28/09/2026
Banorët e fshatit Arapaj i janë drejtuar redaksisë së Piranjat News me një denoncim të shoqëruar me video dhe foto, ku tregon situatën dramatike me mungesën e ujit të pijshëm.
Sipas banorëve, në lagjen ku banojnë nuk ka ardhur ujë në shtëpi prej një muaji e gjysmë. Familjet janë detyruar të blejnë ujë me shishe, ndërkohë që në fshat uji po derdhet kot në kanale të hapura dhe të mbushura me mbeturina.
Në videon e dërguar shihet qartë një kanal i ndotur, i mbushur me qese plastike, shishe, gurë dhe mbeturina të ndryshme, ku uji rrjedh me forcë. Banori shpjegon se ky ujë vjen nga një burim dhe kalon pranë ambulancës në Arapaj, por nuk arrihet të shfrytëzohet për furnizimin e shtëpive.
“Kjo është gjendja e ujit në Arapaj. Ne kemi mbi një muaj që nuk kemi ujë, nuk është shaka. Ky ujë shkon kot. Ju lutem na ndihmoni, se kemi mbetur pa ujë dhe gjithçka është bllokuar”, thotë një banore në video.
Në mesazhin e dërguar së bashku me materialin, banorja shkruan:
“Këtu është në fshatin Arapaj. Ju lutem na ndihmoni të na sjellin ujin nëpër shtëpi, në lagjen ku jam unë. S’kemi ujë prej 1 muaji e gjysmë, ndërkohë që këtu uji lum. Ngelem duke blerë ujë me shishe.”
Situata e përshkruar tregon një mospërputhje të rëndë: uji ekziston dhe rrjedh, por nuk menaxhohet për të furnizuar banorët. Kanalet e hapura janë të mbushura me plehra, duke rrezikuar edhe ndotjen e mëtejshme.
Banorët e Arapajt kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse, që uji të futet në rrjetin e shtëpive dhe të ndalet humbja e tij në natyrë.
Piranjat News ftojnë qytetarët të denoncojnë problematikat që kanë në zonat e tyre.