Gazeta Dielli - Faqja Zyrtare

Gazeta Dielli - Faqja Zyrtare Gazeta Dielli, organ zyrtar i Vatrës, nisi botimin në SHBA më 15 Shkurt 1909.

U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në WaterburySokol Paja Waterbury, Connecticut, 15 mars ...
03/16/2026

U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury

Sokol Paja

Waterbury, Connecticut, 15 mars 2026 - Festa e Natës së Kadrit bashkoi mbi 400 shqiptarë të të gjitha besimeve fetare në Iftarin e organizuar nga Komunitetin Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury. Një festë që tejkalon një besim dhe kthehet në një ngjarje përbashkuese për mbarë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Connecticut. Një festë fetare e mbi të gjitha një traditë komunitare e trashëguar që prej themelimit të këtij Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan që ka qenë një kontributor i madh fetar e atdhetar për shqiptarët e mërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Iftarin e Natës së Kadrit në Komunitetin Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury e hapi muezin Andon Barhani, lutjen e mbrëmjes e drejtoi Imam Endrit Himaj, ndërsa Imami nga Egjipti Rida Al Khuderi këndoi Ajete Kuranore për të gjithë të pranishmit. Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra përshëndeti z.Ilir Cubi i cili vlerësoi Komunitetin për frymën patriotike, veprimtarinë atdhetare dhe ndihmën ndaj të gjithë shqiptarëve. Nata e Kadrit, më e rëndësishme se 1 mijë e 1 netë, është një nga netët më të shenjta e me të vlefshme në besimin Islam. Ajo bie gjatë 10 netëve të fundit të muajit të Ramazanit dhe sipas traditës islame konsiderohet nata kur filloi shpallja e Kuranit profetit Muhamed. Imami Endrit Himaj bëri thirrje për mbështetjen e projekteve të Komunitetit dhe mbajti një fjalim mbi rëndësinë e Natës së Kadrit në besimin islam dhe rëndësinë e lutjes në jetën e çdo besimtari. Të njëjtën thirrje bëri dhe Presidentja e Komunitetit Albana Lame që kërkoi mbështetje të pakursyer ndaj projekteve që zhvillojnë Komunitetin Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury. Zoti ia bekoftë dhe ndriçoftë zemrën e shpirtin çdo besimtari e çdo shqiptari.

"VATRA", "ONUFRI" DHE QENDRA KULTURORE "NËNË TEREZA" PROMOVUAN ROMANIN "BRENGA" TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJSokol Paja Har...
03/15/2026

"VATRA", "ONUFRI" DHE QENDRA KULTURORE "NËNË TEREZA" PROMOVUAN ROMANIN "BRENGA" TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ

Sokol Paja

Hartsdale, New York, 15 mars 2026 - Federata Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese "Onufri" dhe Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”, promovuan romanin “Brenga” të autorit Dr. Pashko R. Camaj. Përveç se një vepër e shkëlqyer letrare, "Brenga", me parathënie nga Visar Zhiti, në vetvete është një dëshmi e krimeve e torturave të regjimit komunist mbi shqiptarët e pafajshëm dhe një homazh për qëndresën, guximin, dinjitetin njerëzor, moralin dhe shpirtin e pathyeshëm shqiptar. Me pjesëmarrjen a aktorëve kryesorë të komunitetit shqiptar, veprimtarëve, studiuesve e atdhetarëve të mërgatës shqiptare në New York e më gjerë, u promovua një letërsi si dëshmi e vërtetësi historike, përgjegjësi kombëtare, kulturore e atdhetare.

Famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj në fjalën e tij përmendi kontributin komunitar e vlerat atdhetare të Tonin Mirakajt, qëndresën e shqiptarëve në regjimin diktatorial, vuajtjet e paimagjinueshme të shqiptarëve gjatë regjimit komunist dhe rolin e dëshmive historike për të pasuruar kujtesën njerëzore e kombëtare.

Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha theksoi se personazhi kryesor, i ndërtuar nga ngjarje reale te familjes se Tonin Mirakajt, mbart një "brengë" të përhershme, që është simbol i dhimbjes kolektive të shqiptareve që u detyruan të braktisnin atdheun nen sistemin komunist. Vlera morale dhe historike e romanit është ruajtja e kujtesës historike në një kohë kur e vërteta rrezikon të zbehet. Kur autori flet për "kujtesën historike", ai e sheh romanin si një mjet për të dokumentuar atë që tekstet zyrtare të historisë shpesh e anashkalojnë: përjetimin njerëzor, dhimbjen dhe të vërtetat e pathëna. Në një kohë kur propaganda ose kalimi i viteve mund ta "zbehin" të vërtetën, romani shndërrohet në një arkiv të gjallë që mbron identitetin e një populli apo të një epoke, theksoi Dr. Berisha.

Poetja Luljeta Lleshanaku në fjalën e saj tha se romani “Brenga” i zotit Camaj, është një provë për rëndësinë e qëndrueshme që fiton një ngjarje historike përmes rrëfimit letrar. Autori ia ka dalë që të shndërrojë përvojën historike në histori njerëzore, duke i mundësuar audiencës të përjetojë ngjarjet në vend që thjesht të mësojë rreth tyre. Autori ia del të menaxhojë mjeshtërisht dramacitetin nga njëri kapitull në tjetrin, duke e lënë për në fund shkarkimin, klimaksin: ritakimin e dy shokëve Tonini e Marku, si përballje e dy epokave! Ky është një nga episodet më emocionues, që gati të lë pa frymë. Ky roman, nuk është thjesht një roman mbi komunizmin në përgjithësi, por mbi një aspekt shumë specifik, që është: përndjekja e bazuar në linjën e gjakut, klasës dhe lidhjeve shoqërore në regjimet komuniste. "Brenga" na ndihmon për të kuptuar brengën e madhe të gjyshërve dhe baballaravë tanë të cilët u detyruan në braktisnin atdheun si emigrantë politikë, duke lënë pas familjet dhe të afërmit e tyre, miqtë e tyre, të cilët iu nështruan një kalvari të pashembullt vuajtesh nëpër kampe dhe burgje për 47 vjet me radhë, theksoi ndër të tjera poetja Luljeta Lleshanaku.

Diplomati dhe gazetari Virgjil Kule u shpreh se romani "Brenga" rrjedh si një lumë i rrëmbyeshëm empathie per të vuajturit pa faj. Dy shokë të ngushtë të cilët, në një moment të caktuar të jetës së tyre rinore, detyrohen të ndahen. I pari i jep fund anktheve dhe pasigurisë sociale e fizike duke ndërmarrë një udhëtim rokambolesk arratisjeje në Perëndim, ndërsa i dyti fillon kalvarin e vështirë të stigmës politike dhe burgjeve te diktaturës në vendlindje. Të rrethuar nga mjedise të ndryshme të dy pësojnë transformime thelbësore në mentalitet dhe në këndvështrimet ndaj fatit dhe fatalitetit. Në fjalët e personazhit Mark, autori Camaj i bën jehonë fjalëve monumentale të Tomas Xhafersonit të integruara në deklaratën amerikane te pavarësisë: "E drejta për të kërkuar lumturinë është një e drejtë fondamentale e patjetërsueshme e cdo njeriu.

Ajo nënkupton realizimin personal, begatinë shpirtërore dhe mirëqënien materiale pa ndërhyrjen e shtetit, me kushtin e vetëm që të mos shkelë të drejtat e tjetrit". Autori bën kështu letërsi për lirinë. Albert Kamy thotë se arti dhe letërsia shpallin lirinë edhe kur ajo duket e pamundur. Në veprën e Pashko Camaj bashkjetojnë si liria e fituar ashtu edhe pamundësia për ta pasur atë. Tonini dhe Marku, dy zogj që ëndëruan qiellin dhe diellin, i cili për ta nuk ndriçoi sipas ligjeve të natyrës por sipas ligjeve të shpirtit të tyre. Te personazhi Mark unë psikologjis diçka nga vetë autori, empathinë, ndjeshmërinë, paqedashjen dhe urtësinë e gjykimit, të cilat duket seai i ka në doza të larta, tha ndër të tjera diplomati Kule.

Gazetari i shquar i "Zërit të Amerikës" z.Frank Shkreli deklaroi se "Brenga" është një dëshmi morale dhe historike për një epokë që ka lënë plagë të thella në shpirtin e Kombit shqiptar. “Brenga” vjen para nesh si një zë që flet për dhimbjen e sakrificën por dhe për përvojën e një kohe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë shqiptarëve. "Brenga" është një rrëfim i thellë njerëzor dhe një dëshmi e fuqishme e kujtesës sonë historike theksoi z.Shkreli. “Brenga” është më shumë se një rrëfim letrar, është një kujtesë e gjallë e dramës njerëzore që përjetoi populli ynë në një periudhë të vështirë të historisë së tij, theksoi ndër të tjera z.Shkreli.

Dr. Ardiana Mici në fjalën e saj theksoi se romani "Brenga" hedh dritë mbi përvojat e dhimbshme të individëve gjatë periudhës së diktaturës komuniste, përvoja që për një kohë të gjatë mbetën të pazëshme. Letërsia e realizmit socialist nuk përcillte vërtetësi, kështu që këto dhimbje kanë qenë të kycura mes vuajtësve dhe shkaktarëve të tyre. Romani Brenga kontribuon në ndërtimin e një letërsie të kujtesës, e cila synon të ruajë të vërtetën, të nxisë reflektimin dhe ti shërbejë kombit që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Romani në thelb është një homazh për qëndrueshmërinë njerëzore, për aftësinë e njeriut për të ruajtur dinjitetin dhe vlerat edhe përballë një sistemi të ndërtuar për ti shkatërruar ato. Në letërsinë që trajton temat e identitetit, emigrimit dhe traumës historike, “Brenga” zë një vend të çmuar si dëshmi artistike dhe njerëzore e një periudhe nga më të vështirat e historisë shqiptare, theksoi ndër të tjera Dr. Mici.

Gazetari i shquar z.Gjekë Gjonlekaj shprehu vlerësim e falënderim ndaj shtëpisë së famshme botuese "Onufri" për botimet cilësore të librave të Martin Camaj e Pashko Camaj dhe përmendi të kaluarën e hershme historike të familjes Camaj. "Brengën" z.Gjonlekaj e cilësoi një vepër të shkëlqyer letrare që depërton thellë në jetën personazheve.

Gazetarja e shquar e "Zërit të Amerikës" znj.Laura Konda në fjalën e lexuar nga Meri Camaj shprehet se “Brenga” i ngjan një skenari filmi, që shpalos skena tragjike për syrin e lexuesit. Autori përshkruan paralelisht e me ngjyra reale dy kalvare: nga njëra anë rruga plot peripecira e arratisjes së familjes së Toninit dhe e dy familjeve të tjera. Ata kaptojnë male, lumenj, në mes të të ftohtit të netëve e shiut, të uritur e të rreckosur.

Autori përshkruan paralelisht kalvarin e Markut, që e torturojnë me forma nga më çnjerëzoret për ta detyruar të pohojë se ka bashkëpunuar me Toninin për arratisjen. Përmes personazhit të Markut, autori shpalos një ide themelore të romanit, humanizmin. Të burgosurit, edhe pse të rraskapitur, të sakatuar fizikisht e të uritur, nuk e humbën ndjenjën e humanizmit. Historia njerëzore është e mbushur me kapituj të errët, ku pushteti, apo ideologjia kanë tentuar ta zhbëjnë thelbin e qenies njerëzore. Procesi i këtij dehumanizimi nuk synon vetëm dhimbjen fizike, ai synon asgjësimin e identitetit dhe mbi të gjitha, moralit. Por në shumë raste, individi, ndonëse i zhveshur nga çdo liri e jashtme, refuzon të dorëzojë lirinë e tij të brendshme, thekson në analizën e veprës "Brenga" gazetarja Laura Konda.

Gjon F. Ivezaj prezantoi jetëshkrimin, formimin dhe kontributin komunitar, letrar e atdhetar të Pashko Camajt duke bërë edhe një analizë kritike të romanit "Brenga".

Personazhi i gjallë i romanit "Brenga" z.Tonin Mirakaj në fjalën e tij analizoi veprat e Dr.Pashko Camajt, theksoi pandëshkueshmërinë e dënimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri, persekutimin, burgosjen e torturat ndaj familjeve fisnike antikomuniste në regjimin monstruoz e primitiv në komunizëm.

Botuesi i "Brengës" z.Bujar Hudhri në fjalën e tij vlerësoi Vatrën legjendare për vlerat historike dhe ruajtjen e shqiptarisë, vuri theksin se në diktaturë nuk kishte dhimbje e dashuri njerëzore në një kohë ku për krimet e komunizmit nuk kërkoi askush falje. Librin përmban dramat e dhimbshme të arratisjes së shqiptarëve dhe shoqëria shqiptare që nuk u ndërgjegjësua kurrë dhe nuk u vë në vend morali, jetët e shkatërruara e dinjiteti njerëzor. Z. Hudhri analizoi me detaje veprat letrare të Camajt ku historia personale e njerëzore bëhet pronë e të gjithëve në një vepër për të cilën ka interes shoqëria, institucionet, letërsia e historia.

Skenografi e piktori i komunitetit shqiptar në New York, artisti Astrit Tota vlerësoi personalitetin e Dr.Pashko Camajt dhe i dhuroi një portret punuar enkas për këtë ditë.

Autori i romanit "Brenga" Dr. Pashko R. Camaj në fjalën përmbyllëse e falenderuese u shpreh se vepra e tij u jep zë atyre zërave të heshtur dhe të shuar që kurrë nuk u dëgjuan në diktaturë. Në përfundim të promovimit shtëpia botuese "Onufri" shtroi një koktejl për gjithë të pranishmit. Promovimi i "Brengës" shënoi një ngjarje kulturore që bashkoi shqiptarët e Amerikës në një festë libri që përkujton, lirinë, guximin, shpresën e dinjitetin njerëzor.

03/15/2026

Fjala e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në promovimin e romanin "Brenga" të Dr. Pashko Camaj.

Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar Oborri Mbretëror Shqiptar ka kënaqësinë e veçantë të njoftojë martesën ...
03/15/2026

Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar

Oborri Mbretëror Shqiptar ka kënaqësinë e veçantë të njoftojë martesën e Lartësisë së Tij Mbretërore, Leka II, Princ i Shqiptarëve, me Zonjushën Blerta Celibashi.

Martesa u kremtua në një ceremoni private, duke ruajtur karakterin e saj intim dhe solemn.
Fotografia zyrtare e publikuar me këtë rast është realizuar në Kështjellën Apponyi në Sllovaki. Përzgjedhja e këtij mjedisi historik, rezidencë e familjes fisnike të Lartmadhërisë së Saj Mbretëreshës Geraldinë, u bë për të nderuar trashëgiminë e saj të çmuar dhe origjinën hungareze, e cila mbetet një pjesë e pandarë e historisë së Familjes Mbretërore Shqiptare.

Pas martesës, Princeshë Blerta do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve.

Familja Mbretërore e ndan këtë lajm të gëzueshëm me kombin shqiptar dhe me miqtë e saj anembanë botës.

Oborri Mbretëror Shqiptar
Tiranë, 15 mars 2026

Geraldina jeton në Madrid, adresa e saj nuk gjendet në librin e telefonit, por në postë, kundrejt disa qindra pesetash, ...
03/15/2026

Geraldina jeton në Madrid, adresa e saj nuk gjendet në librin e telefonit, por në postë, kundrejt disa qindra pesetash, megjithatë ma treguan. Kopshti përpara shtëpisë, e lyer me ngjyrë rozë, është mjaft i pa mirëmbajtur. Qepenat janë të ulura; duket se mbretëresha nuk e pëlqen diellin. Geraldinën e rrethojnë copëra të çmuara mobiljesh antike që dëshmojnë për një shije të rafinuar në shtëpinë e saj në Madrid. Mbretëresha i pëlqen gjërat e holla dhe të thjeshta.

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRISelam Sulejmani“Pranvera e Dinjitetit” nuk është vetëm ...
03/15/2026

PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI

Selam Sulejmani

“Pranvera e Dinjitetit” nuk është vetëm një manifestim përkujtimor. Ajo është një kujtesë e gjallë e sakrificës, e guximit dhe e vendosmërisë së një brezi që u ngrit për liri. Kjo veprimtari kujton një nga datat më të ndritura të historisë sonë të re – 14 marsin e vitit 2001. Një datë që mbetet e gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si momenti kur bijtë dhe bijat më të mirë të këtij kombi u ngritën për dinjitet, për barazi dhe për liri.
Rajoni ynë ka kaluar nëpër shumë sprova historike. Ka përjetuar konflikte, padrejtësi dhe përpjekje të vazhdueshme për ta zbehur identitetin dhe të drejtat tona. Por historia na ka mësuar një të vërtetë të madhe: se kur kombi shqiptar bashkohet rreth idealit të lirisë, ai bëhet i pathyeshëm.

Qëndresa jonë nuk filloi në vitin 2001. Ajo është vazhdimësi e një rruge të gjatë sakrifice. Filloi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e Komandantit legjendar Adem Jashari, vazhdoi me Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe mori hov të ri me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lufta e vitit 2001 ishte një moment i madh i ndërgjegjes kombëtare. Në atë kohë u ngritën të rinj e të moshuar, studentë, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë. Ata u bashkuan rreth një ideali të vetëm, t’i shërbejnë lirisë dhe dinjitetit të kombit shqiptar.

Pas 25 vitesh, ne përulemi me respekt të thellë para atyre që sakrifikuan gjithçka për këtë ideal. Kujtojmë me nderim dëshmorët tanë, bijtë dhe bijat që me gjakun dhe veprën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit. Falë qëndresës dhe vendosmërisë së tyre u krijuan rrethana të reja politike dhe juridike, që sollën avancimin e statusit dhe të drejtave të shqiptarëve në vendin tonë.

Prandaj, kujtimi i dëshmorëve dhe respekti për sakrificën e tyre nuk është vetëm një detyrë morale. Është një obligim kombëtar për çdo shqiptar, kudo që ndodhet në botë. Le ta ruajmë këtë kujtesë, ta përcjellim te brezat e rinj dhe ta mbajmë të gjallë idealin për të cilin u sakrifikuan më të mirët tanë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Qoftë e lavdishme vepra e tyre!

Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botëroreAnalizë nga Rafael FloqiNë një ditë normale, rreth 20 për qind e...
03/15/2026

Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore

Analizë nga Rafael Floqi

Në një ditë normale, rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor detar shumë i ngushtë mes Iranit dhe gadishullit Arabik. Kjo e bën ngushticën një nga pikat më të rëndësishme strategjike të ekonomisë globale. Megjithatë, javët e fundit trafiku i tankerëve është ulur ndjeshëm, pasi Irani ka paralajmëruar se çdo anije që hyn në këtë zonë mund të bëhet objektiv. Paralajmërimi ka shkaktuar një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe ka tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Nga këndvështrimi amerikan, situata paraqet një paradoks strategjik. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë epërsi të qartë ushtarake, por në një hapësirë të ngushtë detare si Hormuzi, Irani gëzon avantazhin gjeografik dhe taktik. Edhe një kundërshtar më i dobët mund të krijojë pengesa të mëdha në një korridor kaq të kufizuar. Administrata e presidentit Donald Trump u duk fillimisht e papërgatitur për reagimin iranian. Sipas raportimeve në mediat amerikane, zyrtarët e sigurisë kombëtare pranuan në takime konfidenciale se mbyllja e ngushticës nuk ishte parashikuar si skenar kryesor pas sulmeve ndaj objektivave iraniane. Fillimisht u diskutua që marina amerikane të eskortonte tankerët përmes ngushticës, por më pas presidenti deklaroi se anijet tregtare duhet të hyjnë vetë në Hormuz, duke theksuar se një pjesë e madhe e flotës iraniane tashmë “ndodhet në fund të oqeanit”.

Megjithatë, edhe nëse flota konvencionale e Iranit është goditur rëndë, kërcënimi real mbetet nga forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike. Këto njësi kanë ndërtuar për dekada një strategji asimetrike për të bllokuar trafikun në Hormuz përmes një kombinimi armësh: mina detare, raketa kundër anijeve, dronë, mini-nëndetëse dhe dhjetëra anije të shpejta të armatosura.

Pse SHBA ka goditur ishullin Kharg të Iranit?

Në këtë kontekst tensioni, SHBA ndërmori një goditje të rëndësishme ndaj Ishullit Kharg, një ishull i vogël në Gjirin Persik që përbën qendrën kryesore të eksporteve të naftës iraniane. Presidenti Trump deklaroi se ushtria amerikane ka bombarduar objektivat ushtarake në ishull, duke thënë se instalimet ushtarake janë “shkatërruar plotësisht”. Megjithatë ai theksoi se SHBA ka vendosur të mos godasë infrastrukturën e naftës për të shmangur një përshkallëzim të madh ekonomik dhe ushtarak. Presidenti paralajmëroi se vendimi mund të ndryshojë nëse Irani ose aktorë të tjerë ndërhyjnë në kalimin e sigurt të anijeve në Hormuz. Nga ana tjetër, ushtria iraniane paralajmëroi se infrastruktura energjetike e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA do të shkatërrohet menjëherë nëse goditen objektet energjetike iraniane.
Pse ishulli Kharg është kaq i rëndësishëm për Iranin?
Megjithëse është vetëm një formacion i vogël shkëmbor rreth 24 kilometra nga bregdeti iranian, ishulli Kharg ka një rëndësi strategjike të jashtëzakonshme për ekonominë e Iranit. Rreth 90 për qind e naftës bruto të vendit eksportohet përmes terminaleve të këtij ishulli. Nafta transportohet nga territori kontinental iranian përmes tubacioneve dhe më pas ngarkohet në super-tankerë gjigantë që ankorohen në portet e gjata të ishullit.

Brigjet e Kharg janë pranë ujërave të thella, gjë që e bën më të përshtatshëm për tankerët shumë të mëdhenj sesa bregdeti kontinental iranian, i cili është relativisht i cekët. Pasi ngarkohen, tankerët kalojnë nëpër Gjirin Persik dhe dalin nga Hormuzi, duke transportuar naftën kryesisht drejt Kinës, blerësi më i madh i naftës iraniane. Terminali i Kharg është gjithashtu një burim i rëndësishëm financiar për Gardën Revolucionare.

Çfarë kanë thënë SHBA dhe Irani për sulmin?

Sipas Komandës Qendrore të SHBA, operacioni amerikan goditi më shumë se 90 objektiva ushtarake iraniane në ishull. Mes objektivave të shkatërruara përfshihen depot e minave detare, bunkerët e raketave, instalimet e mbrojtjes ajrore dhe struktura të tjera operative. Presidenti Trump e përshkroi operacionin si një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme, duke theksuar se të gjitha objektivat ushtarake janë neutralizuar. Ai shtoi se për arsye strategjike kishte vendosur të mos shkatërronte infrastrukturën e naftës në ishull.

Media iraniane raportoi se instalimet e naftës nuk janë dëmtuar dhe se eksportet vazhdojnë normalisht. Zyrtarët në provincën Bushehr deklaruan se nuk pati viktima dhe se aktivitetet në ishull vazhdojnë pa ndërprerje. Megjithatë ushtria iraniane paralajmëroi se infrastruktura energjetike e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA do të kthehet në hi nëse goditen objektet energjetike iraniane.

Pse SHBA nuk goditi terminalet e naftës?

Shkatërrimi i plotë i infrastrukturës energjetike të Kharg do të kishte pasoja shumë të rënda për ekonominë iraniane, por gjithashtu do të përbënte një përshkallëzim të madh të konfliktit. Një sulm i tillë mund të rrisë ndjeshëm çmimet globale të naftës dhe të destabilizojë tregjet energjetike ndërkombëtare.
Për më tepër, një veprim i tillë mund të shtyjë Iranin të godasë infrastrukturën energjetike në gjithë Lindjen e Mesme. Irani ka ende kapacitet të përdorë dronë të shumtë të armatosur me eksplozivë që mund të godasin vendet arabe të Gjirit, anijet tregtare ose instalime kritike. Një nga objektivat më të ndjeshme mund të jenë edhe impiantet e desalinizimit që furnizojnë me ujë të pijshëm miliona njerëz në rajon.

Strategjia iraniane: luftë e ngadaltë në një korridor të ngushtë

Që nga vitet 1980, Irani ka zhvilluar një strategji që nuk synon të fitojë një betejë klasike me flotën amerikane, por të rrisë koston e pranisë amerikane në Gjirin Persik. Hormuzi është pika ideale për këtë strategji. Para fillimit të konfliktit vlerësohej se Irani kishte rreth 5,000 mina detare. Disa prej tyre janë mina të thjeshta kontakti, ndërsa të tjera janë mina moderne që aktivizohen nga ndryshime magnetike, akustike ose presioni i një anijeje që kalon mbi to. Këto mina mund të vendosen nga mini-nëndetëse, anije të vogla peshkimi të modifikuara, dronë detarë pa pilot dhe dhjetëra anije të shpejta të armatosura. Edhe një numër relativisht i vogël minash mund të paralizojë trafikun tregtar për javë të tëra.

Problemi amerikan: pastrimi i minave nuk është prioritet

Për Shtetet e Bashkuara sfida më e madhe nuk është shkatërrimi i flotës iraniane, por pastrimi i minave detare. Në vitet e fundit marina amerikane ka reduktuar flotën e saj të dedikuar për këtë mision dhe vetëm disa anije të posaçme për pastrimin e minave mbeten në inventar. Strategjia e re mbështetet në anije të tipit Littoral Combat Ship, helikopterë dhe robotë nënujorë pa pilot. Megjithatë kjo teknologji nuk është testuar ende në një konflikt të madh real. Pas Luftës së Gjirit në vitin 1991, SHBA dhe aleatët e saj u deshën 51 ditë për të pastruar 907 mina edhe pse Iraku kishte dorëzuar hartat e fushave të minave.

Përshkallëzimi i mundshëm

Nëse Hormuzi bllokohet, Uashingtoni ka disa opsione, por asnjëri nuk është ideal. Një mundësi është zgjerimi i bombardimeve ndaj Iranit për të detyruar Teheranin të ndalojë operacionet në ngushticë. Një tjetër opsion do të ishte kontrolli i drejtpërdrejtë i bregdetit iranian me marinsa ose forca speciale për të shkatërruar bazat detare dhe depot e minave. Por kjo do të nënkuptonte futjen e trupave tokësore në territor iranian dhe rrezikun e një lufte të gjatë dhe të kushtueshme.

Një luftë kohe

Në fund të fundit, strategjia iraniane nuk synon të mposhtë drejtpërdrejt SHBA-në në det. Qëllimi është të zvarritet konflikti, të rritet presioni mbi tregjet globale të energjisë dhe të krijohet presion politik mbi Uashingtonin. Çdo javë që trafiku i naftës mbetet i bllokuar në Hormuz rrit çmimet e energjisë dhe shton presionin mbi ekonominë globale. Për shumë analistë amerikanë, kriza e Hormuzit është më shumë se një përplasje detare; ajo është një provë strategjike për të parë nëse fuqia më e madhe ushtarake në botë mund të mbrojë arterien më të rëndësishme të energjisë globale pa u përfshirë në një luftë të gjatë në Gjirin Persik.

Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderneNdriçim Kulla Ndarja nga jeta sot e filoz...
03/15/2026

Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Ndriçim Kulla

Ndarja nga jeta sot e filozofit gjerman Jürgen Habermas shënon mbylljen e një epoke të mendimit evropian. Ai ishte ndër ata mendimtarë që nuk e panë filozofinë si një strehë abstrakte idesh, por si një përgjegjësi publike ndaj shoqërisë, ndaj demokracisë dhe ndaj së vërtetës.

Habermas i përkiste atij brezi intelektualësh që u përpoqën të rindërtonin ndërgjegjen morale të Evropës pas katastrofave të shekullit XX. Ai besoi se shpresa e qytetërimit modern nuk qëndron te forca, as te propaganda, por te arsyeja që dialogon dhe te argumenti që bind. Për të, demokracia ishte para së gjithash një kulturë komunikimi, një hapësirë ku qytetarët përballen me njëri-tjetrin jo si armiq, por si bashkëbisedues.

Për mua, kjo humbje ka edhe një dimension të veçantë personal. Disa nga veprat e tij pata nderin t’i botoj të përkthyera në shqip përmes shtëpisë botuese Plejad. Ishte një përpjekje modeste për të sjellë në gjuhën tonë një nga zërat më të thellë të filozofisë bashkëkohore, një mendim që i fton shoqëritë të mos dorëzohen para cinizmit dhe të mos e braktisin besimin tek arsyeja.

Në kohë të trazuara, kur shpesh dialogu zëvendësohet nga zhurma dhe e vërteta nga manipulimi, mendimi i Habermasit mbetet një kujtesë e fuqishme: demokracia jeton vetëm aty ku fjala është e lirë dhe argumenti ka peshë.

Lamtumirë një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne. Veprat dhe idetë e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e debatit tonë publik për shumë kohë.

Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare  Prozator ...
03/15/2026

Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare




Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, Faik Konica me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912-n u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit, SHBA.

Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania". Kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA, ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912-n ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, shkuan në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi një veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në 1921-shin u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet '20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës".

U nda nga jeta në Uashington më 14 dhjetor 1942.

www.akad.gov.al

Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBAKur ministri i jashtëm Muhamet Kapllani firmosi në Washington pas 52 ...
03/15/2026

Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA

Kur ministri i jashtëm Muhamet Kapllani firmosi në Washington pas 52 vitesh të ngrirë.

Nga ROLAND QAFOKU

Është firmë e artë ajo që ndihmëssekretari i shtetit për Europën dhe Kanadanë, Raymond Seitz, hodhi më 15 mars 1991 në memorandumin për palën amerikane, i cili është njëkohësisht edhe dokumenti zyrtar i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Ndërsa Seitz ishte udhëzuar nga shefi i tij, James Baker, miratimin nga pala shqiptare e kishte Fatos Nano, në atë kohë vërtet pasardhës i kryeministrit komunist Adil Çarçani, por i moderuar dhe i predispozuar për të bërë ndryshime, një prej të cilave ishte vendosja e marrëdhënieve me SHBA-në. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 76.

Nano ka meritën jo vetëm që urdhëroi dhe udhëzoi përgatitjen sa më të shpejtë të dokumentacionit, por edhe për faktin që edhe pse pala amerikane kishte propozuar që Shqipëria të përfaqësohej me zëvendësministrin e Jashtëm, Nano e ngriti nivelin e përfaqësimit të Shqipërisë duke dërguar me urgjencë për në SHBA ministrin Muhamet Kapllani. Ai u nis nga Tirana më 12 mars dhe gjithçka u realizua më 15 mars. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 106)

Të premten e 15 marsit në sallën e traktateve të Departamentit të Shtetit, fiks në orën 11.00 me orën e Washington-it dhe 17.00 me orën e Shqipërisë, përbri njëri-tjetrit gjendeshin Muhamet Kapllani i Shqipërisë dhe Raymond Seitz i SHBA-së. Kapllani ishte ministri i parë i Jashtëm që shkelte në Departamentin e Shtetit dhe Seitz diplomati i parë amerikan që po riaktivizonte një dokument të pluhurosur e të futur në sirtarët e mbyllur për shumë dekada. Me pesë nene në katër faqe, ata që e kishin përgatitur ishin kujdesur deri në detaje. Letra e memorandumit origjinal ishte e trashë dhe jo e zakonshme dhe çdo fletë ishte stolisur me dy vija të kuqe anash. Në kokën e memorandumit shkruhej me germa kapitale:

MEMORANDUM MIRËKUPTIMI MIDIS QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS LIDHUR ME RIVENDOSJEN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 138-141)
Përveç fjalës “socialiste”, ajo që stonoi ishte edhe fakti se në të gjithë tekstin shqip mungonte shkronja “ë”. Por ç’rëndësi kishin këto? Dy vajza asistente u dhanë nga një stilograf në duar dhe ky ishte momenti i bekuar kur dy firma të rënda, ajo e Muhamet Kapllanit dhe Raymond Seitz, u hodhën në një dokument në dy kopje. Memorandumi u firmos në anën e majtë nga Muhamet Kapllani dhe në anën e djathtë nga Raymond Seitz, duke lënë një nga gjurmët më të rëndësishme në historikun e dy vendeve. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 134, 135, 136).

Ishin momente kur të dy diplomatët po shkruanin historinë. E ndërsa Seitz ishte pa shumë emocione dhe shumë i sigurt në atë që po bënte, Muhamet Kapllanit po i ndodhin gjëra që vetëm pak muaj më parë ishin në kufijtë e pabesueshmërisë. Me peshën e ministrit të parë të Jashtëm në historinë e shtetit shqiptar që ndodhej brenda kancelarisë së SHBA-së, ai vërtet ndihej mirë, por në këtë atmosferë kishte edhe hutim. Një pjesë të emocioneve po ia hiqnin ata shqiptarë të SHBA-së që kishin mbushur sallën. As i njihte e as i kishte parë më parë, por e kuptonte se ishin pjesë e ndarë e një kombi. Për 52 vjet mes Shqipërisë dhe SHBA-së kishin ndodhur shumë ngjarje, përveç njërës, nuk ishin shkëmbyer as marrëdhënie e as ambasadorë.

Me një fjalim prej 668 fjalësh të përdorura në afro 5 minuta, Raymond Seitz elektrizoi të gjithë ata që ishin prezentë. Fjalët e para që nxori nga goja ishin plot emocion dhe të shoqëruara me duartrokitje:
“Sot, pas një periudhe prej 52 vjetësh, SHBA-ja dhe Shqipëria po vendosin marrëdhënie diplomatike me shpresën për të ndërtuar lidhje miqësore dhe të frytshme mes dy popujve tanë.” (AMPJ, Korrespodenca e informacione mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 92-95)
Ndonëse kishin kaluar 45 vjet nga largimi i misionit amerikan nga toka shqiptare, Seitz e vijoi punën aty ku e kishin lënë paraardhësit e tij, teksa tha:

“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona e kanë fillimin në agimin e këtij shekulli kur presidenti Woodrow Wilson i dha shtetit të ri shqiptar përkrahjen e Amerikës. Kjo lidhje nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këtë dhomë, e të cilët ishin në kontakt me Atdheun gjatë gjithë këtyre viteve...” (Shkreli Frank, Një ngjarje në historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare që shpesh anashkalohet, gazeta “Telegraf ”, 4 tetor 2021)
Në fund, Seitz falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për atë moment, por në mënyrë të veçantë shqiptarët e Amerikës që sipas tij kishin dhënë aq shumë. Mes tyre në atë sallë ishte edhe Frank Shkreli, një shqiptar-amerikan i njohur si gazetar dhe në ato momente zëvendësdrejtor i Euroazisë në radion “Zëri i Amerikës”. Për Shkrelin janë të papërshkrueshme atmosfera dhe emocionet e këtij momenti dhe është e rrallë që edhe pse kanë kaluar 30 vjet ai mban mend fjalë për fjalë fjalimin e ndihmëssekretarit Seitz.

(Shkreli Frank, publicist, gazetar, ish-drejtor i VOA, dëshmitar i nënshkrimit në Uashington të memorandumit të riven-dosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Intervistë e dhënë posaçërisht për këtë libër për autorin, 15 tetor 2021)
Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, foli me jo pak emocion. Me një anglishte të rrjedhshme, ministri i parë i Jashtëm pas rrëzimit të komunizmit foli me ato fjalë që ia kishte dashur zemra t’i thoshte edhe vite më parë, por që nuk e kishte të mundur. Përdori 325 fjalë në dy minuta dhe e cilësoi privilegj dhe nder që qeveria i kishte ngarkuar të nënshkruante këtë dokument që sipas tij ishte historik. Kapllani la një përshtypje tepër pozitive teksa mes fjalëve tha:

“Po mbushim një boshllëk që është ndier për shumë kohë midis nesh. Ne po krijojmë kushte të favorshme për të plotësuar kohën e humbur. Ky nuk është thjesht një moment simbolik i hedhjes së një firme në një dokument. Ai është një çast vendimtar në rrugën e marrëdhënieve tona.”(Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diploma-tike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 92-94)

Ndërsa në Ministrinë e Jashtme në Tiranë radiogrami për gjithçka që ndodhi në Uashington mbërriti në orën 19.30, me orën e Shqipërisë. Në lajmet e orës 20.00 të Radio-Televizionit Shqiptar lajmi u dha si një njoftim kryesor. Spikeri lexoi thatë të pashoqëruar me pamje atë që kishte ndodhur tri orë më parë matanë Oqeanit Atlantik: Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA-në. Në Tiranën dhe Shqipërinë e tallazuar me zhvillime ritmike ky lajm u prit si me entuziazëm. I vetmi problem që e ulte dozën e entuziazmit ishte ironia se marrëdhëniet me SHBA-në po i rivendosnin komunistët, po ata që nuk kishin dashur për 45 vjet.
Lajmi, në fakt, në SHBA ishte përhapur që ditë përpara hedhjes së firmës dhe dashamirësit u dukën që ato ditë. 24 orë përpara nënshkrimit, një nga pinjollët e dinastisë Kennedy ishte i pari që përshëndeti këtë akt, edhe pse ende nuk ishte bërë zyrtar. Biznesmeni Michael Kennedy, djali Bob Kennedy, ish-Prokurorit të Përgjithshëm dhe vëllait të presidenti Kennedy, i dërgoi një telegram Ramiz Alisë për vendosjen e marrëdhënieve.

Pas firmës së rëndë të rivendosjes së marrëdhënieve puna e dytë ishte dërgimi në Shqipëri i diplomatëve të parë që ishin edhe përfaqësuesit e parë amerikanë në vendin tonë. Seitz nuk humbi kohë dhe njëkohësisht me vendosjen e marrëdhënieve nxori urdhrin për emërimin e përfaqësuesit të parë diplomatik amerikan që do të vinte në Shqipëri. Dhe këtë e bëri të ditur gjatë momentit të nënshkrimit të marrëdhënieve, teksa tha:
“Ne synojmë që SHBA-ja të dërgojë një delegacion në Shqipëri në një të ardhme të afërt për të zgjeruar kontaktet me qeverinë shqiptare për fillimin e përgatitjeve dhe për vendosjen e misionit diplomatik.” (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 96-98).

Pas 31 vjetësh, Frank Shkreli riprodhon me shumë pak ndryshim ato që Seitz tha në sallën e memorandumeve dhe ajo që ai e perifrazon ka shumë pak ndryshim me tekstin origjinal që ndodhet në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Kujton Shkreli:
“Ne kemi në plan që brenda një kohe të shkurtër të dërgojmë një delegacion në Shqipëri për të zgjeruar kontaktet me qeverinë dhe popullin shqiptar, si edhe për të filluar përgatitjet për hapjen e misionit diplomatik...”. (Shkreli Frank, publicist, gazetar, ish-drejtor i VOA, dëshmitar i nënshkrimit në Uashington të memorandumit të riven-dosjes së marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Intervistë e dhënë posaçërisht për këtë libër për autorin, 15 tetor 2021)
(Pjesë nga libri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022”, Onufri 2022)

Address

2437 Southern Blvd Bronx, NY 10458
New York, NY
10458

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Gazeta Dielli - Faqja Zyrtare posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share

Category

DIELLI-MONUMENTI I KUJTESES JO VETEM NE SHBA...

GAZETA DIELLI, MONUMENTI I KUJTESES JO VETEM NE SHBA....I FALENDEROJME TE GJITHE MBESHTETESIT TANE. I MESHIROJME TE GJITHE ATA QE E GODASIN ME SHPIFJE....NUK U KTHEJME PERGJIGJE SIPAS FORMULES SE BETIMIT DHE LUTJES QE NA KA LENE FAIK KONICA......

"Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!"

Ne mund te na gjeni ne Adresen: VATRA

2437 Southern BLVD