Vlusha jone

Vlusha jone Fshati yne ne rreze te malit

Përshendetje!12 Gushti po afron.Fshati ynë ka histori.Vlusha është vendosur në hartën e vendbanimeve më të vjetra europi...
23/07/2025

Përshendetje!
12 Gushti po afron.

Fshati ynë ka histori.
Vlusha është vendosur në hartën e vendbanimeve më të vjetra europiane.
Datojmë vendbanim 4000 vjet p.e.s.
Pra jemi vendbanim 6000-vjeçar.
Një fakt të mëvonshëm po ju bej me dije:
Sipas arkivave osmane, në vitin 1431 fshati ynë kishte 20 shtepi.

Le të mblidhemi në takimin tonë të përvitshëm!

11/07/2025

E ka shkruar para shume kohesh, por duket se e ka shkruar dje!

Ali Asllani - Hakërrim

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or' e ças,
Për çakallin, nat' e errët, është ras' e deli ras'!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek' ju gjeti dreka, milionier' ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t'ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun' e tija, djers' e ballit,
ësht' kafsh*t për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s'ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz' edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht' bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith' aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata "Grand Cordon"!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t'ju thërres'
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes'
dhe të quheni përhera luftëtar' e patriot',
në ka zot dhe do duroj', posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris'sate, që në gji të kan' vendosur,
ësht' pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr',
ësht' trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok' të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal' në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij' dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem' e kalbur doemos jasht' do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul' e zezë në ballë!

Mirpo ju që s'keni pasur as nevoj' as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: "Peqe!"
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat' i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar' në errësira!
Ç'na pa syri, ç'na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar'
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk' dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor' të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj', puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe "bej" i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr' e qorrit, vlen për goj' e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull', shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir' njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit' që nis e vrëret do mbaroj' me bubullimë,
ky i sotmi zër' i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris' dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafsh*t' për goj'!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor'
nuk ësht' yti, nuk ësht' imi, është i kombit arbror,
ësht' i syrit në lot mëkuar, ësht' i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Estref Bariu (Borri)(Në prag të ditëlindjes së Tij)Estrefi lindi në Vlushë në 12 Korrik 1923. Ai ishte djali i madh mes ...
09/07/2025

Estref Bariu (Borri)
(Në prag të ditëlindjes së Tij)

Estrefi lindi në Vlushë në 12 Korrik 1923. Ai ishte djali i madh mes pesë vëllezerve dhe tre motrave të tij nga prindërit e tyre Isuf dhe Vezire.
Detyrimi ushtarak për Estrefin qëlloi të jetë në vitet e para pas çlirimit të vendit. Ai shërbeu në veri të vendit, kryesisht në Malësinë e Madhe deri në Vermosh. Gjatë kohës së shërbimit ai ishte pjesë e Forcave të ndjekjes në strukturë të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe.
Pas përfundimit të kohës së shërbimit të detyrueshëm Estrefi qëndroi nën uniformë duke u transferuar dhe vendosur me shërbim në qytetin e Lushnjes, tashmë në strukturat e Policisë së shtetit. Aty shërbeu pak vite dhe më pas kalon në strukturat e policisë së burgjeve duke u emëruar me punë në Bulqizë.
Pas disa vitesh shërbimi në Bulqizë, në vitin 1961 transferohet me shërbim në Kuçovë. Edhe këtu Estrefi punoi në strukturat e Policisë së burgjeve, fillimisht në Kosovë, mes Lushnjes dhe Kuçovës, e më pas në strukturat e policisë së shtetit.
Për arsye shëndetësore të mbartura nga koha e vështirë e shërbimit me Forcat e ndjekjes, Estrefi kërkoi vetë largimin nga shërbimi policor. Pas kësaj Estrefi emërohet nënpunës i Gjendjes civile në Kuçovë ku shërbeu për 15 vjet, deri në daljen e tij në pension.
Kudo ku punoi ai ishte shembulli i një nënpunësi korrekt, shembull bashkëpunimi, mjaftë i dashur dhe i respektuar me njerëzit.
Estrefi lidhi jetën me Razie Gurin nga Gradeci. Së bashku ata lindën, rritën dhe edukuan 7 fëmijë. Shpresa lindi në Lushnje, Gëzimi, Azbiu dh Dafina lindën në Bulqizë dhe tre më të vegjëlit, Dalipi, Violeta dhe Merita lindën në Kuçovë.
Të gjithë fëmijët janë pasqyrim i edukatës cilësore të transmetuar tek ta nga prindërit e tyre. Ata u rritën me dëshirën për arsimim dhe punë me ndershmëri ashtu si prindërit e tyre. Emrin e mirë të tyre ata e transmetojnë kudo ku punojnë dhe jetojnë sot.
Si vëllai i madh që ishte, Estrefi mbajti lidhje shumë të ngushta me vëllezërit dhe motrat e tij në Vlushë.
Ndoshta kjo vinte edhe për shkak tē largimit të tij nga fshati në një moshë mjaftë të vogël. Ai ruajti dashuri dhe nostalgji të madhe për fshatin të cilën ai nuk e ndërpreu asnjëherë. Në këto vite në fshat jetonte edhe Nëna e tyre, Vezirja. Nuk e kaloja dot askund tjetër periudhën e lejes së zakonshnme, përveçse në Vlushë, tregonte ai. Jo vetëm kur Nëna jetonte akoma, por edhe kohë më vonë.

Unë e mbaja mend që kur isha ende fëmijë dhe Estrefi vinte në fshat. Kur fillova punë në Kuçovë e njoha Estrefin më mirë nga afër. Në ato vite ai kish dalë në pension. Ishte mik, shok dhe i dashur e i qeshur me të gjithë. Vitet e punës në Gjendjen Civile të qytetit e kishin bërë të njihte pothuaj të gjithë njerëzit në Kuçovë.
Kalova një jetë këtu, më njohin dhe i njoh të gjthë me thoshte. Kur e takoja dhe uleshim në kafe, mua më prezantonte si nipin e tij. Është nipi i Servetit, shokut dhe vëllait tim të fëmijërisë u thoshte shokëve të tij sa herë takoheshim. Dhe dalloje qartë që sytë e Estrefit përloteshin. (Kishte pak vite që xhaxhai im Serveti ishte ndarë nga jeta në moshë mjaftë të hershme). Kostatoja se Estrefi, Serveti dhe Demiraliu kishin qënë bashkëmoshatarë mjaftë të lidhur me njëri-tjetrin. Kemi ndarë copën e bukës së misrit me njëri-tjetrin, fëmijëria jonë ka qënë në varfëri ekstreme por në dashuri të madhe, më thoshte shpesh. Ishim të rinj, më tregonte kur keni mbajtur thesin me misër në krah nga Korça në Vlushë. Ty të duket çudi dhe nuk e beson, por është e vërtetë më thoshte duke qeshur e më rrahur supet.
Natyrishtë që e besoja. E besoja edhe për faktin se tamam po për ato vite që tregonte Estrefi, unë kisha lexuar "Legjendën e Misrit" të Migjenit kur thoshte për malësorët shqiptarë....."dhe kur e marrin misrin nisen njani mbas tjetrit udhës së ngushtë të malit dhe të jetës...". Dhe më dukej se Migjeni në atë Legjendë kishte parasysh edhe Estrefin me bashkëmoshatarët e tij me misrin në krah rrugës në këmbë nga Korça për në Vlushë.
Ata kishin ruajtur një lidhje të veçantë mes tyre deri në moshën e vonë. Me Demiraliun Estrefi nuk i ndau lidhjet deri sa pati mundësi fizike. Estrefi nuk pushonte së treguari për fshatin dhe për njerëzit që, megjithëse gjithmonë larg tyre, i njihte të gjithë sikur të kishte jetuar gjithë jetën atje. Për Estrefin të gjithë vlushallinjtë ishin vëllezërit dhe motrat e tij. Dashurinë për fshatin e trashëguan të gjithë fëmijët e tij. Ne mezi prisnim të fillonin pushimet e verës pas mbarimit të vitit shkollor që të shkonim në Vlushë, tregojnë edhe sot Azbiu dhe Dalipi. Të gjithë fëmijët e kanë trashëguar dashurinë dhe nostalgjinë për Vlushën njëlloj si babai i tyre Estrefi.

Hekuran SanxhakuNe pervjetorin e ndarjes se Tij nga jeta.Hekurani lindi ne Vlushe ne vitin 1933. Pasi nena e tyre Bejazj...
01/07/2025

Hekuran Sanxhaku
Ne pervjetorin e ndarjes se Tij nga jeta.

Hekurani lindi ne Vlushe ne vitin 1933. Pasi nena e tyre Bejazja humbi bashkeshortin e saj dhe tre djemte e saj ngelen jetime, ajo e dergoi Hekuranin ne Libofshe tek motra e saj Qerimeja, e cila ishte gruaja e Adil Sanxhakut.
Ne Libofshe Hekurani kreu arsimin fillor dhe ate 7-vjeçar. Pas mbarimit te shkolles Hekurani u kthye ne Vlushe dhe filloi pune ne Potom fillimisht si sh*tes e me pas si mesues ne shkollen fillore te fshatit. Ishin vitet e para te pas çlirimit dhe kerkoheshim mesimdhenes edhe pa arsimin e duhur.
Kur mbushi moshen per kryerjen e sherbimit te detyrueshem ushtarak, Hekurani ishte tashme nje djale me arsim mjafte te mire per kohen. Prandaj ai u dergua per tu arsimuar si oficer ne Tirane. Pas ketij arsimimi ai u titullua oficer dhe filloi sherbimin e karrieres ne Korçe ne repartet e zbulimit te Korpsit te Ķorçes.
Ne vitin 1961 u transferua ne Pogradec dhe sherbeu aty ne detyren e shefit te zbulimit te Brigades deri ne vitin 1968.
Ne keto vite, duke qene se ishte ende i pa sistemuar plotesishte me strehim, ai i dergoi femijet e tij ne Vlushe tek vellai i tij Hakiu. Aty Luani kreu klasen e trete dhe Liliana klasen e pare te shkolles fillore.
Me pas Hekurani u transferua me pune ne Skrapar duke sherbyer ne Forcat vullnetare te rrethit. Se fundmi ai sherbeu si perfaqesues ushtarak ne Komitetin Egzekutiv te rrethit Skrapar deri sa doli ne pension.
Hekuarni ishte martuar me Tefta Myrtollarin nga Qafa dhe se bashku ata rriten, edukuan dhe arsimuan dy djem dhe nje vajze. Hekurani dhe femijet e tij mbahen mend si modeli i familiareve qe i sherbyen me perkushtimin me te madh Teftes deri ne momentet e fundit te jetes se saj pasi ajo vuajti nga nje semundje e rende dhe u largua shume para kohe nga jeta.
Si gjithe te lindurit ne Vlushe dhe te larguar prej fshatit per pune, edhe Hekurani ishte nder ata qe Vlushen e donin shume. "Me ze gjumi edhe mbi guret e fshatit sapo te ve koken atje"- thoshte ai shpesh. Me Hakiun qante jo vetem hallet e fisit, por edhe te familieve te tjera sa here vinte ne fshat. Hakiu ishte brigadier e me vone pergjegjes sektori ne kooperative, por po aq sa i njihte problemet dhe shqetesimet e fshatit Hakiu, njelloj jetonte me ato shqetesime edhe Hekurani edhe pse ai jetonte ne Çorovode.
U vendos ne Tirane se bashku me femijet e tij. Edhe aty ishte me mendjen tek Vlusha. E gjeje pothuaj çdo dite me Kadri Hajdinin. Te dy bashke ishin bere strumbullari ku mblidheshin vlushallinjte dhe skraparllinj te tjere. Hekurani dhe Kadriu "grindeshin" shpesh duke pretenduar sejcili se kush mbante mend me shume e me sakte njerez, data dhe ngjarje te fshatit. Ata njihnin dhe mbanin mend me emra çdo vlushalli, çdo krushqi e miqesi te njerezve tane kudo ata ndodheshin. Ishin thesar dhe muze per Vlushen, njeri me shume se tjetri.
Hekurani u nda nga jeta ne 1 Korrik 2017 duke lene pas nje emer me vlera per Vlushen.

Përshëndetje!Banorët e fshatit tonë prej disa vitesh e kanë bërë traditë që të takohemi në fshatin tonë në datën 12 Gush...
21/06/2025

Përshëndetje!
Banorët e fshatit tonë prej disa vitesh e kanë bërë traditë që të takohemi në fshatin tonë në datën 12 Gusht.
Unë desha të kujtoj të gjithë ata qē kanë marrë pjesë në këto vite që jemi mbledhur, por veçanërisht ata që kanë dashur të vijnë por nuk e gjetën mundësinë në vitet e kaluara.
Do vazhdojmë të mblidhemi wdhe këtë vit.
Në çdo vit, gjithnjë e më shumë!

Ejani të takohemi!
- Ju të lindurit në Vlushë por që u larguat dje dhe sot nga fshati!
- Ju djem dhe vajza të fshatit që erdhët ne Vlushë që fëmijë dhe që prindërit tuaj u mëkuan me emrin dhe dashurinë për atë fshat!
- Ju vajzat e fshatit qe keni ngritur familiet tuaja anembanë vendit!
- Ju nipër e mbesa të fshatit tonë me emër të madh!
- Ju motra e vëllezër të fshatit tonë që punoni atje larg...larg ...larg, e që malli ju këput për fshatin !
- Ju miq e shokët tanë kudo që të ndodheni!

Te gjithë ju që me Vlushën ju lidhin kapilarët tuaj të gjakut.

Ejani të takohemi e të festojmë!

Në 12 Gusht!
Në Vlushë!

Kolonel Ismail Mukaj (Ismail Vlusha)Ismail Mukaj ka lindur në Vlushë në 23 Prill 1923. Kur ai mbushi moshën e shkollës f...
22/04/2025

Kolonel Ismail Mukaj (Ismail Vlusha)

Ismail Mukaj ka lindur në Vlushë në 23 Prill 1923. Kur ai mbushi moshën e shkollës fillore e mori daja i vet në Durrës. Daja ishte Nexhip Caka i njohur edhe si Nexhip Osoja. Nexhipi kishte shërbyer si xhandar në administratën e Zogut në Shkodër dhe pas lirimit u vendos me banim në Durrës ku filloi të punonte si tregëtar privat. Me tregëti ai arriti të kishte një hotel, dyqan dhe një kafene të mirë për atë kohë në Durrës.
Dajë Nexhipi vuri re që në vogëli se Ismaili kishte zgjuarësi dhe shkathtësi. Edhe për ta ndihmuar kunatin e vet, Xhevahirin, i kërkoi atij që ta marrë me vehte Ismailin të kryejë shkollën në Durrës. Aty Ismaili kreu arsimin fillor dhe shtatëvjecar. Dajë Nexhipi vuri re aftësitë dhe dëshirën e Ismailit për tu arsimuar, prandaj ai vendosi të mbështesë nipin financiarisht që të ndjekë shkollën tregëtare në Vlorë, ato kohë e quajtur Instituti Tregëtar. Ndërkohë në Janar 1944 në Vlushë u vra nga gjermanët babai i tij, Xhevahiri në masakrën e njohur të Vlushës. Pas përfundimit të shkollës tregëtare dhe kthimit në Durrës, ai u lidh me rininë komuniste aty. Veprimtaria e tij ra në sy. U arrestua, por pas pak ditësh u lirua për mungesë provash. Pak muaj më vonë u arrestua përsëri gjatë shpërndarjes së trakteve në qytet. Kafenenë e Dajë Nexhipit e frekuentonin edhe gjermanët. Falë njohjeve me disa autoritete dhe ndërhyrjeve të tij, Ismaili u lirua pas premtimit të tij tek gjermanët se nipi nuk do të vazhdonte më aktivitetin e tij. Pas kësaj ai nuk mund të qëndronte më në Durrës. Doli partizan, fillimisht në batalionin e Krujë-Ishmit. Me formimin e formacioneve të rregullta partizane kaloi në Brigadën e 22-të sulmuese e cila luftoi bashkë me mjaftë formacione të Luftës deri në Vishegrad, Boshje Herzegovinë. Ismaili ishte komandant i batalionit të dytë partizan të kësaj brigade kur Brigada u kthye në Maj 1945 në Shqipëri. Është e njohur se në këtë marshim forcat partizane në ndjekje të trupave gjermane luftuan me të ftohtin e madh por edhe me Tifon e morrit që zuri partizanët në atë dimër. Pas kthimit në Atdhe Ismaili vazhdoi të shërbejë në Ushtri si oficer. Më pas u dërgua për studime për armën e xhenjos në Sant Petersburg, ish Bashkimi Sovjetik.

Në këto studime Ismaili ka treguar se për këto studime të oficerit xhenier në ish Bashkimin Sovjetik qënë bashkë me ish Presidentin Alfred Moisiu.
Shpesh Ismaili është thirrur Ismail Vlusha (nga Mukaj). Në shkrimet e kohës përmendet si Ismail Vlusha.
Sipas shkrimeve të ˝Orakujt e Tomorrit˝, Kolonel Ismail Vlusha ishte drejtuesi teknik me forcat xheniere që përfundoi rrugën Berat-Ҫorovodë, segmentin fundor të saj nga Kakruka në Ҫorovodë në vitin 1948. (Orakujt e Tomorrit, 20.02.2024).
Po ashtu Kolonel Ismail Vlusha drejtoi punimet e ndërtimit të Urës së Lapanit në vitin 1950. (Orakujt e Tomorrit, 14.04.2023).
Në vazhdim Kolonel Ismail Vlusha drejtoi punimet e forcave xhenjere të ushtrisë për përfundimin e rrugës Gramsh-Lozhan. Ajo rrugë kishte një rëndësi strategjike ushtarake për vendin në ato kohë. Është po ai aks rruge që ndërtuan forcat xheniere në ato vite mbi të cilin sot po investohet për ta kthyer këtë rrugë në një aks të rëndësishëm lidhjeje të Korçës me Gramshin.



Foto 1 Mars 1949. Kolonel Ismail Mukaj (në foto me shpinë) duke i raportuar Enver Hoxhës gjatë inspektimit të punimeve të rrugës Gramsh-Lozhan.
Më pas Kolonel Ismail Vlusha shërbeu në armën e xhenjos në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër me detyrat e shefit të xhenjos së Divizioneve, komandant Brigade xhenjo dhe në fund në Drejtorinë e Xhenjos në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë në Tiranë.
Valës së goditjeve në Ushtri në vitet 1974-1975 nuk i shpëtoi dot as Kolonel Ismail Vlusha. Në vitin 1975 e përjashtojnë nga Partia e pak muaj më vonë e nxjerrin në lirim. Ishte vetëm 52 vjeç kur u largua nga detyrat dhe nga puna. Në këtë goditje nga Drejtoria e xhenios në shtabin e përgjithshëm u larguan edhe Mendu Backa (ish-zëvendës Ministër Mbrojtje) dhe Alfred Moisiu duke u dërguar në detyra më të ulëta si komandantë batalionesh, kurse Koloneli Josif Zegali (Drejtori i Drejtorisë së Xhenjos) u burgos.
Kolonel Ismail Vlusha u nga nga jeta në vitin 1982 në moshën 59 vjeçare.

Për Maliq Sanxhakun (Skrapari) për herë të parë do të shkruhej në vitin 1989.Ishte Zalo Buba ai që shkroi në gazetën ˝Ba...
02/03/2025

Për Maliq Sanxhakun (Skrapari) për herë të parë do të shkruhej në vitin 1989.
Ishte Zalo Buba ai që shkroi në gazetën ˝Bashkimi˝. Zalo Buba punonte ne Komitetin Qëndror të asaj kohe si instruktor partie. Ai dëshironte shumë që shkrimin ta botonte tek ˝Zëri Popullit˝, por aty nuk e lejuan.
Zalo Buba ishte një pasardhës i bodyguardit (sejmenit) të asaj kohe për Maliq Sanxhakun. Në fakt njohja dhe vitet e gjata të punës me Maliqin e bënë që ai të ishte më shumë se një badyguard. I kishte dhënë besën Maliqit dhe disa herë e kishte shpëtuar nga rreziku për jetën. Respektin për këtë burrë Skrapari ai e transmetoi tek pasardhësit e tij dhe fati e deshi që Zalo Bubës ti jepej mundësia ta bënte një gjë të tillë, edhe pse shumë vonë.
Pse nuk u lejua të flitej më parë për Maliq Skraparin?
Sepse ai kishte qënë nënpunës në Qeverinë e Mbretit Zog. Por injorohej fakti se aktivitetin si nënpunës shqiptar e filloi që në Qeverinë e Ismalil Qemalit e më pas në atë të Princ Vidit. Harrohej kontributi i tij patriotik në Kongresin e Lushnjes. Injoroheshin edhe faktet se kishte treguar integritet të lartë profesional dhe kishte kundërshtuar shumë projekte dhe vendime të Qeverisë së Zogut, deri edhe mënjanimin e tij pas lidhjes me lëvizjen e Fan Nolit. Toni ju dha më shumë faktit se dhëndërri i tij, Hilmi Hysi u pushkatua pa gjyq, edhe pse kjo ndodhi pas vdekjes së Tij.

Maliq Skrapari (Nipi) sot është 77 vjeç. Ai është djali i Avniut, njërit nga djemtë e Maliqi Skraparit të parë. Kur kërkova ta takoj e të dëgjoj më shumë për gjyshin e tij, më tha:
- Po ti duhet të kesh lexuar për Atë. Orakulli ka shkruar goxha. Edhe unë aq di, ç'të të them më tepër!
- Mirë i thashë, nuk ka problem, por pse të mos e pimë një kafë bashkë, jemi bashkëfshatarë.
Fisnikëria dallohet menjëherë, duket e transmetuar që nga gjyshi i tij. Gjyshin nuk e arrita, më tregoi. Gjithshka di për gjyshin, janë nga tregimet e gjyshes ime. Ajo ishte nga Nanushët e Strenecit dhe e kishte shoqëruar gjyshin tonë në të gjithë aktivitetin e tij nëpër Shqipëri.
Në Stamboll kur studionte për Agronomi nuk e thërrisnin Maliq Sanxhaku. Arsyeja ishte fakti se atje mbiemri Sanxhaku në turqisht ishte një ofiq i lartë. Nuk pranonin të më rregjistronin me atë mbiemër. Dhe Maliqi vetë ofroi fillimisht mbiemrin Bregu (gjyshja thoshte për faktin se në Vlushë e kanë pasur shtëpinë majë një bregu). Më pas ofroi mbiemrin Vlusha dhe në fund atë Skrapari, mbiemër me të cilin edhe u rregjistrua dhe u diplomua.
Në Fier erdhën kosovarët e parë në vitin 1923 dhe ngujimi i tyre rreth Fierit vazhdoi deri në vitin 1927. Kishte një tendencë për ti vendosur larg qytetit, thellë në kënetat ku nuk kishte asnjë infrastrukturë jetese. Jo-ja e fortë e Maliq Skraparit tek autoritetet e kohës ishte ajo që ndikoi që migrantët e Kosovës u vendosën brenda në Fier dhe fshatrat periferikë të qytetit.
– Janë shqiptarë, nuk janë emigrantë të huaj, fliste Maliqi hapur dhe me forcë. Ata vijnë nga fshatrat e Kosovës dhe janë bujq të mirë, janë punëtorë dhe kështu ne do të ndihmojmë edhe ata, por edhe zonën përrreth, ishin argumentet e Maliqit.
Gjyshja tregonte se Maliqi kishte miqësi me Sinan Yllin e Leshnjes. Tufat e dhenve të Sinanit do gjenin në çdo sezon dimri kullota dhe strehim në Myzeqe. Në Lushnje tek ne, Kahremani qëndroi disa vite rresht për të kryer shkollën para se Sinani ta dërgonte në Francë për shkollim të mëtejshëm.
Gjyshi dërgoi babain tim, Avniun për të studjuar Jurisprudencë në Itali, tregon Maliqi i ri. Pasi u kthye në Tiranë, babai ushtroi profesionin e avokatit dhe punoi pak kohë edhe si spiker në Radio Tirana të asaj kohe. Halla jonë, Myneverja, kishte kryer institutin ˝Nëna Mbretëreshë˝ në Tiranë. Ajo u martua me Hilmi Hysin nga Vërzhezha, i cili kishte përfunduar shkëlqyeshëm studimet juridike në Francë. Për fat të keq, në Janar 1948 regjimi e dënoi Hilmi Hysin me pushkatim pas procesin të gjyqit me grupin e deputetëve (edhe pse Hilmiu nuk qe deputet) dhe ende edhe sot nuk dihen ku janë eshtrat e tij.
Babai vazhdoi të punojë si jurist dhe avokat në Tiranë. Ne jetonim në shtëpinë e ndërtuar nga gjyshi në rrugën Siri Kodra, ndërtesë nga më të mirat e kohës në Tiranë. Në vitin 1953 na detyruan ta lëmë Tiranën. Urdhëri ishte të mos qëndronin as në Tiranë dhe as në Durrës. Shtëpinë na e morën, na dërguan në Elbasan. Babai punoi avokat deri sa ky profesion u ndalua nga regjimi dhe më pas ai punoi si ekonomist në ndërmarrjet shtetërore të kohës po në Elbasan.
Realisht nuk na penguan në arsimim dhe punësim. Ne kemi jetuar me punë dhe dinjitet. Shkollimin ndoshta tashmë e kishim në dejet tona dhe aty ishim ndër të parët. Në punë dhe shoqëri ishim mjaftë të respektuar. Në shoqëri dhe komunitet na nderonin. Ne u arsimuam shumë mirë, pothuaj si gjithë shqiptarët e kohës. Por natyrisht, të gjithë kujtoheshin të na pengonin në karrierën profesionale, sepse atë politike nuk e kërkonin as vetë.
Pasardhësit e Maliq Skraparit nuk kërkuam asnjëherë asgjë, nuk folën vetë asnjëherë për gjyshin e tyre. Kanë punuar me dinjitet dhe këtë e kanë transmetuar edhe tek fëmijët e tyre. Krenarë për emrin dhe veprën e gjysh*t të tyre. Fisnikërinë e lexon menjëherë kur ulesh dhe bisedon me Maliq Skraparin e Ri.
Kam qef të shkoj në Vlushë, vazhdon Maliqi. Jam rritur me tregimet e gjyshes sime për atë fshat dhe ata njerëz të mirë. Kam qenë deri në Ҫorovodë kur gjysh*t ju akordua titulli ˝Qytetar Nderi˝ i Skraparit. Ma dorëzoi Pelivan Shatri, i cili duke më përqafuar më tha se edhe ai vetë ishte nga Vlusha.

Nuri Vlusha (Mançe)Lindi ne vitin 1888 ne Vlushe te Skraparit.Si mjaftë burra e djem të zonës, edhe Nuriu, ende pa mbush...
01/02/2025

Nuri Vlusha (Mançe)

Lindi ne vitin 1888 ne Vlushe te Skraparit.
Si mjaftë burra e djem të zonës, edhe Nuriu, ende pa mbushur 17 vjeç shkoi emigrant në Turqi. Me ndihmën e bashkëatdhetarëve të tij Nuri Vlusha kishte filluar të mësonte shkrim e këndim. Ishte fat për të njohja me burra si baba Meleq Staravecka, Dule e Hasan Koprëncka, me Maliq Skraparin e atdhetarë të tjerë, me të cilët do të niste rruga e tij me shumë të panjohura për moshën dhe formimin e tij si atdhetar. Në këtë mjedis për Nuriun e ri do të kultivohej besnikëria dhe vetmohimi për çështje të mëdha të kombit dhe ai arriti të kuptonte se nuk duhet të kishte frikë për të guxuar, pavarësisht rreziqeve dhe pengesave që do t’i dilnin përpara.
Në vitin 1905 ai ishte shquhej si një veprimtar me zë i çështjes kombëtare duke bërë pjesë Shoqërinë e Stambollit. Nuri Vlusha udhëhiqej dhe frymëzohej nga kleriku bektashi baba Meleq Staravecka me të cilin kishte lidhje shumë të forta. Në vitin 1911, kur në rrethet patriotike të Selanikut, Stambollit dhe Amerikës çështja shqiptare po bëhej imediate, ai mori rrugën drejtë Amerikës duke vazhduar atje luftën për çështjen shqiptare. Në Amerikë u vendos në qytetin Sallbric, qytet ku iu mundësua të punonte në një uzinë metalurgjije në të cilën gjendeshin edhe shumë emigrantë të tjerë shqiptarë. Atje u bë antar i shoqërisë “Vatra” të cilën jo shumë kohë më vonë e mori përsipër ta drejtonte vetë. Falë aftësive të tij si organizator dhe njeri me influencë në komunitet, u arrit për një periudhë relativisht të shkurtër që shoqata “Vatra” në qytetin e Sallbricit të kishte në radhët e saj 600 antarë dhe që të konsiderohej dega më e fuqishme në të gjithë Amerikën. Synimi kryesor i shoqërisë “Vatra”ishte të ndihmonin për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë e cila po përgatitej nga plaku i Vlorës, Ismail Qemali.
Nuri Vlusha u khye në Atdhe në vitin 1919. Edjhe pse tashmë vendi ynë kishtë fituar pavarësinë, çështja e kufijve ishte ende në diskutim dhe shtetet fqinje edhe pse Lufta e parë botërore kishte përfunduar, kërkonin të aneksonin territoret shqiptare. Nuriu mori kontakte me forcat patriotike të Komitetit për shpëtimin Kombëtar të Korçës të cilët po luftonin si ndaj synimeve franceze, edhe kundër trupave greke që donin të aneksonin Korçën me rrethinat e saj. Nuriu u bashkua në zonën e Skraparit me Hysen Zaloshnjën e Ai Koprënckën, duke punuar për mobizimin e forcave vullnetare dhe krijimin e çtave patriotike të cilat u grumbulluan në Gjergjevicë e prej aty të sulmonin forcat greke, të çlironin Korçën dhe atje të ngrihej flamuri shqiptar.
Në pranverën e vitit 1920 Nuriu ishte në krah të Riza Cerovës, të Muço Kapinovës e Ali Koprënckës dhe si pjesëtar i çetës me 300 skraparllinj ai mori pjesë në luftimet kundër forcave italiane në Leskovik, Përmet, Tepelenë, Kaninë e Panaja të Vlorës duke larguar forcat italiane nga Shqipëria. Nuri Vlusha mbështeti patriotët e Skraparit për Kongresin e Lushnjes dhe në vitet 1921-1923 ai mori pjesë në të gjitha veprimtaritë që u zhvilluan në Skrapar për mbështetjen e Ali Koprënckës i cili do të shpallej edhe deputet.


Nuri Vlusha u përfshi në ngjarjet e Revolucionit të Qershorit të vitit 1924 në mbështetje të Qeverisë së Fan Nolit. Pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit, bashkë me shumë patriotë të tjerë si Riza Cerova, Muço Kapinova, Ali Nishica, Ali Koprëncka, Myrto Cerova etj u detyruan të arratisen në Greqi ku do të vazhdonin veprimtarinë e tyre antizogiste.
Në vitin 1935, me fillimin e Lëvizjes së Fierit, ai u bë pjesë aktive e Kryengritjes. Pas vrasjes së Riza Cerovës ai u detyrua të emigronte, këtë radhë në Australi. Atje Nuri Vlusha vazhdoi të shërbente e kontribonte për Shqipërinë. Ishte një nga organizatorët e Shoqërisë “Skënderbeu” me përfshirjen e shumë emigrantëve shqiptarë të Australisë. Nuri Vlusha u zgjodh N/Kryetar i kësaj Shoqate. Në vitin 1948, pasi vendi ishte çliruar nga pushtimi nazist ai u kthye në Atdhe.

Lartë, në këmbë:
1. Baki Qafa, 2. (I paidentifikuar), 3. Tahir Vëseshta
Poshtë, ulur:
1. Riza Meçani, 2. Nuri Vlusha, 3. Riza Cerova, 4. Muço Kapinova (Bakiasi), 5.Riza Hasa (Kapinova), 6. Qamil Bubësi

Address

Rruga Bedri Karapici, Tirana Golden Park 3
Tirana
1001

Telephone

+355693251622

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Vlusha jone posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Share