
19/07/2025
Thesari i Shtetit ndau rreth 300 milionë euro për 10 kompani përgjatë vitit të kaluar, ku 13 për qind e kësaj shume shkoi për kompaninë Bankers Petroleum, që renditet e dyta në listën e kompanive me transfertat më të mëdha nga buxheti i shtetit.
Të dhënat e analizuara nga OpenData tregojnë se Bankers ka përfituar rreth 3.9 miliardë lekë transferta nga thesari, ose gati 40 milionë euro. Transferat janë kryesisht për rimbursim të TVSH-së, që shteti shqiptar ja mbulon në bazë të kontratës së nënshkruar me kompaninë.
Nëntë të tjerat janë kompani që janë paguar për punë, apo shërbime që kanë përfituar përmes tenderave të dhënë nga qeveria.
Paratë janë depozituar në llogaritë e kompanisë Bankers para se Prokuroria e Fierit të regjistronte procedimin penal me akuzën e ngritjes së një skeme mashtrimi me investimet dhe të ardhurat, për të shmangur detyrimet tatimore.
Sipas akuzës së prokurorisë, kompania ka eksportuar dhe sh*tur rreth 5 miliardë euro, ndërsa ka deklaruar humbje rreth 110 milionë euro përgjatë gjithë periudhës.
Gjatë dy dekadave, të ardhurat e Bankers nga nxjerrja e naftës janë rreth 5.5 miliardë euro. Kompania ka paguar zero taksa, pasi çdo vit manipulon dhe fryn shpenzimet. Jo vetëm kaq. Por, Bankers kërkon edhe dhjetëra milionë euro rimbursim TVSH bazuar në faturat fiktive për fryrjen e shpenzimeve me Idajet Ismailjn, Behar Çukajn, Baki Sinajn, Artur Çobon etj., që të gjithë të lirë dhe duke shijuar dhjetëra milionë euro të vjedhura.