09/07/2026
PLAVA E GUCIA SOT: THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS – VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
Portali “Plava e Gucia Sot”, si medium i pavarur që pasqyron zërin e trevës së Plavë-Gucisë dhe të bashkatdhetarëve tanë në mërgatë, u bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe politike dhe të votojnë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Kosova nuk duhet të humbasë më kohë në përplasje politike dhe në procese të përsëritura zgjedhore. Në këtë moment të rëndësishëm për vendin, mbi interesat partiake duhet të qëndrojë interesi i Kosovës, forcimi i institucioneve, funksionimi normal i shtetit dhe ruajtja e stabilitetit demokratik.
Personaliteti i Bekim Sejdiut i bën nder institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai përfaqëson një figurë me integritet dhe përvojë, që mund t’i shërbejë forcimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, stabilitetit të brendshëm dhe fuqizimit të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ne besojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta vendosin interesin e Republikës dhe të qytetarëve të saj mbi interesat partiake dhe kalkulimet politike.
Si medium nga krahina e Plavë-Gucisë, ne duam një Kosovë të fortë, prosperuese, demokratike dhe të qëndrueshme. Kosova për ne nuk është vetëm një shtet fqinj. Ajo është pjesë e pandashme e historisë, e lidhjeve tona kombëtare, familjare dhe shpirtërore.
Ne i jemi mirënjohës Kosovës dhe popullit të saj. Në të njëjtën kohë, e kemi konsideruar dhe do ta konsiderojmë gjithmonë obligim kombëtar që t’i dalim zot Kosovës sa herë që ajo ka nevojë – në kohë paqeje dhe në kohë lufte. Kështu kemi vepruar në të kaluarën dhe kështu do të veprojmë edhe në të ardhmen.
Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe demokratike. Çdo vonesë e mëtejshme dëmton besimin e qytetarëve dhe dobëson pozitën e vendit në një kohë kur Kosovës i duhen stabiliteti, uniteti dhe përfaqësimi i fuqishëm institucional.
Ne duam një Kosovë të fortë, të zhvilluar dhe të orientuar qartë drejt së ardhmes euroatlantike. Një Kosovë e fortë është në interes të shqiptarëve kudo që jetojnë, ashtu siç është në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Prandaj, nga Plava e Gucia, u bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës:
Votoni Presidentin e Republikës dhe vendoseni interesin e Kosovës mbi çdo interes tjetër politik.
Kosova nuk ka kohë për të humbur.
Kosova ka nevojë për institucione të forta.
Kosova ka nevojë për unitet dhe përgjegjshmëri politike.
Me respekt dhe përkushtim ndaj Kosovës,
Portali “Plava e Gucia Sot”
7 Shtator 2026
TopFans