Pranvera Shqiptare

Pranvera Shqiptare Besëlidhje për Bashkim! Vullnet për VETËVENDOSJE! |🇦🇱
Pellazget-Ilirët-Arbërorët-Shqiptarët

Sot Republika është më e fortë se asnjëherë më parë“Nga heronjtë, dëshmorët e martirët që e dhanë jetën e tyre, te inval...
17/02/2025

Sot Republika është më e fortë se asnjëherë më parë

“Nga heronjtë, dëshmorët e martirët që e dhanë jetën e tyre, te invalidët dhe veteranët e UÇK-së, te veprimtarët dhe mbarë qytetarët që qëndruan pa lëkundur përball sfidave që të gjithëve u jemi mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyre. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë kërkon demokraci, që mundëson të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve. E demokracia nga ana tjetër kërkon institucione të forta. Institucione që mbrojnë sundimin e ligjit, garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe sigurojnë që pushteti iu shërben qytetarëve”.

- Kryeministri Kurti në 17 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

E lirë dhe madhështore qofsh përherë, e jona Kosovë!Kokën lart gjithmonë, për të shkuarën e lavdishme dhe për të ardhmen...
17/02/2025

E lirë dhe madhështore qofsh përherë, e jona Kosovë!
Kokën lart gjithmonë, për të shkuarën e lavdishme dhe për të ardhmen e ndritur!
Sot feston me ty krejt shqiptaria dhe nesër do festojmë krejtë bashkë, si një Shqipëri e tërë.

Pranvera e shqiptarëve fillon nga ty e dashur Kosovë! Të dua përjetësisht! ❤️🇦🇱

Ti qofsh beku për jetë e mot.Kosova jonë, ne të dalim zot.Urime pavarësinë Kosovë, krenari e Shqiptarisë!
17/02/2024

Ti qofsh beku për jetë e mot.
Kosova jonë, ne të dalim zot.

Urime pavarësinë Kosovë, krenari e Shqiptarisë!

Sot, më 10 shkurt, të vitit 1917, lindi një bijë e denjë e kombit shqiptar.Musine Kokalari, përgjatê viteve të rinisë, i...
10/02/2024

Sot, më 10 shkurt, të vitit 1917, lindi një bijë e denjë e kombit shqiptar.
Musine Kokalari, përgjatê viteve të rinisë, ishte një model shprese dhe frymëzimi, si një ndër studentet më të mira të asaj kohe. Si simbol frymëzimi, për të tëra gratë dhe vajzat shqiptare, që të largoheshin nga mentaliteti i errët i asaj kohe dhe të përqafonin dritën e diturisë, me anë të guximit.

Përgjatë viteve të rregjimit të errët komunist, Musineja u kthye në një simbol guximi dhe qëndrese.
Guxim për të thënë të vërtetat dhe për të çjerrur maskën e një propqgande mizore, që ndërtoi atë kohë rregjimi Komunist. Ajo qëndroi fort gjatë torturave të pa numërta, terrorit psikologjik, punës së rëndë që e detyruan të bënte.

Ajo provoi edhe përbuzjen, shmangjen nga njerëzit, të cilët ishin të detyruar të silleshin sikur ajo të mos ekzistonte fare.

Në vitet e fundit të jetës së saj e lanë për mëshirë e vetme, në kasollen e saj, në një qytet të vogël, në mes të maleve të Veriut të Shqipërisë, Rrëshenin e asaj kohe, plot me mjegull të zymtë.
Por Musineja, përcillte dritë, shpresë dhe guxim.
Shumë autorë, njerëz që e kanë parë nga afër, rrëfejnë për bukurinë e saj të pashtershme, gjerë në fund të jetës së saj. Bukurinë e shpirtit të saj. Në qytetin ku kaloj një periudhe të gjatë të jetës së saj njerëzit rrêfejnë, se Musineja e kalonte shumicën e kohës duke lexuar libra. Ajo shfaqej shpesh në biblotekën e qytetit për të marrë libra.

Në rrethanat që ajo ndodhej, duket se Musineja kishte krijuar një botë paralele, me anë të kohës që kalonte me librat. Mund të them se për Musinenë librat ishin e vetjme liri e pamatë, që i mbeti.

Musine Kokalari, është dhe do mbetet frymëzim, si simbol i rezistencës, për mbarë popullin shqiptar në ato vite të errta të rregjimit komunist.

Lavdi jetës dhe veprës së saj!

🇦🇱

31.01.2024Sot, është dita kur e kujtojmë Zahir Pajazitin, në datën e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmon...
31/01/2024

31.01.2024

Sot, është dita kur e kujtojmë Zahir Pajazitin, në datën e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, më 31 janar 1997. Sivjet u bënë 27 vite nga atëherë! Mëngjesin e sotëm, bëmë homazhe te varri i Zahir Pajazitit, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, te vendlindja e Zahirit. Pastaj, nga Orllani u ndalëm në Podujevë, ku në sheshin qendror të qytetit vendosëm lule te shtatoret e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Ilir Konushevcit dhe Edmond Hoxhës.

Ato ishin ditët e fundit të jetës së tij, që ai e jetoi në një mënyrë aq autentike, intensive dhe të jashtëzakonshme. Njëmbëdhjetë ditë më parë, më 20 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte kthyer nga Shqipëria. Si gjithmonë, ilegalisht, e kishte kaluar kufirin në Shishman të Gjakovës, për tu ndalur te Xhemë Jakupi. Bashkë me të ishin edhe Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi. Kishin shkuar t’i merrnin Hakif Zejnullahu me Ilir Konushevcin dhe Shaip Hazirin. Hera e parë që e kishte kaluar kufirin për të dalë nga Kosova në Shqipëri, kishte qenë viti 1980, për çka si i mitur që ishte, Zahirin e kishin burgosur 18 ditë në Shkodër dhe 15 ditë kur ishte kthyer në shtëpi. Shtatëmbëdhjetë vite më pas, tani ai po kthehej nga Shqipëria si një nga prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të nesërmen më 21 janar, ai i takoi shokët që t’i dëgjonte rrëfimet e tyre për dy aksione guerile që i kishin kryer gjatë kohës sa ai kishte qenë në Shqipëri. Në pesë vitet e fundit, vet ai kishte organizuar dhe kishte kryer dhjetëra aksione guerile duke shënjestruar disa nga figurat më famëkeqe të policisë së Serbisë dhe sigurimit shtetëror që e terrorizonin popullin e Kosovës në ato vite. Atentatet pothuajse perfekte të Zahirit me shokë, e kishin krijuar një mit për grupin e tij: ata bënin plane, sulmonin, kryenin aksione pa lënë shumë gjurmë dhe zhdukeshin deri në aksionin tjetër.

Kjo lloj jete prej guerilësh, ua kishte imponuar Zahirit dhe shokëve të tij që të organizoheshin në grupe të vogla, të thirreshin me nofka mes tyre, të komunikonin edhe me kode, të ndërronin shpesh vendbanim si dhe të jetonin në një formë gjysmë ilegale. Mes tyre vet Zahiri që e njihnin si “Ismeti” nga emri i Ismet Abdullahut; Ilir Konushevci apo “Mërgimi”, Rexhep Selimi që e njihnin edhe si “Agroni”; Qerim Kelmendi - “Dema”, Rrustem Mustafa - “Remi”, Shaip Haziri - “Cima”, Avni Ajeti - “Sokoli”, Selim Haziri - “Bekriu”, Fatmir Humolli - “Baci”, Naim Haziri - “Dilaveri, Sejdi Rama, Nebih Balaj, Nazmi Zuka, Isak Shabani, Lahi Brahimaj, Muharrem Ismajli dhe shumë shokë të tjerë që ishin pjesë e organizimeve të kohës.

Kur qëllonte që ndonjëri të pikasej a të arrestohej, grupet riorganizoheshin për të mos u dekonspiruar shokët e grupit. Por kësaj radhe, gjurmimet e shërbimit sekret të Serbisë kishin gjetur kanalet e tyre të komunikimit deri te rrethet e grupeve të armatosura të UÇK-së në zonën e Llapit, të përqendruar mes Prishtinës dhe Podujevës.

Natën mes 25 dhe 26 janarit, Zahiri me vëllain e tij Bajramin, si dhe Hakif Zejnullahu me dy vëllezërit e tij Bajramin dhe Sabedinin, e kaluan në shtëpinë e familjes së Zahirit. Ajo natë ishte hera e fundit që Zahiri fjeti në shtëpinë e tij. Më 30 janar, Zahiri i takoi sërish disa nga shokët në Podujevë dhe u kërkoi të bënin kujdes. Si Zahiri ashtu edhe Hakifi, kishin filluar të dyshonin që shërbimi sekret i Serbisë u kishte rënë në gjurmë. Fatkeqësisht, dita e nesërme e vërtetoi këtë.

Atë ditë të premte, më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte bashkë me Shaip Hazirin në banesën e Zahirit në lagjen “Tophane” të Prishtinës. Nga mesdita deri pasdite, Zahiri bashkë me Shaipin, me Ilir Konushevcin dhe me Hakif Zejnullahun, qëndruan te një pikë e njohur për ta, në një çajtore afër tregut të gjelbër të kryeqytetit. Pasdite vonë, ata u ndanë: Shaipi me Ilirin mbetën në Prishtinë kurse Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, morën udhë duke u nisur në rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Të përcjellur nga shërbimi sekret i Serbisë, ata ishin nxjerrë në pritë në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, prej ku nisën të shtënat duke mbetur të tre të vdekur. Rënia e Zahirit ishte aq tronditëse për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sa që u dashën gjashtë muaj riorganizime deri të aksionet e para pas rënies së tij.

I lindur më 1 nëntor 1962 në fshatin Turiqicë të Llapit, Zahir Pajaziti ishte rritur duke marrë një edukim patriotik në familje. Në vendlindje, ai ishte nxënës i shkëlqyer te mësuesi i tij Musa Sylejmani. Pas dy vitesh të kaluara në Shkollën e Policisë në Vushtrri (1976-’78), ai u përjashtua për arsye politike. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Podujevë dhe pasi e kreu, në vitin 1981 ai i regjistroi studimet për gjuhë angleze në të sapoemëruarin Universiteti i Kosovës në Prishtinë. Në tetor të vitit 1991, ai ishte një nga 54 vullnetarët e grupit të parë të atyre që u stërvitën ushtarakisht nga oficerë në Shqipëri. Politikisht, ai ishte i formuar nga veprat dhe bisedat me Adem Demaçin si dhe literatura e ndaluar e marrë nga Shqipëria. Idealisht, ai ishte i vendosur në rrugën e rezistencës së armatosur dhe luftës deri në çlirimin e Kosovës, duke e kthyer jetën e tij në një shembull të angazhimit dhe sakrificës më totale për atdheun. Për gjithë këto, Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar dhe do të studiohet nga historia moderne e tij!

Lavdi u qoftë për veprën dhe gjithë jetën e tyre Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit dhe dëshmorëve të tjerë të rënë për lirinë e Kosovës.

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

🇦🇱

27.01.2024Data 27 janar është e shenjuar botërisht si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit! Ajo i re...
28/01/2024

27.01.2024

Data 27 janar është e shenjuar botërisht si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit! Ajo i referohet 27 janarit të vitit 1945, kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni.

Në fotografitë e mëposhtme, shihet familja hebreje Altarac e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra hebrenjësh të tjerë në vitet 1941-‘42. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), kur hebrenjët persekutoheshin për t’u eliminuar, duke u gjurmuar dhe mbledhur një për një në tërë Evropën, ndër dyert e hapura për shpëtimin e hebrenjëve, ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare. Megjithëse si zona e Kosovës ashtu edhe e tërë Shqipëria ishin të pushtuara fillimisht nga fashistët dhe pastaj nga nazistët, shumë hebrenjë të ikur si nga Evropa Qendrore ashtu dhe nga Evropa Lindore, por edhe nga brenda për brenda Ballkanit, u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga shqiptarët.

Mungesa e çfarëdo tradite të antisemitizmit ndër shqiptarë, traditat e mikpritjes dhe zakoni i zotimit të marrjes së mikut të shtëpisë në besë, si dhe të tjera rrethana sociale dhe kulturore, ishin përcaktuese që si familjet shqiptare ashtu edhe autoritetet e shtetit shqiptar, të refuzojnë të përfshihen në fushatat dhe platformat antisemite të përndjekjes e shfarosjes së hebrenjëve.

Një relike e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7 vjeçar i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpëtuar kështu nga Holokausti, është ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të si dhe me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”. Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar “Kujtimi nga Shqipnia” dhe shqiptarët në historinë e trishtë të Holokaustit. Plot 55 vite më vonë, kur Serbia i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë përgjatë gjenocidit në Kosovë, në maj të vitit 1999, shteti i Izraelit i priti rreth 200 prej tyre duke i strehuar si refugjatë lufte nga Kosova. Asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin në histori, andaj ai duhet kujtuar dhe brezat duhen edukuar mbi të. Historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët, tregon se sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët.

Kujtojmë për t’mos harruar dhe nuk harrojmë për t’mos u përsëritur!

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti

291 vjet më parë, çeli dyert e dijes një qendër e rëndësishme arsimore dhe kulturore, Kolegji arbëresh i Shën Adrianit. ...
23/01/2024

291 vjet më parë, çeli dyert e dijes një qendër e rëndësishme arsimore dhe kulturore, Kolegji arbëresh i Shën Adrianit.

Kolegji i Shën Adrianit u çel më 19 janar 1734 dhe u konsiderua institucion i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit dhe kultivimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe atdhetare të Arbëreshëve.
Kolegji, kjo vatër e dijes i dha personalitete të mëdha kulturës shqiptare, pasi në këtë kolegj studiuan dhe u formuan personalitete të ndryshme kulturore shqiptare si Jeronim De Rada, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Domenik Mauro, Kolë Kamsi e shumë të tjerë. Me themelimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe nga Jeronim de Rada (1849), kolegji dha ndihmesë të rëndësishme për shkollën shqipe e mendimin pedagogjik shqiptar. Kolegji arbëresh i Shën Adrianit pati një rëndësi të madhe për rolin dhe kontributin e tij në fushën kulturore e atdhetare.

- Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

🇦🇱

Më 20 janar 2010, vdiq shqipëruesi i “Komedisë Hyjnore”, Pashk Gjeçi.Ndoqi shkollën dhe gjimnazin jezuit në vendlindje, ...
20/01/2024

Më 20 janar 2010, vdiq shqipëruesi i “Komedisë Hyjnore”, Pashk Gjeçi.

Ndoqi shkollën dhe gjimnazin jezuit në vendlindje, në Shkodër, ku mësoi italishten, greqishten e vjetër dhe latinishten. Qysh se ishte nxënës, Gjeçi sprovoi penën duke përkthyer disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të mbuluar nga qeveria e kohës, nisi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Romë. Më 15 korrik të vitit 1942, mori titullin “Doktor” në letërsi.

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947, u ndalua me akuzën “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Shoqërimi me profesor Ernest Koliqin i la gjurmë të pashlyeshme në kujtesë, edhe pse do t'i kushtonte 5 vjet burg nga regjimi komunist. Pas lirimit, u transferua në Fushë Krujë, ku punoi i përkushtuar për përkthimin e kryeveprës “Komedia Hyjnore”. Menjëherë pas botimit të “Komedisë Hyjnore” të Dantes, nisi të përkthente një tjetër klasik të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Shqipërimin e përsosi edhe më me “Fausti”-n e Gëtes dhe “Hamleti”-n e Shekspirit.

Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedise Hyjnore”. Për përkthimin e Dantes, Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me titullin “Ordine della stella, della solidarietà italiana”.

Bashkëlidhur, një artikull përkujtimor i Gjeçit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit.

- Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

🇦🇱

Më 17 janar të vitit 1468, e lëshoi frymën e fundit për së gjalli, fisniku arbnor Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderb...
17/01/2024

Më 17 janar të vitit 1468, e lëshoi frymën e fundit për së gjalli, fisniku arbnor Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu! Këmbanat në Lezhë ranë për të dhënë lajmin për vdekjen e tij, kurse shumë letra nga shumë anë u shkruajtën dhe u dërguan drejt Venedikut, Romës, Sienës, Napolit, Aragonës, Dubrovnikut e Stambollit, me njoftimin që Skënderbeu kishte vdekur.

Sot bëhen 556 vite nga dita kur vdiq Skënderbeu. Ai ishte 63 vjeçar, por përtej viteve të jetës së tij, ndër shekuj, figura e Skënderbeut vazhdoi të bënte histori, që nga koha kur heroizmat e tij e frymëzuan mbrojtjen e Evropës dhe deri në shekullin e XIX kur u rimorr nga rilindasit për ta qendërzuar rreth tij ngritjen e kombit shqiptar.

Që nga koha kur Marin Barleti e shkroi biografinë për jetën dhe të bëmat e Skënderbeut dyzet vite pas vdekjes së tij, shumë historianë, studiues e autorë kanë shkruar deri sot një mori veprash nga pikëpamje dhe për aspekte të ndryshme për Skënderbeun. Në literaturën aq të gjerë të studimeve për Skënderbeun dhe epokën e tij, në njëqind vitet e fundit, veprat dhe studimet kyçe janë ato të Fan Nolit, Athanas Gegajt, Zef Valentinit, Aleks Budës, Kristo Frashërit, Kasem Biçokut, Oliver Jens Schmittit, Lucia Nadinit, Aurel Plasarit, Pëllumb Xhufit etj. Të botuar dhe të ribotuar në shumë edicione, këta libra dhe këto studime janë tekstet ideale që duhen lexuar për ta njohur historinë e personalitetit dhe të figurës së Skënderbeut.

Lavdi ndër mote veprës heroike të Kryezotit të Arbnisë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut!

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti

🇦🇱

17.01.2024Në kujtim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri ZekësMes atentateve politike në historinë moderne të Koso...
17/01/2024

17.01.2024

Në kujtim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës

Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete. Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre. Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982. Ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat.

Atë të dielë dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit. Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës. Prej tyre, gjashtë plumba e kapën Bardhoshin që po e voziste makinën, kurse Jusufi dhe Kadriu u goditën me nga dy plumba. Një atentat i kryer qartazi nga vrasës të trajnuar dhe i ideuar politikisht, sipas stilit famëkeq të shërbimeve sekrete të Serbisë, që veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, i kishte ashpërsuar shumëfish përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi aktivistët politikë shqiptarë që i gjurmonte edhe jashtë shtetit.

Rënia aq e bujshme e Jusufit, Bardhosh*t dhe Kadriut si dhe jehona aq e gjatë e këtij atentati, nuk u përcoll deri në fund nga drejtësia. Por historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës.

Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti

🇦🇱

Më 17 janar 1468, u nda nga jeta heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Zot i Arbërisë, ashtu siç ai e nënshkr...
17/01/2024

Më 17 janar 1468, u nda nga jeta heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.

Zot i Arbërisë, ashtu siç ai e nënshkroi veten, ai paraqet një epokë të tërë të historisë kombëtare në luftën shekullore kundër zgjedhës osmane, në mbrojtje të tokës, pasurisë e të lirisë.

Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.

Pavarësisht se ka jetuar para më shumë se 5 shekujsh, nderimi i shqiptarëve për të edhe sot mbetet i pakursyer! Monumenti i tij ngritet në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Krujë dhe disa qytete të tjera. Emri i tij shënon shumë institucione arsimore, ndërsa është figurë për të cilën ende nuk rreshtin hulumtimet e studimet.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me rastin e 556-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, e përkujton me dy fotografi të pikturave me portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, tre ekzemplarë dekretesh të përgatitura në emrin e Gjergj Kastriotit të cilat ndodhen të ruajtura në AQSH, si dhe me një fotografi të një tabloje të titulluar "Skenderbeu gjatë një beteje".

- Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

🇦🇱

Ismail Qemal Vlora, një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar, por dhe ndër më të respektuarit, të kontinen...
16/01/2024

Ismail Qemal Vlora, një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar, por dhe ndër më të respektuarit, të kontinentit të vjetër, në atë periudhë kohore. Plaku i urtë i shqiptarisë, një diplomat , politikan, rilindas , burrë shteti dhe themelues i Shqipërisë moderne . Autori e firmëtari kryesor i Deklaratës së Pavarësisë , i cili më pas shërbeu si Kryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë gjatë periudhës 1912-1914.

Udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në Vlorë më 16 Janar 1844 në një nga familjet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut, Familjen Vlora. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin me famë “Zosimea” në Janinë. Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.

Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj.

Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi. Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.

Mori pjesë në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër Xhonturqve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Më 1909 mori pjesë në kundërrevolucionin kundër Xhonturqve dhe u zgjodh kryetar i Partisë Liberale (Ahrar). U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjes kundërosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar. Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar.

Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme. Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar.

Në vitin 1918, Qemali udhëtoi në Itali për të nxitur mbështetjen për të drejtat e shtetit shqiptar, në Konferencën e Paqes që do të mbahej në Paris, por qeveria italiane e pengoi të largohej nga Italia dhe mbeti si mysafiri i saj i pavullnetshëm në një hotel në Perugia, gjë që e acaroi shumë. Vdiq në rethana të dyshimta (helmimi) më 26 janar 1919. Pas vdekjes, trupi i tij u soll në Vlorë.

🇦🇱

Dirección

Albania

Página web

Notificaciones

Sé el primero en enterarse y déjanos enviarle un correo electrónico cuando Pranvera Shqiptare publique noticias y promociones. Su dirección de correo electrónico no se utilizará para ningún otro fin, y puede darse de baja en cualquier momento.

Compartir