10/09/2026
Ndahet nga jeta Fehmi Hyseni, gastronomi i njohur llapjan dhe babai i Muhamet Hysenit
Është ndarë nga jeta Fehmi Hyseni, një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara të gastronomisë në Llap.
Hyseni, i lindur më 5 maj 1959, ndërroi jetë sot, më 10 shtator 2026, në moshën 67-vjeçare.
Për dekada me radhë, emri i Fehmi Hysenit ishte i lidhur me gastronominë në Podujevë. Përmes punës dhe përkushtimit të tij, ai u bë një fytyrë e njohur për shumë gjenerata të qytetarëve.
Por pas emrit të njohur në gastronomi qëndronte edhe një njeri me zemër të madhe, i cili dinte ta shihte nevojën e tjetrit dhe të gjendej pranë tij.
Të mirat që bëhen në heshtje shpesh nuk marrin tituj e nuk kërkojnë duartrokitje, por mbeten gjatë në kujtesën e njerëzve. Fehmi Hyseni ishte një prej atyre njerëzve që mirësinë e shprehte përmes veprave, duke ndihmuar dhe duke u gjendur pranë atyre që kishin nevojë.
Ndoshta shumë prej këtyre veprave nuk do të shkruhen kurrë në asnjë lajm, por do të mbeten në zemrat e njerëzve që i kanë përjetuar. E kjo është një nga gjurmët më të çmuara që një njeri mund të lërë pas vetes.
Fehmi Hyseni ishte babai i futbollistit të njohur llapjan, Muhamet Hyseni. Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi një prind dhe një njeri të dashur, ndërsa shumë qytetarë humbën një fytyrë të njohur të qytetit.
Pas një jete të kaluar mes punës, njerëzve dhe familjes, Fehmi Hyseni po përcillet për në banesën e fundit në vendlindjen e tij.
Varrimi do të bëhet sot në fshatin Majac, vendlindjen e të ndjerit nga ora 18:00.
Allahu e mëshiroftë, ia faltë të metat dhe e shpërbleftë për çdo të mirë që ka bërë gjatë jetës.
U prehtë në paqe Fehmi Hyseni.