26/10/2025
Nga komunikimi me strukturat vendore të Mbrojtjes Civile dhe njësitë përkatëse të qarkut, Prefekti i Qarkut Shkodër ju bën me dije se:
*Bashkia Shkodër* :
Pas intensitetit të lartë të reshjeve të shiut dhe prurjeve të jashtëzakonshme të përrenjve, situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e qetë në këto momente.
• Problematicat kryesore janë evidentuar në njësinë administrative Gur i Zi (fshatrat Gur i Zi, Juban, Verracak) dhe në njësinë administrative Bërdicë (Bërdicë e Sipërme, Mali Hebaj, Beltojë, Bërdicë e Madhe, Bërdicë e Mesme, Trush).
• Është konstatuar prezencë uji në rreth 25–30 banesa në njësinë Bërdicë dhe 10–15 banesa në Gur i Zi.
• Të gjitha strukturat vendore (Emergjencat Civile, NSHPP, IMT, Policia Bashkiake, MNZ dhe strukturat e tjera mbështetëse) janë angazhuar me burime njerëzore dhe mjete logjistike për zhbllokimin e nyjeve, pastrimin e kanaleve dhe inerteve, si dhe për ndihmë ndaj banorëve.
• Janë përdorur 3 eskavatorë, 3 fadroma, 2 kamionë, 3 kamionçina, p***a thithëse dhe mjete pick-up për normalizimin e situatës.
• Tokat bujqësore janë përmbytur në njësinë Gur i Zi dhe në zonën e Nënshkodrës (Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana e Malit) në masën rreth 70%.
• Theksohet se prurjet e ujit kanë prekur zona që nuk janë përfshirë as gjatë përmbytjeve të vitit 2010.
• Nuk ka persona të evakuuar deri në këto momente.
• Ka mungesë energjie elektrike në pjesë të Bardhajve dhe Rrencit, për shkak të djegies së një transformatori.
• Situata është në monitorim të vazhdueshëm, pasi gjatë natës parashikohet vazhdim i reshjeve me intensitet deri në mesnatë.
*Bashkia Vau Dejës* :
• Për shkak të reshjeve të dendura, situata në territorin e bashkisë është përkeqësuar ndjeshëm.
• Dalja nga shtrati e përroit Glina ka përmbytur rreth 100 banesa dhe disa hektarë tokë bujqësore.
Ne lidhje me perroin e Glines eshte e domosdoshme kryerja e investimeve rehabilituese per te shmangur pasojat e permbytjeve.
• Strukturat operative të bashkisë janë në gatishmëri të plotë dhe kanë ndjekur situatën në terren që prej orëve të para të mëngjesit.
• Janë raportuar rrëshqitje dherash dhe përmbytje infrastrukture në rrugët kryesore dhe dytësore të qytetit dhe fshatrave.
• Deri tani është evidentuar një rast evakuimi.
• Strukturat operative vijojnë punën në terren në mbështetje të banorëve.
*Bashkia Puke* :
• Vijojnë reshjet intensive të shiut.
• Raportohen probleme në rrugët rurale të njësive administrative Gjegjan, Rrapë, Qelëz dhe Qetret, me rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe vërshime ujërash.
• Furnizimi me energji elektrike është me ndërprerje të herëpashershme.
• Situata është nën monitorim të vazhdueshëm.
*Bashkia Fushë Arrëz* :
• Reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të lartë.
• Ka prezencë të konsiderueshme ujërash në rrugë dhe rrëshqitje dherash e rënie gurësh në rrugët auto-rurale të njësive administrative të bashkisë.
• Furnizimi me energji elektrike ka pasur shkëputje periodike në disa fshatra të njësive Qafë-Mali, Iballë, Blerim dhe Fierzë.
• Deri tani nuk raportohen probleme të tjera nga Emergjencat Civile.
*Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë* :
• Sasia e reshjeve në 24 orët e fundit në Qarkun Shkodër ka kaluar 200 mm, me reshje që vijojnë me intensitet të lartë.
• Veprat e mbrojtjes nga përmbytjet (argjinaturat, digat dhe diga e rezervuarit Shtoder) nuk paraqesin probleme.
• Kanalet kryesore të kullimit funksionojnë, por prurjet janë jashtë kapaciteteve përcjellëse.
• Si pasojë, në disa zona të banuara në Vau Dejës, Bushat, Melgushë dhe Gur i Zi, uji ka dalë jashtë seksioneve të kanaleve.
• Nivelet e lumenjve Buna, Drin dhe Kir aktualisht janë poshtë kuotave të rrezikimit.
Reshjet e shiut vijojnë në të gjithë territorin e qarkut me intensitet ulët deri mesatar.
Strukturat vendore të Mbrojtjes Civile, bashkitë dhe institucionet mbështetëse janë në gatishmëri të plotë, duke ndjekur situatën në terren dhe ndërhyrë aty ku është e nevojshme.