02/06/2026
Nga Kristi Pinderi
Protesta e parë shqiptare kundër neoliberalizmit
Ndërsa kundërshtojnë projektin turistik në Zvërnec, protestuesit po shprehin gjithashtu pakënaqësi më të gjerë ndaj modelit ekonomik të bazuar te privatizimet, përqendrimi i pasurisë dhe dobësimi i rolit të shtetit në mbrojtjen e interesit publik.
Ka një dimension të rëndësishëm botëkuptimor protesta që ka mbledhur mijëra shqiptarë, pavarësisht se për kë votojnë, apo se çfarë mendojnë për natyrën, për të drejtat e njeriut, apo për modelet turistike që duhet të ndjekë Shqipëria.
Mendoj se për herë të parë një masë dërrmuese e shqiptarëve po refuzojnë jo vetëm korrupsionin masiv, jo vetëm dhunën shtetërore apo atë private, jo vetëm mungesën e transparencës, e jo vetëm problematikën me sistemin gjyqësor, apo me pronat.
Për herë të parë shqiptarët po refuzojnë neoliberalizmin, që u është sh*tur atyre si forma më e lartë e kapitalizmit, e si rruga e vetme e zhvillimit.
Këtë model ekonomik e ideologji politike, shqiptarët e njohën për herë të parë në vitet ’90-të tek e ashtuquajtura terapi e shokut, që u pasua nga privatizime dhe likuidimi masiv i aseteve që ishin akumuluar për vite e vite të tëra nga shoqëria.
Familjet shqiptare që ishin mësuar me rolin absolut të shtetit në jetën e tyre – që të gjente shkollë, të punësonte e rregullonte çdo aspekt të jetës tënde – befas panë reduktimin brenda natës të shtetit e bashkë me të edhe zhdukjen e çdo forme organizimi publik që jo vetëm i lejonte të përfytyronin konceptin e pronësisë së përbashkët mbi gjëra si uji, ajri, pylli, lumi, deti, hapësirat e përbashkëta mes lagjeve, lulishtet, rrugët, urat, etj. – por edhe garantonte aksesin në to. Rënia e shtetit nuk u zëvendësua pastaj nga asnjë formë tjetër që të vazhdonte të mbronte interesat e publikes, e as të garantonte aksesin e barabartë në atë hapësirë.
Premtimi ishte se kjo është forma më e lartë e kapitalizmit që do i bëjë shqiptarët të pasur, mjafton të durojnë pak. E durimi për një afat të pacaktuar, u quajt tranzicion.
Në këto 35 vjet të tranzicionit, shqiptarëve iu tha që po të zgjidhnin njeriun e duhur, gjërat do të ecnin mbarë. E kështu plot katër herë shqiptarët kanë zgjedhur në mënyrë bindëse atë kryeministër që në kohë të vet u është prezantuar shqiptarëve si i duhuri: në 1992, në 1997, në 2005 dhe në 2013.
Duke filluar nga i pari e deri te i fundit, të gjithë kryeministrat e Shqipërisë, kush më shumë e kush më pak, kanë bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë: kanë shtuar privatizimet, kanë ulur drastikisht shërbimet ndaj njerëzve, përfshirë buxhetet reale për shëndetësinë e arsimin dhe kanë minimizuar rolin rregullator të shtetit duke bërë pothuajse gjithmonë një hap para, dy hapa pas.
Kur asete fizike për t’u sh*tur nuk ka patur më, kanë sh*tur asetet e ushtrisë. Kur edhe këto të fundit kanë mbaruar, i janë turur natyrës, kryesisht bregdetit, e për të mbajtur në këmbë këtë sistem monstër që ushqehet jo me ide e kreativitet, por vetëm me akumulim të aseteve e kapitalit, kanë filluar të privatizojnë shërbimet pavarësisht se në shumë raste infrastruktura e tyre ka qenë e ndërtuar me taksat e qytetarëve (kujtoni këtu p.sh. koncesionin e sterilizimit). Së fundmi, po i turren pronave private të qytetarëve, po i tjetërsojnë, e po i akumulojnë në llokma më të mëdha që pastaj t’i shesin më kollaj te sheiku apo te dhëndri i rradhës. Dhe kjo quhet investim…
Por 35 vjet më vonë, teksa shikojnë që nuk u bënë më të pasur, apo se pavarësisht që rrogat janë më të larta, çmimet janë edhe më të larta; se ndryshe nga prindërit e tyre shqiptarët sot në moshën më kritike të tyre as nuk e ëndërrojnë dot që të blejnë një shtëpi; se pavarësisht që hyjnë e dalin miliona turistë, jeta nuk ndryshoi për mirë, përkundrazi, çmimet, përfshirë qëratë e shtëpive, u bënë edhe më larta; kur kuptuan se rregullimi vetëm i hapësirave të tyre private nuk ua bën jetën detyrimisht më të mirë, nëse jashtë shtëpisë mungojnë rrugët, e nëse nuk mungojnë rrugët, mungojnë lulishtet, e nëse nuk mungojnë lulishtet, mungon uji, e nëse nuk mungon uji, mungon cilësia e ajrit, e kështu me rradhë.
Kur shqiptarët akumuluan këtë përvojë jetësore me neoliberalizmin – apo siç e quan Rama “përtej së majtës e së djathtës” – të ekspozuar pra për mbi tre dekada me këtë botëkuptim, kuptuan më në fund, se ky ndoshta nuk është sistemi për të cilin ata kishin ëndërruar.
Se nëse ekonomi e tregut do të thotë të konkurrosh në mënyrë të barabartë e të fitojë ideja më e mirë dhe mundi më i madh, në Shqipëri as ideja e as mundi nuk të bëjnë të pasur.
Se sistemi neoliberal që e shikon shtetin si një mjet për të lehtësuar investimet private, por jo ama për të garantuar kthimin e investimit në të mira publike, nuk favorizon atë që konkurron me idenë më të mirë, por atë që nuk hyn fare në konkurrim se ndoshta, përmes akumulimit masiv të aseteve e kapitalit, ka mbetur i vetmi në treg.
Se nëse rritja e mirëqënies u premtua si rruga drejt dinjitetit, si pasaporta më e sigurt që do ia mbante kokën lart çdo shqiptari, sot realiteti është një ankth i vazhdueshëm ekzistencial i përditshëm.
Se mund të jesh në punë me kohë të plotë, edhe në një profesion të nderuar, dhe përsëri të jesh vetëm një rrogë larg rrënimit: stabiliteti është ende vetëm një iluzion.
Ky sistem e ka zhveshur individin nga çdo formë sigurie (safety net), duke e kthyer edhe shëndetin edhe jetën në mallra tregu. Mund ta kem gabim, por mendoj se sot, frika më e madhe e çdo shqiptari sot nuk është thjesht varfëria, por frika nga sëmundja, sidomos nga sëmundja kronike ose ajo e rëndë.
Shqiptarët e dinë mirë se nëse diçka e keqe ndodh me shëndetin e tyre apo të njerëzve të dashur, spitalet publike të degraduara nga nënfinancimi i qëllimshëm – një ‘vlerë’ klasike kjo neoliberale – të detyrojnë të hysh në borxhe apo të përgatitesh të shesësh gjithçka që ke: shtëpinë, tokën (nëse ke arritur ta marrësh), pasurinë e një jete – vetëm për të blerë një shërbim në spitalet private që do të të mbajë gjallë. Ka njerëz sot që marrin kredi për të shlyer seancat e kemioterapisë apo të imunoterapisë. Nuk mendoj se shqiptarët e kanë menduar kështu kapitalizmin.
Nuk kanë menduar kurrë që përballë një krize shëndetësore nëse nuk ke para, nuk ke të drejtë të jetosh. Kjo nuk ka qënë pjesë e premtimit fillestar të 35 vjetëve më parë, apo jo? Pra pasuria që krijohet përmes shfrytëzimit të hapësirës dhe burimeve të përbashkëta ose edhe duke inkurajuar qytetarët të investojnë e zhvillojnë pasuritë e tyre, nuk kthehet mbrapsht në të mira për shoqërinë, por akumulohet në llogari private përfituesit e vërtetë të të cilëve shqiptarët nuk i dinë.
Prandaj, kjo protestë nuk është thjesht një reagim i zemëruar ndaj një plani jo transparent turistik apo një oligarku të radhës.
Kam frikë se sot, sidomos sot kur ne e shikojmë qartë si Rama, Berisha dhe të fortët e çdo krahu janë bërë njësh, ajo shënon pikën e kthesës ku qytetarët po dalin nga gjendja e “tranzicionit të përhershëm” mendor.
Për herë të parë, në shesh po refuzohet një model ekonomik e një botëkuptim politik që favorizon dy tre vetë në kurriz të gjithë të tjerëve. E në këtë mënyrë, nga mbrojtja e një pylli, e bregdetit apo e një lagune, po lind një vetëdije e re politike: kuptimi që liria e vërtetë nuk vjen nga liria për të gllabëruar gjithçka, por nga liria e shoqërisë për të garantuar dinjitetin dhe të ardhmen e njerëzve të saj.
Ky është fundi i iluzionit neoliberal që e shton Shqipërinë në rradhët e shumë vendeve të tjera në botë, në pothuajse çdo kontinent ku protestohet kundër të njëjtit sistem që pasuron 1 përqind, e mban larg resurseve 99 përqindshin tjetër. Reporter.al
Foto: Isa Myzyraj