16/09/2026
Sot mund të dalë një aktgjykim në Hagë, por kurrë askush nuk do të mund ta shkruajë fundin e historisë suaj e tonë, fundin e historisë së Kosovës! Historia jonë nuk u bë nëpër kolltuqe e zyra të ftohta gjykatash e diplomacish. Ajo u shkrua me gjak, me qëndresë, me sakrificë e me guximin e çelnikut nga një popull kreshnik që refuzoi përgjithmonë të jetojë nën thundrën e frikës e të robërisë.
Këto akuza të rreme e të montuara turpshëm nuk janë asgjë tjetër veçse pjellë e mbeturinave dhe kolaboracionistëve të Serbisë, të cilët asnjëherë nuk e gëlltitën dot humbjen dhe lirinë tonë. Prandaj sot, kur u goditen e preken ata djem që iu bënë ballë stuhisë, ata që u bënë vetë lufta, pushka dhe historia e kësaj t**e të larë me lot, ne nuk e harrojmë asnjë sekondë kush jemi, nga kemi ardhur dhe sa shumpeshë peshon kjo liri!
Ne sot qëndrojmë ballëlart e krah për krah me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Jo se historia matet apo varet nga një vendim i vetëm letre e ushqyer nga shpifjet e bashkëpunëtorëve të armikut, por se historia e Kosovës është me mijëra herë më e madhe, më e lavdishme e më e shenjtë se çdo aktgjykim!
Mund të gjykohen njerëz, mund të shkruhen e të marrin vendime pafund mbi gënjeshtra, por një popull fitimtar që e fitoi lirinë e vet me sakrificën më të madhe humanitare, nuk ia dorëzon kujtesën, dinjitetin dhe krenarinë e vet kërkujt në këtë botë!
Sot nuk është ditë për të ulur kokën e për të heshtur! Sot është dita për të ulëritur me zë të lartë se liria e Kosovës është e paprekshme, është e fituar me gjak e me djersë, dhe askush mbi këtë nuk mund ta fshijë apo ta përbaltë atë!
Me Kosovën amë në zemër!
Me historinë e lavdishme në mendje!
Me kokën lart si gjithmonë!
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës!