14/01/2026
Deklarata e sotme e Kryetarit të Komunës së Bujanocit, sipas së cilës ndihmat financiare dhe projektet e mbështetura nga Republika e Kosovës përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar nuk paskan pasur ndonjë impakt dhe nuk e kanë prekur qytetarin e Luginës së Preshevës, është e pasaktë, joserioze madje dhe nënvlerëson realitetin në terren.
Faktet janë të qarta, të dukshme dhe të verifikiueshme, përmes projekteve të financuara nga KKSH, Luginës së Preshevës i janë siguruar mjete konkrete financiare, të cilat nga rreth 1 milion euro kanë arritur këtë vit në 4 milionë euro, me tendencë të vazhdueshme rritjeje.
Këto fonde janë rezultat i një angazhimi serioz dhe të qëndrueshëm për mbështetjen e shqiptarëve të Luginës, e jo deklarata pa bazë faktike dhe nga karriga nga flet kryetari.
Po ashtu, këto projekte të financuara nga Republika e Kosovës nuk kanë pasur ndikim vetëm në Luginën e Preshevës, por edhe në diasporën shqiptare, duke përcjellë një mesazh të qartë politik dhe kombëtar të përkujdesjes, solidaritetit dhe mbështetjes institucionale ndaj shqiptarëve kudo që ndodhen.
Mohimi i këtij kontributi nuk e ndryshon realitetin dhe as nuk e fshin ndikimin real që këto projekte kanë pasur në jetën e qytetarëve. Qytetarët e Luginës e dinë mirë kush ka kontribuar konkretisht dhe kush sot përpiqet ta relativizojë këtë mbështetje.