05/10/2026
…Poezitë e këtij vëllimi janë rrëfime të heshtura të mërgimtarëve, që punojnë larg, por ëndërrojnë shqip. Janë letra për fëmijët, që rriten pa përqafim, janë netë pa gjumë, ku mallin e mbulon vetëm fjala. Janë kujtime, që ecin në rrugët e botës me pasaportë të huaj, por me zemër shqiptare…
Titulli :“V A R G U Q E M B E T E T”
Autor : Lutfi Brami
Redaktor : Lubrin Juneta
Kopertina : Foto nga google
ISBN: 978-9928-95-110-6
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Shtëpia botuese “ ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall. 32 Ap.7
www.botimet ada.com
Cel: 068 22 190 16
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Brami, Lutfi
Vargu që mbetet : poezi / Lutfi Brami ; red. Lubrin Junet. -
Tiranë : Ada, 2026.
164 f. ; 20 cm.
ISBN: 978-9928-95-110-6
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
Poeti si dëshmitar i kohës
Vëllimi “ Vargu që mbetet ” e poetit Lutfi Brami është një udhëtim poetik. Çdo varg mbart tingujt e gjuhës shqipe, aromën e tokës dhe dritën e kujtimeve, që nuk shuhet kurrë. Në vargjet e tij, lexuesi ndjen mallin, që rritet me çdo hap të bërë në tokë të huaj, por edhe forcën e shpirtit, që s’mund të privohet nga asnjë largësi.
Në këtë vëllim, autori shfaqet si një vëzhgues i mprehtë social. Ai guxon të flasë për Gërdecin, për parlamentin dhe për plagët e tranzicionit, duke i dhënë poezisë një funksion denoncues dhe zgjues. Poezitë kanë një frymë më epike, ushtarake dhe reflektive, me një gjuhë, që nderon peshën e "Detyrës" dhe "Amanetit", është stacioni, ku i bëhet roje historisë dhe e vlerave njerzore. Paraqitet si një vepër me pjekuri të thellë, ku gërshetohet identiteti ushtarak (nderi, detyra, balada e ushtarit) me revoltën qytetare dhe reflektimin mbi jetën e vdekjen. Autori nuk është fshehur pas metaforave, por godet drejt te "Kërkohet shtet", "Gërdec" apo "Kur shteti humb zërin ", pa harruar asnjëherë strehëzën e tij shpirtërore: Beratin dhe familjen. Këtu flitet për dëshmorët, për shtetin, që kërkojmë dhe për atdheun, që nganjëherë e lëndojmë duke ikur.
Autori arrin një ekuilibër mjeshtëror mes 'ushtarit' dhe 'mësuesit'. Ai flet me disiplinën e një skuadërkomandanti, por me butësinë e një prindi, që malli për fëmijët e ndjek deri në USA. Ky vëllim është një testament i pjekurisë qytetare, ku çdo poezi është një dritë e mbështjellë me butësi.
Në disa poezi, si “Mirëmbeç e dashur Shqipëri” apo “Atdheu të mban më ngrohtë”, ndjenja e atdheut bëhet dritë, që ndriçon çdo hap të jetës në diasporë. Në të tjera, si “Festë pavarësie në Nev York” apo “Zjarr arbëror në Filadelfia”, autori tregon se dashuria për vendin nuk shuhet as kur je larg, por gjen mënyra të reja për të mbijetuar dhe për të shpërthyer. Ai i dhuron lexuesit një përvojë emocionale të thellë, duke e bërë të ndiejë çdo hap të shtegtimit, çdo valixhe me ëndrra e kujtime, çdo dritë e mall, që shkon dhe kthehet me shpirtin. Vëllimi nuk është thjesht poezi për emigracionin; është poezi për çdo zemër, që mban kujtime dhe shpresë, për çdo njeri që lë diçka prapa, por mbart gjithçka me vete.
Mërgimi është për poetin një udhëtim i brendshëm. Nëpër vargje, ai pyet veten: ku është atdheu- në tokën që lamë pas, apo në kujtimin që e mbajmë gjallë brenda vetes? Dhe përgjigjja vjen si një fije drite: atdheu është zemra, që nuk pushon së kujtuari.
Poezitë e këtij vëllimi janë rrëfime të heshtura të mërgimtarëve, që punojnë larg, por ëndërrojnë shqip. Janë letra për fëmijët, që rriten pa përqafim, janë netë pa gjumë, ku mallin e mbulon vetëm fjala. Janë kujtime, që ecin në rrugët e botës me pasaportë të huaj, por me zemër shqiptare.Dhe në çdo strofë, dëgjohet ai zë, që s’mund të shuhet: “Të dua, o Atdhe, edhe kur jam larg.”
Në poezitë e tij, Shqipëria nuk është vetëm vend, por frymë; jo vetëm histori, por premtim. Ai shkruan për njerëzit e thjeshtë, për femrën, që mban botën, për njeriun, që lufton me heshtjen dhe për kombin që kërkon dritë.
Si redaktor, kam parë te ky autor një pasardhës dinjitoz të gjithësisë sonë lirike. Ai shkruan me mprehtësinë e një kritiku social, kur flet për 'Pandershmërinë', por di të kthehet në një fëmijë të brishtë, kur lëmon pllakën e ftohtë të varrit të babait. Ky libër është një moral; ai na kujton se mësuesi mbetet mësues edhe kur mban automatikun në krah, dhe se poeti mbetet shqiptar edhe kur shkruan nga matanë oqeanit.
Nga ana estetike, autori e kthen dhimbjen në dritë. Penelata e tij poetike lëviz me një elegancë mahnitëse nga intimiteti i një letre dashurie të vitit 1972, te forca prometiane e një mësuesi ,që ndërton ura drite. Konstatoj se autori nuk shkruan me bojë, por me esencë jete. Ai ka arritur të ndërtojë një arkitekturë vargjesh, që bashkëjetojnë me egërsinë e realitetit social dhe brishtësisë së petaleve të trendafilit.
Duke u ndalur në analizaën stilistike dhe estetike, vëllimi poetik nuk është vetëm një dëshmi shpirtërore, por një laborator i mirëfilltë. Autori mjeshtëron vargun klasik (tetërokëshin dhe dhjetërokëshin), duke i dhënë poezisë një frymë muzikore oratorike. Përdorimi i metaforës së gjallë (Mësuesi si urë, 'Ushtari si “shkëmb” e Babai si dritë e pashuar) krijon një lidhje emocionale të menjëhershme. Përdor antitezën (arma përballë ditarit, pllakat e ftohtë përballë kujtimit të ngrohtë), e cila krijon një tension dramatik, që mban lexuesin nga vargu i parë deri te i fundit.Ai lëvron me sukses lirikën vetiake, elegjinë dhe poezinë sociale. Është kjo triadë që e bën veprën të plotë.
Gjuha është një shqipe e pastër. Poeti jetën e ka kthyer në art dhe artin në pamjen e saj. Rima e tij, shpesh e zgjedhuar dhe e puthur vjen si një rrahje natyrale pulsi, që i jep poezisë një fymë muzikore të brendshme e të recitueshme, duke i dhënë asaj një karakter oratorik dhe himnizues.
Kjo analizë që bëjmë rreth këtij libri të poetit Lutfi Brami është e rëndësishme për kritikët: U tregon atyre, që autori e njeh mirë vargun (metrikën, rimën, figuracionin). Për lexuesin e tyre: shpjegojnë pse poezitë e autorit janë aq "të ëmbla" dhe melodioze kur lexohen (puna me tetërokëshin dhe dhjetërokëshin), ndërsa për studjuesit: E vendos librin në radhën e poetëve, që ruan pastërtinë e gjuhës shqipe, megjithëse është në kurbet.
Duke shfrytëzuar elementet e natyrës, autori ka krijuar një testament shpirtëror, që mbulon gjysmë shekulli histori njerëzore, nuk është thjesht bukuria e vargut, por autenticiteti, nga rreshtat e ushtrisë vitet 1969-70, kalojnë nëpër zyrat e Ministrisë në Tiranë (1976), ndalojnë të dhimbja për babanë (1980) dhe përfundojnë me reagimin e ashpër ndaj problemeve sociale të viteve të fundit. Rinia e viteve (1969-1973): Zëri i autorit është idealist, plot shpresë dhe mirënjohje. Fokusimi i miqësisë, nxënësit dhe dashuria e parë krijon një dritë shumë të pastër në libër.Pjekuria (1980-2000): Poezitë e kësaj periudhe (si ato për babanë) janë filozofike. Nuk janë thjesht vargje, janë meditime mbi jetën dhe vdekjen. Angazhimi (2008-2021), këtu zëri bëhet "shpatë". Ai nuk është vetëm mësuesi i butë, por qytetari, që kërkon llogari. Ky kalim i jep librit dinamizëm.Gjeografia e shpirtit në libër udhëton bukur: Berat – Tiranë – Philadelphia. Ai e sheh botën si një njeri që ka kaluar shumë sisteme e vende dhe jep mesazhe për brezin e ri.
Në përfundim, ky libër nuk është thjesht një libër me vargje, por një jetë e derdhur në letër. Eshtë një udhëtim shpirtëror dhe kombëtar, një dëshmi e dashurisë për atdheun, për gjuhën, dhe për kujtesën, që nuk shuhet. Ai e përçon lexuesin nga dhimbja e largësisë tek drita e shpresës, duke e lënë mallin të fluturojë mbi vargje dhe mbi zemra. Këto vargje nuk kërkojnë vetëm të lexohen, por të ndihen, sepse secili prej tyre mban mjë copëz jete dhe një kujtim, që nuk shuhet. Në fund, ajo që mbetet është fjala e sinqertë, vargu që mbetet, i lindur nga shpirti dhe e shkruar me dashuri nga autori.
Lubrin Juneta