
16/04/2025
Letër e hapun për Çun Lajçin
Nga një vëlla i yti prej Tropoje
I dashtun Çun,
Të kam ndjekë me vite. Të kam lexu me emocion, me mall, me dhimbje, e me krenari. Në çdo fjalë tande e kam pa dashninë për kombin dhe për tokën. Ti je ai burrë që s’e ul fjalën, që nuk i’a shet shpirtin modës, por e mban gjallë atë që na ka mbajtë gjithmonë: dinjitetin shqiptar.
Ama sot po të drejtohem me fjalë vllaznore. E kam pa që ke dalë në mbrojtje të Besart Kelmendit (Xhestit) në Big Brother. Të kuptoj, vjen prej vendit tand, e ndoshta ndien përgjegjësi me e përkrah. Por në disa pika nuk jam dakord me ty.
Kur Xhestin e nxorrën jashtë nga Big Brother Kosova, nuk e thatë as gjysmë fjalë për “gjynah”, as për “djalë pa shkollë”, as për “vend të vogël”.
Tani që asht në Shqipni, po u del me gjithë zemer. E pse? Se nuk ka shkollë? Se asht i ndjeshëm? Se asht i vogël përballë tjerëve?
Po ti vetë ke thanë: “Edhe të pa shkollët kanë vlerë”. Po kanë. E ti je shembull i gjallë për këtë. Por mos e krahaso veten me Xhestin. Ti je i pa shkollë me dije të madhe, me mençuni të burrave që kanë ndejtë në oda, jo në studio banalitetesh.
Ti e ke pasë gjithmonë plisin në krye dhe shpirtin për atdheun.
E di që zemra jote don me pa suksesin e çdo djali të Dardanisë, dhe kjo të nderon. Por le të mos harrojmë se në këtë lojë janë edhe bijë e bij të tjerë të këtij kombi — që ndoshta s’bëjnë zhurmë, por kanë dinjitet.
Nuk mjafton me e dashtë një shqiptar vetëm pse asht shqiptar. Na duhet me e dashtë kur ai ka burrni, dinjitet e vlerë për me u ndjekë.
Ti e ke thanë bukur: “Cjapi i egër ngjitet në shkëmb për të këputur karajfilat që çelin në plasat e gurit.”
Por mos të harrojmë që jo çdo cjap e ka qëllimin karajfilin — disa ngjiten për me u dukë, jo se janë unshëm.
E ne duhet me i dallu.
Prandaj, me gjithë dashninë që kam për ty, po të lutem: le ta ruajmë fjalën për ata që vërtet kanë nevojë për përkrahje, për ata që janë model, jo vetëm moment.
Kosova ka nevojë për burra që i mbajnë pantallonat e karakterit përpjetë, jo për figura që e kthejnë përfaqësimin e një kombi në brek e kanatjere.
Serbia po kërcënon, po tund armët, e na po rrijmë tue mbrojtë djem që nuk përfaqësojnë atë që na në të vërtetë jemi dhe duhet me kanë.
Ti, Çun, ke dhënë shumë për këtë komb. E kemi për detyrë me të kujtu e me të nderu për atë që je.
Prandaj, me gjithë respektin: ruaje zanin për ata që e meritojnë, që janë shembull për këtë brez dhe jo për ata që kanë humbë rrugën mes fames dhe klikimëve.
Me nderim të madh,
Një vëlla i yti prej Tropojes, së Shqipnisë.
Nga: Besnik Palnikaj 📌