga lagjja “Rus” deri te rrethrrotullimi i Bypass-it në jug, duke përfshirë rrugën “Mbreti Gent”, bulevardin “Zogu i Parë”, rrugën “Studenti” dhe disa prej shesheve kryesore të Shkodrës.
Sipas dokumentacionit të tenderit, synimi është krijimi i një hapësire urbane më funksionale, ku përparësi do të kenë këmbësorët, çiklistët dhe transporti publik. Ndërhyrjet e parashikuara përfshijnë përmirësimin e trotuareve, krijimin e korsive të mbrojtura për biçikletat, riorganizimin e parkimit dhe rritjen e sigurisë në kryqëzime.
Një tjetër element i projektit është krijimi i kopshtit linear përgjatë bulevardit, përmes shtimit të pemëve, sipërfaqeve të gjelbra dhe përmirësimit të ndriçimit publik. Parashikohen gjithashtu ndërhyrje për menaxhimin e ujërave të shiut dhe përmirësimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara.
Projekti përfshin edhe sheshet “Balshaj”, “Parrucë” dhe “Demokracia”, si dhe zonat përreth institucioneve arsimore, kulturore dhe hapësirave publike.
Ndërhyrja është pjesë e programit “Porta e Alpeve”, të financuar përmes një huaje kuadër nga Banka Evropiane e Investimeve dhe të zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ajo lidhet me Planin e Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane të Shkodrës dhe Velipojës, të miratuar nga Këshilli Bashkiak në nëntor 2025, dhe synon të harmonizohet me investime të tjera të planifikuara në qytet, duke ndërthurur mobilitetin, hapësirat publike, trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin turistik.