08/01/2026
Të mësohemi të lavdërojmë kur bëhet punë e mirë, e jo vetëm të ankohemi
Kosova po kalon një periudhë me kushte të vështira atmosferike, të cilat kanë shkaktuar pasoja serioze në shumë qytete dhe rajone të vendit. Këto janë fatkeqësi natyrore, të pandalshme dhe jashtë kontrollit njerëzor. Megjithatë, përballë kësaj situate, është e rëndësishme të theksohet se institucionet, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, nuk kanë qëndruar duarkryq.
Në shumë komuna janë angazhuar maksimalisht kryetarët, drejtoritë e emergjencave, zjarrfikësit, si dhe biznese private e qytetarë që kanë vënë në dispozicion mekanizme dhe mjete për t’u përballur me situatën. Ky angazhim është real dhe i prekshëm në terren.
Megjithatë, ajo që shpesh bie në sy është pritshmëria jo reale e një pjese të qytetarëve, sidomos në Prishtinë, të cilët presin që rrugët të jenë plotësisht të pastruara që herët në mëngjes, pavarësisht intensitetit të reshjeve gjatë natës. Kjo qasje shpesh kalon kufijtë e arsyes, duke e shndërruar një situatë emergjente në objekt kritikash të vazhdueshme.
Në vend që të vlerësohet puna e bërë nga ekzekutivi i Prishtinës, në veçanti nga Drejtoria e Emergjencave dhe drejtori Lulzim Fushtica, i cili së bashku me stafin e tij dhe zjarrfikësit ka qenë në gjendje gatishmërie gjatë gjithë natës dhe kudo ku është kërkuar ndërhyrje, fokusi shpesh mbetet vetëm te ankesat.
Qytetarët e Prishtinës, por edhe të gjithë ata që jetojnë apo veprojnë në këtë qytet, duhet të kultivojnë më shumë ndjenjën e përgjegjësisë qytetare dhe shpirtin ndërmarrës. Pastrimi i borës para shtëpisë, hyrjes apo rrugicës nuk është turp dhe as barrë e rëndë. Përkundrazi, është kontribut minimal, por i vlefshëm për komunitetin.
Në kohë sfidash, solidariteti dhe vlerësimi i punës së mirë janë po aq të rëndësishme sa edhe kritika. Vetëm kështu ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më funksionale dhe më reale në pritshmëritë e saj.
Ismet ShHaziri Zllata