20/08/2026
Komentuesit "ia mbyllin" gojën Rami Mislimit
Një reagim i pronarit të portalit TetovaSot, Rami Mislimit, për gjobat e vendosura për shkeljet në komunikacion ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale.
Mislimi shkroi se “VLEN-i i dogji mërgimtarët me dënime” dhe kritikoi faktin që qytetarët presin në kufi për të paguar gjobat. Por komentuesit nuk u pajtuan me të dhe në masë të madhe e kundërshtuan qëndrimin e tij.
“BDI e votoi këtë ligj, madje Aliu me krenari e tha se na duhen 2/3 për Safe City. Përkundër kësaj, kamera ka gjithkund në Evropë, të kap radari dhe e paguan. Me të mira”, shkroi një qytetar.
Një tjetër komentues i drejtohet drejtpërdrejt Mislimit: “Rami, ty nuk të intereson mirëqenia e popullit, tepër partiak je!”
Reagimet vazhduan edhe me argumentin se gjobat nuk janë çështje partie, por respektimi i rregullave.
“Pse, a s’duhet të paguajnë? Unë s’jam mërgimtar, por dje pagova dënim. A shteti ma ka fajin, a VLEN-i, a VMRO-ja?”, shkruan një qytetar.
Në një tjetër koment thuhet: “As VLEN-i, as S-VLEN-i! Përderisa në Evropë duhet të vozisim sipas rregullave, atëherë edhe në vendlindje do të vozisim sipas rregullave, e jo kush të na lëshojë pe.”
Një tjetër qytetar e akuzon Mislimin se po e dramatizon situatën: “Në secilin shtet ku të shkosh, nëse të kap radari, në dalje e paguan dënimin. Mos e bëj tragjike.”
Komentuesit i kanë kujtuar gjithashtu se gjobat vendosen për shkelje të rregullave dhe jo për përkatësi partiake.
Në mesin e reagimeve kishte edhe komente ironike ndaj Mislimit, duke e pyetur pse fajin duhet ta mbajë VLEN-i apo VMRO-ja për një gjobë të marrë si pasojë e shkeljes së rregullave të komunikacionit.
Reagimet e shumta tregojnë se deklarata e Mislimit ka hasur në kundërshtim të fortë nga qytetarët, të cilët argumentojnë se respektimi i rregullave të trafikut duhet të vlejë njësoj për të gjithë, pavarësisht nëse janë banorë të vendit apo mërgimtarë.