09/01/2022
|Kafka dhe kukulla udhëtare|
Një mbrëmje, ndërsa ishte duke shëtitur në Parkun e Berlinit, Kafkës i tërhoqi vëmendjen një vajzë e vogël. Vajza po qante, me dënesa! I afrohet dhe e pyet. Pa ndërprerë të qarat, përgjigja ishte se kishte humbur kukullën e saj të preferuar. I mërzitur po aq sa vajza, Kafka i bashkohet kërkimeve me vajzën, por që rezultojnë një përpjekje e kotë.
Në dëshirën për ta qetësuar, shpik një histori: E dashur, kukulla jote është nisur për një udhëtim. Tani u kujtova! Vajza e sheh me pak mosbesim, që pasohet me pyetjen e natyrshme: Po ju, nga e dini? Oh, mua më ka dërguar një letër, por që për fat të keq e kam harruar në shtëpi. Po të duash – i propozon Kafka – mund të takohemi përsëri nesër dhe të sjell letrën. Ditën tjetër, Kafka i jep vajzës një letër, ‘shkruar’ nga kukulla, ku thuhej: “Të lutem, mos qaj. Jam nisur në një udhëtim për të parë botën. Do të të shkruaj rreth aventurave të mia!”
Kështu nisi një histori, e cila vazhdoi për afro një vit, deri në fund të jetës së Kafkës. Gjatë takimeve, Kafka i lexonte vajzës letrat, shkruar në mënyrë të kujdesshme nga ana e kukullës, në të cilat ajo i tregonte për aventurat dhe bisedat e veta, të cilat vogëlushja i adhuronte.
Më në fund, Kafka i solli vajzës kukullën (ai kishte blerë një të re) – vajza ishte rikthyer në Berlin, pas një udhëtimi të shkurtër.
“Por kjo nuk duket si kukulla ime”- u ankua vogëlushja. Kafka i zgjati vajzës një letër tjetër nga kukulla, në të cilën shkruhej: “Udhëtimet më kanë ndryshuar”.
Vogëlushja përqafoi kukullën e re, e mori dhe iku për në shtëpi, mjaft e lumtur. Vitin tjetër, Kafka ndërron jetë.
Shumë vjet më vonë, vajza, tashmë e rritur, gjen një letër brenda kukullës. Në letrën e vockël, firmosur nga Kafka, shkruhej:
Çdo gjë që do, ndoshta mund të të humbasë një ditë, por në fund dashuria do të rikthehet gjithmonë, në një mënyrë a tjetër!
Shqip: Melsen Kafilaj