09/13/2026
Ziza Pajaziti zbardh takimet me Laert Haxhiun në burg: Kemi pasur marrëdhënie bashkëjetese, shkova dy ditë radhazi për ta takuar
Modelja kosovare Ziza Pajaziti ka dhënë dëshminë e saj për takimet e zhvilluara me të dënuarin me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës.
Pajaziti ka konfirmuar se më 12 dhe 13 qershor 2025 ka hyrë në institucion për të takuar Haxhiun, por ka kundërshtuar pretendimet se bëhej fjalë për takime speciale.
Në dëshminë e dhënë para Prokurorisë së Korçës, ajo ka treguar edhe natyrën e raportit mes tyre, duke deklaruar se kishin një marrëdhënie të qëndrueshme bashkëjetese, të cilën më vonë e formalizuan edhe përpara noterit.
“Unë dhe Laert Haxhiu kemi pasur një marrëdhënie të qëndrueshme bashkëjetese. Këtë marrëdhënie e kemi formalizuar me dokumente”, ka deklaruar Pajaziti.
Ajo ka shpjeguar se ditën e parë është paraqitur në hyrjen e burgut, ka dhënë emrin e Laert Haxhiut, ka lënë sendet personale dhe më pas i është nënshtruar procedurave të kontrollit. Sipas saj, takimi është zhvilluar në një dhomë me tavolinë dhe karrige.
Të nesërmen është kthyer përsëri në Drenovë për një takim të dytë.
“Edhe këtë herë, në postobllok kam dhënë emrin e Laert Haxhiut. Unë nuk dija asnjë emër tjetër të ndonjë personi të dënuar dhe jam plotësisht e sigurt se nuk kam dhënë asnjë emër tjetër”, ka dëshmuar ajo.
Kjo pjesë merr rëndësi për shkak se në dokumentacion është shfaqur edhe emri i të dënuarit Vladimir Kurti. Vetë Kurti ka mohuar çdo lidhje me modelen.
“Ziza Pajaziti nuk e njoh dhe nuk kam realizuar asnjë takim me këtë shtetase. Gjithashtu, nuk kam kërkuar takim me të”, ka deklaruar ai.
Edhe Laert Haxhiu ka mbështetur versionin e Pajazitit. Ai ka deklaruar se të dyja takimet kanë qenë të zakonshme dhe se nuk kishte marrë ndonjë njoftim apo trajtim të posaçëm nga punonjësit e burgut.
Një element që e vështirëson zbardhjen e plotë të rastit është mungesa e pamjeve filmike. Prokuroria nuk ka mundur të sigurojë regjistrimet e plota të kamerave për datat përkatëse, pasi sipas dokumentacionit të burgut, pamjet ruheshin vetëm për shtatë ditë dhe më pas fshiheshin automatikisht.