08/27/2026
Hapja solemne e “Ditëve të Shën Nënë Terezës” në Katedralen e Prishtinës
Nga Bruna Gosa
Në një atmosferë lutjeje, përshpirtërie dhe reflektimi, mbrëmjen e 26 gushtit, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, nisi solemnisht manifestimi tradicional “Ditët e Shën Nënë Terezës”, kushtuar ditëlindjes së shenjtores shqiptare dhe dhjetëvjetorit të shenjtërimit të saj.
Nisjen e këtij solemniteti e bëri famullitari i Katedrales, Don Agim Qerkini, i cili u uroi mirëseardhje të pranishmëve, duke i ftuar të gjithë të përjetojnë këto ditë jo vetëm si një traditë fetare, por edhe si një moment reflektimi mbi figurën dhe mesazhin e Nënë Terezës. Më pas, ai ftoi Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin, për të marrë fjalën.
Në fjalën e tij, Imzot Dodë Gjergji vuri në pah trashëgiminë shpirtërore dhe mesazhin universal të Nënë Terezës, duke i ftuar të pranishmit të ndjekin shembullin e saj të dashurisë që bëhet vepër, veçanërisht ndaj të varfërve, të vetmuarve dhe të braktisurve. Nënë Tereza, theksoi ai, është një udhërrëfyese e fuqishme e humanizmit, solidaritetit dhe shërbimit ndaj njeriut.
Në fjalën e tij, Don Agimi ngriti edhe një çështje që shkon përtej ceremonisë së sotme. Ai kujtoi se 5 shtatori (Dita e Shën Nënë Terezës) është festë zyrtare në Shqipëri, ndërsa në Kosovë nuk e ka ende këtë status dhe mbetet vetëm festë fetare.
Mesazhi ishte i qartë: - një figurë që bota e ka njohur, nderuar dhe kthyer në simbol universal, meriton që të kujtohet me dinjitet edhe në vendin ku lindi.
Në këtë kuptim, sfida nuk është vetëm që ta përmendim Nënë Terezën, por ta duam dhe ta nderojmë më shumë se bota, sepse ajo është pjesë e identitetit dhe kujtesës sonë. Nuk mjafton që bota ta njohë si shenjtore; përgjegjësia jonë është ta mbajmë të gjallë trashëgiminë e saj përmes veprave, edukimit, solidaritetit dhe kujdesit për tjetrin.
Pas fjalëve të rastit, mbrëmja vijoi me melodramën “And’rra e Nan’ Terezës, Njerëzorja Hyjnore”, me interpretimin e aktores Justina Aliaj, e cila përmes artit solli para publikut momente reflektimi mbi jetën, besimin dhe misionin e shenjtores.
Manifestimi do të kulmojë më 5 shtator, në festën e Shën Nënë Terezës, duke e kthyer këtë periudhë në një udhëtim të përbashkët të lutjes, kujtesës dhe ndërgjegjësimit.
Sepse Nënë Tereza është një përgjegjësi që na përket neve. Dhe mënyra më e denjë për ta nderuar është që dashurinë për të ta kthejmë në dashuri për njeriun.