28/08/2026
Nëse vëllimi i dytë i poezive ishte “Udhët e zemrës“, ky vëllim, “Malli që flet“, është një urë e fuqishme, që lidh stacionet e jetës. Janë vendlindja ime, Berati i lashtësisë, Tirona e amanetit, ku jetova mbi 50 vite, që rrahin në vargjet e mia si një puls i pashuar, janë malet e Gramozit dhe verërat e Leskovikut, ku kam shërbyer disa vite dhe zjarri arbëror në Filadelfia, ku jetoj aktualisht, që më mësuan shijen e bukës së fshatit dhe fisnikërinë e kufirit e qytetërimit. Udhëtimi i një shpirti në vargje, është një zjarr në heshtje, një det plot mall.
Ky vëllim është falënderim poetik për jetën, për çdo zemër, që rreh për dashuri, për çdo prind, që ka ditur të falë, për çdo fëmijë që ka mësuar të kujtojë... Për njerëzit e thjeshtë, që s’kanë nevojë për lavdi, sepse kanë lënë pas dashuri.Për nënat që heshtin e falin, për baballarët që punojnë në hije, për gjyshërit që janë rrënjët e dritës sonë, për fëmijët që janë vazhdimi i saj.
Ky grup poezish është si një ditar lirik, që shtrihet në hapësirë dhe kohë (nga Tirana e vitit 1970 deri në Filadelfinë e largët). Ato nuk janë thjesht vargje, por stacione të një jete të përjetuar me ndjeshmëri të lartë.
Në këtë vëllim jam munduar të paraqes arkitekturën e mallit, si shtylla kurrizore e krijimit. Nga intimiteti i dhomave që shkruan një letër në adresë, të zhurmës së Filadelfisë, ku rreh "Zjarri Arbëror", poezitë japin mesazhin, se njeriu mund të ndërrojë shtëpi, mund të ndërrojë qytet eshtet, por nuk mund të ndërrojë kurrë amanetin e rrënjëve." Në këtë libër lexuesi do të gjejë poetin, që kthehet pas në kohë për të takuar nxënësin e tij, mësuesin, që nderon prindërit dhe emigrantin, që mban me vete mallin dhe 'Kafen e Demokracinë'.
Lutfi Brami
Titulli: Malli, që flet
Autor: Lutfi Brami
Redaktor: Lubrin Juneta
Kopertina: Foto nga google
ISBN: 978-9928-95-097-0
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Shtëpia botuese “ ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall. 32 Ap.7
www.Botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, 2026
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Brami, Lutfi
Malli, që flet : poezi / Lutfi Brami
red. Lubrin Juneta.
Tiranë : Ada, 2026.
144 f. ; 20 cm.
ISBN: 978-9928-95-097-0
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
Fjala e Redaktorit
Gjeografia e Shpirtit: Nga Tirana në Filadelfia Në këtë vëllim me poezi, autori Lutfi Brami, na fton në një udhëtim gjeografik dhe shpirtëror, që rrallëherë e hasim me kaq vërtetësi. Ky libër nuk është thjesht poezi; është një kronikë lirike e tranzicionit njerëzor.
Autori arrin të thurë në një pëlhurë të vetme dashurinë për Tiranën e amanetit, Beratin e vendlindjes, respektin për Gramozin e Leskovikun e traditës dhe sfidën e mbajtjes gjallë të Arbërisë në tokën amerikane. Forca e këtij vëllimi qëndron te thjeshtësia e komunikimit dhe te filozofia e paluajtshme, se jeta, sido që të vijë, meriton të gdhendet në varg.
Poezitë e tij janë si dritaret e një shtëpie të madhe, nga ku hyjnë aromat e bukës së sapopjekur, zërat e fëmijëve, lotët e nënës dhe buzëqeshja e babait. Janë vargje, që mbajnë peshën e përqafimeve të munguara, mallin e fëmijërisë, dhe mirënjohjen e thellë për ata që e bënë jetën të bukur me thjeshtësi. Në to gjallon nderimi për prindërit, për gjyshërit që mbajnë dritën e kujtesës, për mësuesit, që ndezin dritat e dijes, për çdo shpirt që e ndan dashurinë pa zhurmë.
Ky libër është një himn për jetën e përditshme, për bukurinë, që fshihet në gjërat e vogla — në një fjalë të butë, në një dorë të rrudhur, në një shikim që thotë “të dua” pa nevojë për fjalë. Është kujtesë për kohët që ikin, por edhe dritë për ato që vijnë.
Stili i autorit është lirik dhe përmallues, por i mbushur me dritë. Ai nuk e shikon jetën përmes dhimbjes, por përmes mirënjohjes. Në çdo poezi, edhe në ato që flasin për mungesën apo humbjen, ka një ndjenjë shprese. Poeti nuk vajton, por falënderon: falënderon nënën që e ka mësuar si të dojë, babanë, që i ka dhënë forcë, fëmijët që e kanë mësuar si të qeshë përsëri.
Në aspektin estetik, vargu i tij ka një qartësi të rrallë — aq sa ngjan më shumë me një kujtim të folur se sa me një poezi të shkruar. Kjo e bën librin të afërt, njerëzor, dhe të dashur për çdo lexues. Kështu, poeti e shndërron kujtesën në dritë, që kalon brez pas brezi. Këto poezi janë aromë buke në mëngjes, janë zë i gjyshes që thërret nga porta, janë duar të lodhura, që mbajnë botën në heshtje. Në çdo varg gjallon rrënja që s’e shkul as koha, sepse njeriu që harron shtëpinë, harron vetveten.
Poeti ka ndërtuar bukur arkitekturën e mallit si shtylla kurrizore e krijimit, të cilën e ka ndërtuar në tre forma: Mallin romantik të viteve `70 për dashurinë e pa shprehur, heshtjen si komunikim dhe sytë si pasqyrë e shpirtit. Mallin familjar e sheh te dhimbja për shtëpinë e mbyllur të gjyshërve dhe dashurisë së pakushtëzuar për fëmijtë, ndërsa mallin ekzistencial e sheh te përballja me kalimin e kohës (Thinja bore) dhe ndjesia e të qënit ‘pemë pa degë“ në emigrim.
Simbolika është e pasur. Përdor elemente të natyrës për të përcjellë gjendjen e brendshme: Flutura, lajmëtare e shpresës, që sfidon dimrin dhe mjegullën. Bliri dhe vjeshta, melankolia e zbehtë dhe zhveshja e shpirtit nga koha. Zjarri, si simbol i qëndresës kombëtare dhe njerëzore, që nuk shuhet as përtej oqeanit.
Në poezitë e tij , cdo varg është si një kujtim, që merr frymë: Një “ Foto e neës “, një “ për babanë “, një “ Shtëpia e gjyshërve”, një “ Nxënësit e mi “. Këta tituj janë vetë jeta- thjeshtësi , ndjenjë, dhe respekt për rrënjët, që na formuan.
Stili i autorit është lirik e përmallues, por i mbushur me dritë. Ai nuk e shikon jetën përmes dhimbjes, por përmes mirënjohjes. Në çdo poezi, ka një ndjenjë shprese. Poeti nuk vajton, por falënderon.
Në aspektin estetik, vargu i tij ka një qartësi të rrallë — aq sa ngjan më shumë me një kujtim të folur se sa me një poezi të shkruar. Kjo e bën librin të afërt, njerëzor, dhe të dashur për çdo lexues. Në disa poezi, si “Fjalët e nënës rreze drite” apo “Zemra e nënës oqean”, dashuria arrin përmasat e përjetësisë. Në të tjera, si “Kujtime të fëmijëve të mi” apo “Rrite vajzën të jetë krenare”, shfaqet një përçim i dashurisë nga një brez në tjetrin - si një trashëgimi shpirtërore që s’mund të shuhet duke e shndërruar kujtesën në dritë, që kalon brez pas brezi.
Vëllimi “ Malli që flet “mbyllet me një notë paqeje.
Autori nuk lufton më mallin, por e kthen atë në një “shall”, që e mban ngrohtë. Kjo tregon një poetikë të pjekur, ku dhimbja nuk duket më si armik, por si dëshmi e faktit që “ke dashur thellë dhe s`ke qënë veç kalimtar“.
Nëpërmjet vargjeve të poezive jepen mesazhe, se jeta është një mësuese pa zë, që të jep mësime pasi të ka rrëzuar, njeriu mund të humbasë gjithçka, por jo shtëpinë, që mban në shpirt. Sepse ajo nuk është vetëm vendi ku kemi lindur, por zemra ku mësojmë të duam... Këtu poeti shikon jetën me sy të kthjellët:vlerën e ditëve, mirësinë, durimin, përulësinë. Çdo poezi është një gur drite në udhën e njeriut, që mëson të mos dorëzohet. Këtu ngrohtësia e familjes, dashuria dhe malli për fëmijët, për njerëzit e mirë bëhet melodi e qetë, që mbush shpirtin me dritë. Është pjesa ku çdo varg të përqafon, si një dorë e butë mbi zemër. Në thelb, ky vëllim është një libër për mallin dhe dashurinë e heshtur, për dashurinë që nuk kërkon fjalë, për dashurinë që jeton në kujtesë. Kujtime që nuk plaken, por bëhen strehë e përjetshme. Çdo varg është një kujtim, që frymon si fëmijë në prag të portës. Në fund të ditës, gjithçka kthehet në shtëpi: edhe fjala, edhe malli, kujtimi, edhe poeti vetë.”
Lubrin Juneta