Gazeta Letrare

Gazeta Letrare Gazeta Letrare është një revistë online që përqendrohet në krijimtarinë e re letrare në hapësirën shqiptare.

Ajo pasqyron zhvillimet e fundit të letërsisë bashkëkohore, duke promovuar autorë të rinj dhe botime letrare nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Skënder HodoA e mban mend…?..Kur u rritëm nëpër rrugicat e qyteteve tona ,  ku njerëzit jetonin me dyert dhe zemrat hapu...
13/09/2026

Skënder Hodo

A e mban mend…?
..Kur u rritëm nëpër rrugicat e qyteteve tona , ku njerëzit jetonin me dyert dhe zemrat hapur?
Komshinjtë nuk ishin thjesht komshinj. Ishin njerëzit tanë.
Atëherë thuhej me krenari:
— Ne dimë edhe sa lugë e pirunë ka komshiu…
Dhe vërtet i dinim.
Sepse hanim bashkë, qanim bashkë, rriteshim bashkë.

A e mban mend kur u rritëm dhe na erdhi mosha e dashurisë?
Sa turp kishim të përshëndesnim vajzën apo djalin që na pëlqente.
Kur kalonte pranë nesh dhe zemra rrihte fort, por sytë uleshin përdhe.
Dashuronim në heshtje…
Sa shumë dashuri mbetën të pathëna në atë kohë.
A e mban mend atë plagën e ëmbël?
Kur shihje më vonë shokun apo shoqen e lagjes të martuar me dikë tjetër dhe në heshtje mendoje:
— Pse nuk u martova unë me të?
Një trishtim pa zë.
Një mall për diçka që nuk ndodhi kurrë.

A e mban mend fëmijërinë?
Kur nëna të çonte në çerdhe për dore, kur uleshim mbi ata uturakët e vegjël dhe qeshnim pa arsye.
Sa të pafajshëm ishim…
Po festën e Abetares?
Kur recitonim me emocion vjershën e “Zogut” dhe mendonim se po pushtonim botën.
Ah, sa kohë e bukur ishte…
Shkollat gumëzhinin nga zërat e fëmijëve.
Oborret mbusheshin me vrapime, me t**a leckash, me vajza që hidhnin litar dhe me djem që ziheshin e pajtoheshin pas pesë minutash.
Dhe pastaj vinte vera…

A e mban mend Përmetin në mbrëmjet e verës?
Rrugicat mbusheshin me njerëz. Karriget dilnin para dyerve. Diku dëgjohej muzika, diku një bisedë që zgjatej deri vonë.
Nuk kishim nevojë për shumë gjëra që të ishim bashkë.
Mjaftonte një radio, një këngë, një kitarë, një shesh dhe shoqëria.
Ishim të rinj dhe nuk e dinim se ato mbrëmje do të bëheshin një ditë kujtimet tona më të shtrenjta.

A e mban mend kinemanë?
Filmat që prisnim me padurim, biletat që i ruanim, shokët me të cilët shkonim dhe ato vajzat që, ndoshta, nuk i shikonim fare filmin…
Sepse ishim më të interesuar të shikonim njëri-tjetrin.

Po estradat?
Të qeshurat, duartrokitjet, batutat që i përsërisnim të nesërmen në lagje.
Po ekskursionet?
Një autobus, pak bukë me vete, një shishe ujë dhe një gëzim që sot do të na dukej i pabesueshëm.
Kaq na mjaftonte.

Pastaj erdhi koha e ikjeve.
Disa morën rrugën e Tiranës.
Të tjerë shkuan larg.
Qytetet nisën të boshatiseshin ngadalë.
Dera e komshiut që dikur hapej vetë, nisi të mbyllej.
Shkollat humbën zërat e fëmijëve.
Kinematë humbën radhët.
Rrugicat humbën hapat tanë.

Dhe një ditë u kthyem…
Por qyteti nuk ishte më ai që kishim lënë.
Pemët ishin plakur bashkë me ne.
Muret e shkollës ende qëndronin, por zërat tanë nuk ishin më aty.
Shkuam te vendet ku dikur qeshnim, ku dashuronim, ku bënim plane për jetën…
Kërkonim nëpër rrugicat fëmijërinë tonë.. por ...asgjë...

Dikur kishim pak, por e donim njëri-tjetrin shumë.
Sot kemi më tepër… por shpesh na mungon ajo që nuk blihet me para: -dashuria për njërin tjetrin.
Dhe kjo, sot, na duket pasuria më e madhe që kemi humbur.

Prandaj, kur kthehemi në qytetin tonë, ecim ngadalë nëpër rrugët ku dikur vraponim.
Prekim muret e vjetra sikur kërkojmë aty zërin tonë.
Kalojmë pranë një shkolle dhe na duket sikur dëgjojmë zilen.
Dëgjojmë një këngë të vjetër dhe, për disa sekonda, bëhemi përsëri ata djem e ato vajza që ishim dikur.
Dhe papritur kuptojmë një gjë të dhimbshme, se
koha nuk mori vetëm rininë tonë…
Ajo mori edhe një mënyrë e të jetuarit,
e të dashuruarit dhe e të qëndruarit pranë njëri-tjetrit.

Por ndoshta kujtimet janë mënyra që jeta ka gjetur për të mos na i marrë të gjitha.
Prandaj sot dua të të pyes:
A e mban mend?

A e mban mend rrugicën tënde?
Oborrin e shkollës?
Shokun që nuk e ke parë prej vitesh?
Vajzën që dikur e doje në heshtje?
Mbrëmjen e verës kur nuk doje të ktheheshe në shtëpi?
Kinemanë, estradën, ekskursionin?
Zërin e nënës?
Një mik që sot nuk jeton më?
Një shtëpi që sot është bosh?
Një qytet që dikur ishte plot me njerëz dhe sot duket sikur pret dikë që nuk do të kthehet më?

Nëse i mban mend, mos i lër vetëm në kujtesën tënde.
Shkruaji.
Tregoji.
Sepse një ditë, kur ne të mos jemi më, dikush tjetër do të ketë nevojë të dijë se si dinim të jetonim, si dinim të qeshnim, si dinim të donim.
Mos e kalo thjesht me një buzëqeshje.
Ndal një çast.
Mbyll sytë…
Dhe kthehu atje.
Sepse disa vende nuk ekzistojnë më.
Disa dashuri nuk u thanë kurrë.
Por për sa kohë i mbajmë gjallë në kujtesë…
ata nuk kanë ikur krejtësisht.

A e mban mend…?

Tiranë më 13 shtator 2026

Arbana ArbaRozafa ime shterpë Nuk e di vërtet se sa shpirt i mirë jam,ndërsa disa pragje të shtrenjtanuk arrita t’i kapë...
13/09/2026

Arbana Arba

Rozafa ime shterpë

Nuk e di vërtet se sa shpirt i mirë jam,
ndërsa disa pragje të shtrenjta
nuk arrita t’i kapërcej dot.

Pikërisht ishin ato
që ngritën murin më të lartë
për të ndërtuar shpirtin tim të drejtë.

Dhe unë,
që me sfilitjen e nje Sizifti ,diten ndërtoj
ura paqeje mes tyre,
e ndërsa gjithë natën
hije ogurzeza në plencin e tyre i gëlltisin.

Po Rozafa ime
ka ngelur shterpë,
dhe unë më kot shpresoj se një ditë fatlume ajo do mbarset,
që kur midis gishtave të duarve më humbet besimi.

Rozafa ShpuzaAsht koha me u lutëQyteti ka veshë parzmoree frymon si n’jerm,mbështjellë me pelerinën gri të pritjesqë i k...
13/09/2026

Rozafa Shpuza

Asht koha me u lutë

Qyteti ka veshë parzmore
e frymon si n’jerm,
mbështjellë me pelerinën gri të pritjes
që i ka mpi kambanelët
e alt**arlantët e minareve.

Asht koha me u lutë,
koha me bashkue pëllambët
e buzët me belbë papra refrenin “na ruej Zot”,
koha me u ulë në gjunj
e sytë me drejtue kah dielli.

Asht koha me mbyllë veshët
e me ndi veç gjurmët e shiut
që përplasen mbi kalldrëmet e shetitoreve,
ku karriget e kafeve janë dëshmitare
të bisedave të mbrame.
Qyteti asht mrrollë prej vikamash,
petkat i janë birue prej breshnish
që shprazen mbi qetinë e netve
apo esëllin e nadjeve.

Asht koha me u lutë,
se fjalët e kanë hupë kuptimin,
indiferenca pin kafen aty ku gjaku s’asht tha
e ndërgjegja kotet
si nji i sëmurë që sapo ka marrë morfinë.

Druhem se na ka mbetë,
veç me pritë që prej bedenave të Rozafës
jehona me na kthye përgjigjen
e perëndisë së ngjizjes:
“Prapë do t’ia nisim prej s’parit.”

(Shtator ‘25)

Lulzim TafaBISEDË ME GURËDua me folë me juDiçka në besëDhimbjeA ndieni ndonjëherëA ju ka pjekë dielliA ju ka pjekë malli...
12/09/2026

Lulzim Tafa

BISEDË ME GURË

Dua me folë me ju
Diçka në besë

Dhimbje
A ndieni ndonjëherë

A ju ka pjekë dielli
A ju ka pjekë malli

Kush ju ka ngri’
Që as zjarri më
Nuk mundet
Me ju shkri’

Shkurtë Kdriu ÇitakuKATABASISJam poshtë, aty ku s‘ka fund.Dhe herë - herëkthej kokën të shikoj nga erdha.Në këtë rrugë p...
12/09/2026

Shkurtë Kdriu Çitaku

KATABASIS

Jam poshtë,
aty ku s‘ka fund.
Dhe herë - herë
kthej kokën të shikoj nga erdha.
Në këtë rrugë pa dalje,
jam fillikat, ashtu siç mund të jesh dhe ti...
në këtë Alkatraz.
Nuk e di a jam në sulm, a mbrojtje,
veç ndiej se më shqyen errësira.
Në mes librash që s’mund t’i numëroj,
zerat e Hygos, Dostojevskit, Kamys e Dantes,
lëmeritur më shtyjnë shkallëve teposhtë.
Krejt në fund,
nga të gjithë zërat e frikshëm,
zëri që te çmend është ai i brendshmi.
Dhe nis t’i flas vetes:
aty ku s’ka njeri,
ku humnera bën pazare,
në hapësirën rrotulluese,
ku ndodh veç fillimi.
Në çdo frymëmarrje,
ofshamë e madhe qan gjoksin tim,
tek sa errësira përhumbet në...
ANABASIS
E vetmja dorë që më zgjon është ajo e imja,
ndaj ktheva rrugën mbrapsht
në pranverë të hapur.
Jam mbi sipërfaqe
aty ku janë të gjithë,
aty ku jam dhe unë.
Larg nga katabasis.

shk.

Nga rrënjët te rruga imeNga Angela KostaKur isha njëzet e tre vjeçe, kisha shumë pyetje dhe pak përgjigje. Kisha ëndrra,...
11/09/2026

Nga rrënjët te rruga ime

Nga Angela Kosta

Kur isha njëzet e tre vjeçe, kisha shumë pyetje dhe pak përgjigje. Kisha ëndrra, druajtje dhe një besim te jeta, të cilin sot e shoh me dhembshuri.

Përballë meje shtrihej një rrugë që ende nuk mund ta përfytyroja: të lija Shqipërinë, të mbërrija në Itali, të filloja nga e para, të mësohesha të jetoja larg vendit tim dhe të ndërtoja ngadalë një ekuilibër të ri, pa humbur atë që kisha qenë.

Përvoja e emigrimit më mësoi se të largohesh nuk do të thotë t’i fshish rrënjët e tua. Përkundrazi, ndonjëherë është pikërisht largësia ajo që na bën të kuptojmë se sa thellë i përkasim një vendi, një gjuhe, një kulture dhe traditave të saj.

Në ato vite ishte letërsia ajo që adhuroja aq shumë, që në adoleshencë. Librat e autorëve të mëdhenj, që i lexoja me një frymë, me kalimin e kohës u bënë prani e rëndësishme në formimin tim. Përmes faqeve të tyre kërkoja përgjigje, por mbi të gjitha mësoja ta shihja realitetin me sy më të vëmendshëm.

Më pas, pothuajse natyrshëm, ato lexime filluan të shndërroheshin në diçka timen.

Leximi u bë shkrim, shkrimi u bë përkthim dhe përkthimi më mundësoi të përshkoja gjuhë e kultura të tjera, duke krijuar një lidhje mes botëve që, në pamje të parë, mund të dukeshin të largëta.

Ndërkohë, bota ka ndryshuar; kanë ndryshuar njerëzit, shoqëria dhe mënyra e komunikimit. Kemi kaluar përmes krizash, luftërash dhe transformimesh të mëdha. Edhe unë kam ndryshuar bashkë me të gjitha këto.

Sot e shoh botën me sy të ndryshëm nga ata që kisha në moshën njëzet e tre vjeç. Jo me më pak shpresë, por me një vetëdije që atëherë nuk mund ta kisha: çdo përvojë, edhe më e vështira qoftë, mund të lërë diçka brenda nesh.

Kur mendoj për vajzën që isha, nuk ndiej nostalgji për atë që ka kaluar, por mbi të gjitha ndiej mirënjohje.

Ishte ajo që u nis. Ishte ajo që kërkoi një rrugë të re. Ishte ajo që takoi librat, gjuhën dhe letërsinë dhe, përmes gjithë kësaj, zbuloi një pjesë gjithnjë e më të thellë të vetvetes.

Në moshën njëzet e tre vjeç kërkoja vendin tim në botë. Sot e di se nuk ishte një vend i caktuar ai që më priste.

Ishte një rrugë për t’u ndërtuar, hap pas hapi, përmes shumë sakrificash, veprash dhe fjalësh.

Ja pse sot jam ende këtu…

Sërish…

Marigona KelmendiUjk e ujqMe ty nis dimri herëtMe të tjerë xhindoseshBëhesh llavëAcari thurimë akulliKristalesh pika gja...
11/09/2026

Marigona Kelmendi

Ujk e ujq

Me ty nis dimri herët
Me të tjerë xhindosesh
Bëhesh llavë
Acari thurimë akulli
Kristalesh pika gjaku
Mbi të bardhën borë
Gjithkah lapidarë
Kur liria vjen vonë
Ti u bëre ujk në kohë ujqish
Të mos çahej
Ndahej hahej
Toka
Ti u bëre ujk
Klithjesh të heshtura
Ndale orteqet e së keqes
O ujku im i mirë
Secilës retinë ia pe lojën
Mes ujqish
Ia nise udhës së shkronjave
Pa të bërë vërr syri
Unë pres qëndismën
Si ajo goca e flamurit
E di që ti s'ma fale kurrë ikjen
A nuk qe kohë ujqish
Mos e përsërit shikimin
O trimi im i mirë
Mes ujqve duhet të jesh ujk
O ujku im i mirë
Digju siç digjet pritja ime
Për shkëlqimin tim
E tëndin

Mirushë MusaKURORË HËNASH Nuk hezitoj të shkruaj për ty,o Atdheu im,Ti njoh plagët e dhembjes, sa të vjetra i ke.Dhe gja...
07/09/2026

Mirushë Musa

KURORË HËNASH

Nuk hezitoj të shkruaj për ty,o Atdheu im,
Ti njoh plagët e dhembjes, sa të vjetra i ke.
Dhe gjakun e derdhur si lumë për mbi gur,
Jam krenare për ty, nuk të tradhëtoj kurrë.

E njoh trimërinë të vashave arbërore,
Që luftuan në beteja krah për krah me burrat.
Në përballje me armikun s'u mposhtën kurrë,
Si shqiponjat mbi shkëmbinj mbeten skulpturë.

Jam rritur mbi kreshtat me kurorë hënash,
Yjet pushojnë në bukuritë e tyre përrallore.
Mes luleve të egra dhe aromave të thanave,
Në kasollë prej druri buzë kroit si sy zanash.

Mes atyre kodrave ushton gurra e përroit,,
Si njė kengë lashtësie i zgjon lisat e malit .
Hëna dhe dielli kuvendojnë nëpër ato oda,
Me djelminë e shalës, shkifterë e shqiponja.

Kam parë gurët e mykur, larë prej gjakut,
Dhe gjamët maleve që jehonin me shpresë.
I njoh mikëpritjet e fshatit brenda konakut,
Që shtruan sofrat me buk krip, zemer e besë.

Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të ShqipërisëAkademik Alek...
07/09/2026

Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Akademik Aleks Buda lindi më 7 shtator të vitit 1911, në një familje fisnike dhe patriote të Elbasanit. I ati, Dhimitër Buda, farmacist i njohur, kontribuoi si delegat në Kongresin e Manastirit dhe si një nga financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar.

Shkollimin fillor e kreu në Leçe të Italisë, të mesmen në Zalcburg të Austrisë, ndërsa studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Vjenës. Në vitet 1939–1943 punoi si mësues në Liceun e Tiranës dhe të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit.

Në vitet 1945–1946 drejtoi Bibliotekën Kombëtare, ku dha një ndihmesë të çmuar në organizimin e fondit të saj. Më pas ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku themeloi sektorin e historisë dhe sociologjisë, duke kontribuar në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë, historisë së lashtë, mesjetës, kohës së re, artit mesjetar dhe etnografisë. Me formimin e Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë më 1955, Buda hodhi bazat e medievistikës shqiptare, duke e vendosur këtë fushë në themelet e saj shkencore.

Me ngritjen e Universitetit të Tiranës, ai u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Punoi me përkushtim për përgatitjen e historianëve të rinj, sidomos në fushën e historisë mesjetare, duke formuar breza të tërë studiuesish.

I zgjedhur si kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që në themelimin e saj në vitin 1972, akad. Aleks Buda, ka luajtur një rol themelor në konsolidimin e institucionit dhe në orientimin e kërkimit shkencor shqiptar drejt standardeve bashkëkohore. Ai u dallua për vizionin e tij në organizimin e strukturave akademike, për mbështetjen e studimeve në fushën e historisë, gjuhësisë dhe kulturës kombëtare, si dhe për përpjekjen e vazhdueshme për ta vendosur Akademinë në një raport të denjë me institucionet shkencore ndërkombëtare. Kontributi i tij mbetet një pikë referimi për zhvillimin e shkencës shqiptare dhe për rolin e Akademisë si qendër e dijes dhe e autoritetit shkencor.

Akademik Aleks Buda u nda nga jeta më 7 korrik 1993, në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur që e vendos ndër figurat më të ndritura të historiografisë shqiptare dhe të jetës akademike të vendit.

www.akad.gov.al

Greta KadareMë pak frymëLëndim,Thuamashtu dërrmuar, dehur trishtim,ç’thosha,kur rashë të humbja në gjumë.Mërmërima apo f...
06/09/2026

Greta Kadare

Më pak frymë

Lëndim,
Thuam
ashtu dërrmuar, dehur trishtim,
ç’thosha,
kur rashë të humbja në gjumë.

Mërmërima apo fryma,
cila më shumë bënte zhurmë!?

E tek mbytej deti i ngashërimës,
fryma më pak kish frymë.
A t’u dhimbsa,
sa për të më harruar
në gjithë këtë harrim.

Adresse

BonnerStr. 69
Sankt Augustin
53757

Webseite

Benachrichtigungen

Lassen Sie sich von uns eine E-Mail senden und seien Sie der erste der Neuigkeiten und Aktionen von Gazeta Letrare erfährt. Ihre E-Mail-Adresse wird nicht für andere Zwecke verwendet und Sie können sich jederzeit abmelden.

Service Kontaktieren

Nachricht an Gazeta Letrare senden:

Verknüpfungen

Teilen