
12/07/2025
THIRRJE PUBLIKE
Drejtuar:
Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama
Prefektes së Qarkut Shkodër, znj. Majlinda Angoni
Kryetarit të Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci
Kryetarit të Qarkut Shkodër, z. Mond Ndou
Unë, Zef Sokol Vladaj, në cilësinë time si përfaqësues i Bajrakut të Shalës, ku edhe Thethi asht pjesë integrale, ju drejtohem me këtë thirrje publike.
Prej disa ditësh, në zonën e Thethit, Njësia Administrative Shalë, po zhvillohet një aksion për prishjen e ndërtimeve të ashtuquajtura “pa leje”.
Ky aksion, që po kryhet në mes të sezonit turistik, nuk asht veçse një sulm i drejtëpërdrejtë mbi pronat dhe jetën e banorëve të këtyne trojeve, që i kanë zotnue për mbi 400 vjet.
Veprimet arbitrare të punonjësve të shtetit tregojnë qartë një frymë çnjerëzore dhe një urrejtje të fshehtë që prej 30 vjetësh po shfaqet hapur ndaj kësaj zone të bekueme.
Në vend që me i mbështetë banorët që po mundojnë me mbajt gjallë jetën në bjeshkë, ju po i çoni ekskavatorët me ua rrëzue djersën, shpresën, mundin.
Thethi sot, për shkak të këtyne pamjeve, ngjan pak a shumë me Gazën – një krahinë e shkatërrueme, një bukuri natyrore që po kthehet në gërmadha nën sytë e vizitorëve të huaj.
Dua me ju kujtue diçka me randësi historike:
Thethi e Dukagjini nuk janë nënshtrue kurrë.
As Turqisë, as Malit të Zi, as Austro-Hungarisë, as Zogut, as Nazi-Fashizmit, as diktaturës së Enver Hoxhës.
E as ju nuk keni me pasë kurrë shans me i nënshtrue.
Shala dhe krejt Dukagjini janë sot ma të bashkuem se kurrë, në mbështetje të vëllezërve tanë në Theth.
Ju baj thirrje publike: Ndërpriteni menjëherë këtë valë terrori institucional.
Lerini banorët e qetë në trojet e veta.
Mos kujtoni se keni me ia dorëzu këto mrekulli të natyrës ndonjë investitori me kollare – se nëse veproni kështu, mbi 10 mijë protestues paqësorë do mblidhen përpara Bashkisë Shkodër në mbrojtje të tokës së vet.
Pashë dje një zyrtare të lartë që fyej banorët e Thethit me një gjuhë të ndytë, si me kenë rrugaçë.
Kjo nuk përfaqëson as shtetin, as etikën, as ligjin.
Ju ftoj me ndalë menjëherë këto shkatërrime pronash dhe me u ulë në dialog me komunitetin.
Nëse nuk reflektoni, do t’i baj thirrje krejt Dukagjinit me protestue në mënyrë paqësore në Theth – në mbrojtje të vëllazërisë, historisë dhe dinjitetit tonë.
Ju lutem, merreni seriozisht këtë thirrje publike.
Zoti e bekoftë Shalën, Dukagjinin dhe krejt Shqipninë!
Me respekt,
Zef Sokol Vladaj
Nikaj Mertur News