24/05/2025
“Higjiena Komunale Shkup”
Ndjej obligim që t’ju drejtohem për një situatë serioze që po ndodh në Komunën e Çairit. Aktualisht, kjo komunë i detyrohet ndërmarrjes sonë mbi 7 milion denarë, dhe është komuna e vetme në Shkup që ka borxh ndaj Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”. Ky borxh e vështirëson ndjeshëm punën tonë të përditshme.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne vazhdojmë rregullisht me pastrimin dhe zbrazjen e kontejnerëve në çdo pikë të grumbullimit të mbeturinave. Ajo që është edhe më shqetësuese, është fakti se Komuna e Çairit nuk merret me largimin e mbeturinave voluminoze, edhe pse vazhdimisht reklamon aksione që në realitet nuk realizohen.
Më e rënda është se kemi informacione të sigurta që në disa raste vetë komuna organizon hedhjen e mbeturinave jashtë kontejnerëve, qëllimisht, për të krijuar kaos dhe për të hedhur fajin mbi ndërmarrjen tonë. Kjo sjellje është jo vetëm e papërgjegjshme, por dëmton drejtpërdrejt qytetarët dhe ambientin.
Për shkak të kësaj situate të jashtëzakonshme, detyrohemi të përdorim ekskavatorë për të larguar mbeturinat e hedhura në mënyrë të parregullt – një gjë që nuk është e zakonshme për një qytet që synon pastërtinë.
Komuna e Çairit është e vetmja në Shkup që, përveçse nuk bashkëpunon, krijon vetë kaos në menaxhimin e mbeturinave. U bëj thirrje institucioneve të ndërhyjnë, dhe qytetarëve t’u qëndrojnë pranë fakteve dhe jo manipulimeve.
Ne do të vazhdojmë të punojmë ndershëm për një mjedis të pastër, sepse ky është obligimi ynë ndaj qytetarëve.