25/08/2026
Dokumenti “Top Sekret” në telefonin e Fatmir Shehollit: Pretendohet plan për financimin e xhamive në Kosovë
Një dokument i cilësuar si “Top Sekret 2”, i gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, është përfshirë si provë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Sipas aktakuzës, dokumenti pretendohet se paraqet një plan të fshehtë për zgjerimin e ndikimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe për destabilizimin e vendit.
Sipas Prokurorisë, më 5 gusht 2025, Sheholli ia kishte dërguar dokumentin një personi të identifikuar si Viktor Makedonija. Dokumenti, i cili në prapavijë mban shënimin “CONFIDENTIAL”, përmban një sërë pretendimesh për financimin dhe ndërtimin e xhamive, zgjerimin e medreseve dhe përfshirjen e personave me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë.
Në përmbajtjen e dokumentit pretendohet se fondet do të siguroheshin përmes ambasadave të vendeve islamike në Beograd dhe do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në lokacione të dukshme, ndërsa medresetë do të zgjeroheshin në të gjithë Kosovën.
Dokumenti përmend edhe përfshirjen e rrjeteve të personave nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Sanxhaku, si dhe pretendon se persona me ndikim në politikë, media, muzikë dhe sport do të përfshiheshin në këtë strategji.
Një pjesë tjetër e dokumentit përshkruan një skenar ku, sipas pretendimeve të autorëve të tij, krijimi i një atmosfere të tensionuar në Kosovë do të nxiste largimin e të rinjve nga vendi dhe forcimin e identifikimit fetar të një pjese të shoqërisë. Në dokument përdoret edhe parashikimi ekstrem se, pas 20 vitesh, Kosova do të dukej “si Kandahar”.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i pretenduar i këtij skenari do të ishte krijimi i perceptimit ndërkombëtar se Kosova është një shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, duke ndikuar kështu në qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj Kosovës dhe, në skenarin e përshkruar në dokument, në kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë.
Prokuroria pretendon se dokumenti është gjetur në telefonin e sekuestruar të Shehollit gjatë hetimeve. Në raportin informues të Policisë së Kosovës, të datës 31 mars 2026, dokumenti përmendet si Prova 17, pas analizimit të mbi 20 mijë fotografive dhe imazheve të ruajtura në pajisje.
Sipas aktakuzës, përmbajtja e dokumentit duhet të shihet në ndërlidhje me provat e tjera të mbledhura nga hetimet, të cilat Prokuroria i konsideron relevante për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.
Çështja e pretendimeve për radikalizëm dhe lidhjeve të mundshme me BIA-n është përmendur edhe në raste të tjera të hetuara nga Prokuroria Speciale.
Më 14 gusht 2026, Kallxo.com raportoi për rastet e Hysri Selimit dhe Fehim Salit, të dyshuar për veprimtari të lidhura me spiunazhin.
Hysri Selimi ishte arrestuar më 6 maj 2025, ndërsa Fehim Sali më 13 gusht 2026. Sipas raportimeve, Sali dyshohet se kishte mbledhur informacione për persona që i përkisnin sektit të ashtuquajtur “Vehabi” dhe kishte dhënë rekomandime për rekrutimin e tyre nga BIA serbe. Ndërkaq, Selimi ishte akuzuar për mbledhjen e të dhënave lidhur me persona që kishin marrë pjesë në ISIS dhe të kthyerit në Kosovë nga luftërat në Siri.
Hysri Selimi ishte dënuar në shkallën e parë me gjashtë vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.