08/01/2026
Një shtetase amerikane nga Atlanta, Georgia, ka themeluar një organizatë kushtuar mbrojtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare, e frymëzuar nga një përvojë personale që, sipas saj, i shpëtoi jetën.
Ashley Wood, themeluese dhe drejtuese e organizatës “Albanian Voices” (Zërat Shqiptarë), tregon se dy vite më parë, ndërsa ndodhej në Republikën Dominikane për kërkime akademike në kuadër të doktoraturës së saj, u përball me një situatë serioze rreziku.
Ajo rrëfen se, teksa punonte në një qytet të vogël, gabimisht u gjend e rrethuar nga një grup personash të dyshimtë. Skena u vu re nga katër shqiptarë, të cilët ndërhynë menjëherë për ta mbrojtur.
“Ishte si një skenë e dalë nga filmi. Nuk po e kuptoja çfarë po ndodhte. Shqiptarët filluan të më mbronin pa më njohur fare, vetëm sepse më konsideronin mysafire,” shprehet ajo.
Më vonë, Ashley kuptoi se ajo që përjetoi lidhej ngushtë me një nga shtyllat më të forta të kulturës shqiptare: besën. Sipas kësaj tradite, jeta e mysafirit është e shenjtë dhe duhet mbrojtur me çdo kusht për sa kohë ai është “në besë”.
“Isha jashtëzakonisht e prekur dhe e frymëzuar nga kjo kulturë kaq e veçantë. Nuk ishte thjesht një akt ndihme, por një vlerë morale e rrënjosur thellë,” thekson ajo.
E frymëzuar nga kjo përvojë e fortë, Ashley Wood vendosi të krijojë organizatën “Albanian Voices”, me synimin për të promovuar kulturën, historinë dhe vlerat shqiptare në arenën ndërkombëtare.
“E krijova këtë organizatë me shpresën që kjo kulturë e mrekullueshme të njihet, të kuptohet dhe të vlerësohet nga e gjithë bota,” përfundon ajo.
Historia e saj mbetet një dëshmi e fuqishme se vlerat tradicionale shqiptare, si besa dhe mikpritja, vazhdojnë të kenë ndikim të thellë dhe të lënë gjurmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë.