11/09/2026
Traditë - Nostalgji - etnokulturë
Mësimet e fëmijërisë nuk plaken kurrë
Tomorr Mukaj
Dita e dasmës po afrohej. Martohej halla ime, motra e vogël e babait. Përgatitjet kishin nisur prej ditësh; ishin larë shtresat e mbulesat, këllëfët e jastëkëve që vendoseshin anës së murit, pe**et, velenxat.
Ishin lyer sofatet dhe muret e avllive me gëlqere të bardhë, aq sa të vrisnin sytë kur binte dielli i plotë. Ishin prerë, sjellë dhe stivosur edhe drutë për pjekjen e mishrave e të bakllavave. Kishin ardhur edhe miqtë e të afërmit e parë, disa ditë para dasmës.
Mishrat ishin porositur dhe rakia, futur në zamzanet e mëdha të thurura me thupra shelgu, gati-gati rënkonte e dukej sikur do të shpërthente.
Miqtë e largët ishin ftuar me kohë, sepse data e dasmës ishte prerë prej gati një viti. Kishte ardhur radha të bëheshin edhe ftesat e fshatit për dasmë.
Gjyshi kishte bërë gati letrat, të shkruara në disa gjysma fletësh të prera nga fletoret tona të shkollës. Në to kishte shënuar vetëm emrat e kryefamiljarëve që do të ftoheshin në dasmë. Shkruar ashtu, me gërma gjysmë shtypi e gjysmë dore, por emrat e të ftuarve lexoheshin pa shumë mundim.
Babai, kështu e thërrisnim ne gjyshin, ishte ulur atë mëngjes atje në sofat, ku po pinte duhan me llullën e tij. Atë fundbehari unë kisha mbaruar klasën e parë; as tetë vjeç nuk i kisha mbushur.
Kisha konstatuar se edhe vetë babai më përkëdhelte më shumë se të vegjlit e tjerë.
— Ky ngjan shumë nga ne, e dëgjova njëherë t’i thoshte nënës, gjyshes sime. Ky do të na e mbajë gjallë emrin e trungut tonë. Do të na nderojë gjakun ky djalë.
Nuk e harroj që ishte shprehur kështu gjyshi.
— Na këto letra, më tha kur i vajta atje në sofat. Janë ftesat e fshatit për dasmë. Më dërgoi babai. Martojmë hallën, u thuaj. Do të shkosh në çdo shtëpi, derë më derë, e t’ua japësh në dorë burrave ose grave të çdo shtëpie.
— Te filani, filani e filani mos ç’ap, më tha gjyshi. Ata nuk duan ftesë, i kemi tanët ata. Tek familjet e tjera do të shkosh derë më derë.
Dhe më dha tufën e letrave në dorë.
Ftohej pothuaj gjysma e fshatit. Por gjysma tjetër nuk lihej jashtë nga mungesa e ftesës; për shkak të lidhjeve që kishin me familjen, ata nuk ftoheshin. Ata thirreshin në dasmë. Shumë vonë e mësova ndryshimin mes ftesës dhe thirrjes në dasmë.
I mora ftesat e përgatitura nga gjyshi dhe, pasi i palosa më dysh, i futa në xhepin e pantallonave të shkurtra që mbaja veshur ato ditë behari.
— Mirë, baba, do t’i shpie unë pa merak, i thashë gjysh*t dhe zura vrapin tatëpjetë rrugicës.
I mora me radhë, sipas lagjeve. E fillova nga lagjja e poshtme mbi lumë. Unë isha i vogël, por kur kalonim nëpër atë lagje e shkonim në lumë të laheshim, ato shtëpi më dukeshin se e kishin lumin më afër se ne të tjerët. Më pas u ngjita tek lagjet atje, rrëzë shkëmbit, më tej tek lagjja e Vërtokut dhe, me radhë, në të gjitha lagjet e fshatit.
Burrat që i gjeja atje, te porta ose në avlli, pasi uronin dhe më jepnin të falat për gjyshin, thërrisnin gratë të dilnin aty.
— Hajde moj ti këtu, kemi dasmë, djali do ëmbëlsuar, u drejtoheshin ata grave.
Nuk u thërrisnin grave në emër burrat. Kështu qe zakon.
Dhe ato, diku më jepnin një karamele, diku një llokume e diku një lugë sheqer në dorë. Duke më përkëdhelur flokët, më uronin edhe mua për dasmën time.
Kur shkova tek Asllani dhe nxora letrat nga xhepi, nuk e gjeta letrën me emrin e tij. Kërkova disa herë nëpër letra e nëpër xhepa, por nuk e gjeja emrin. U mërzita dhe nuk dita ç’të them.
Ai më shikoi në sy dhe qeshi.
— Më fal, i thashë, do të më ketë rënë letra gjëkundi.
— S’ka gjë, bir, s’ka gjë, më tha dhe më puthi flokët.
E njëjta gjë edhe tek Behari. Ai qeshi.
— Të fala gjysh*t dhe thuaji se e di unë. E di që keni dasmë dhe do të vij patjetër, më tha.
U ktheva në shtëpi.
— A i shpërndave, o bir? — më pyeti gjyshi, me xhaketën hedhur krahëve, duke dalë nga dera e hajatit.
Edhe në behar gjyshi e mbante xhaketën, herë veshur e herë hedhur ashtu mbi supe.
— Po, baba, i thashë, por për Asllanin, Beharin dhe Latifin nuk kisha letra. Kur i kam nxjerrë nga xhepi, nuk e di të më ketë rënë ndonjë rrugës, — fola unë, gati-gati në të qarë.
— Hajde tek babai, hajde këtu, ma ktheu. Nuk ka gjë, mor bir, jo. Dëgjo gjyshin këtu, — më tha dhe më afroi të ulesha pranë tij në sofat. Shtyu pak postën, të ulesha unë mbi të, dhe më foli:
— Dëgjo gjyshin këtu. Ata ne nuk i ftojmë në dasma. Babanë e Asllanit unë e kisha vëllam, kurse vëllanë e Beharit e ka vëllam xhaxhai yt, — më shpjegoi babai. — Kurse nëna, e kishte fjalën për gjyshen time, të shoqen e Latifit e ka bërë motër. Ata janë njëlloj për ne, vëllezër dhe motra. Vëllamët dhe simotrat ne nuk i ftojmë në dasma.
E shikoja në sy, sepse nuk kisha dëgjuar më parë për vëllamë e për simotra dhe nuk e dija çfarë ishin.
Sot, pas kaq shumë vitesh, kur e kam kaluar shumëfish moshën që kishte gjyshi im atëherë, ajo skenë më vjen përsëri përpara syve. Më duket sikur jam ende ai djali i vogël, me pantallonat e shkurtra dhe tufën e letrave në xhep, që vrapon rrugicave të fshatit nga njëra shtëpi te tjetra. Më duket sikur dëgjoj zërat e burrave te portat, thirrjet e grave nga avllitë, të qeshurat, urimet dhe atë fjalën e ngrohtë që më shoqëronte shtëpi më shtëpi: “Djali do ëmbëlsuar”.
Por më shumë se dasma, më ka mbetur në kujtesë ajo pasdite me gjyshin në sofat. Nuk e kuptova atëherë se çfarë rëndësie kishin fjalët e tij. Për mua ishin thjesht një shpjegim për disa letra që mungonin në xhep. Sot e kuptoj ndryshe.
“Vëllam” dhe “simotër” nuk ishin thjesht fjalë të një zakoni të vjetër. Ishin një mënyrë për të thënë se gjaku, miqësia, besa dhe lidhjet e krijuara ndër vite mund ta zgjeronin familjen përtej atij trungu që e shihje me sy.
Ndoshta prandaj kjo ngjarje e vogël e fëmijërisë më është ruajtur kaq gjatë. Sepse në atë sofat të vjetër, mes erës së duhanit të llullës së gjysh*t dhe zhurmës së një dasme që po afrohej, unë mora një nga mësimet e para për njerëzit, për familjen dhe për kujtesën.
Sot shumë prej atyre shtëpive janë heshtur. Shumë nga ata burra e gra që më hapën portat nuk janë më. Edhe sofatet ku uleshin pleqtë e fshatit janë tretur bashkë me kohën. Por në kujtesën time ato porta vazhdojnë të jenë të hapura, avllitë vazhdojnë të kenë zë dhe ai fshat i dikurshëm, me dasmat, urimet, karamelet e lugët e sheqerit, ende jeton.
Dhe, sa herë më kthehet në mendje ajo ditë, më duket sikur gjyshi më thërret përsëri:
— Hajde tek babai, hajde këtu…
E unë, edhe pas kaq shumë vitesh, sikur përsëri ulem pranë tij në atë sofat, duke dëgjuar me vëmendje fjalët për vëllamët dhe simotrat.
Vetëm se tani e di: disa mësime të fëmijërisë nuk plaken kurrë. Ato rrinë në kujtesë si një dritë e vogël e ndezur në një shtëpi të largët, edhe atëherë kur koha ka marrë me vete pothuaj gjithçka tjetër.