10/02/2025
Të dashur bashkëqytetarë, votues të Koalicionit AAK Nisma, Konservatorët, Intelektualët;
Ndonëse akoma nuk kanë kaluar 24 orë nga përfundimi i procesit zgjedhor 2025 dhe kur ende nuk i kemi as rezultatet përfundimtare,
si bashkëudhëtare e juaja ndër vite dhe si pjesë e familjes sonë të përbashkët më lejoni që të ndaj nga zemra falënderimin më të madh për ju, për familjen dhe shoqërinë tuaj, për përkrahjen e parezervë që më dhuruat gjatë tërë këtij bashkëudhëtimi e sidomos gjatë këtyre 30 ditëve të fundit të fushatës zgjedhore.
Betohem se asnjëherë në jetën time nuk jam ndjer më e lumtur dhe më e përmbushur se sa kësaj radhe, pikërisht falë kësaj mbështetjeje pa asnjë kusht. Kjo më ka bërë të kuptoj se sa fisnik është shpirti i adhuruesve dhe njerëzve që i ke pranë në të tilla raste.
Duke qenë kështu, ne së bashku bëmë një punë të jashtëzakonshme, gjithandej lagjeve, fshatrave dhe qyteteve tona, duke shpalosur dhe promovuar programim qeverisës për “Kosovën Fituese” bashkë me vizionin e shtetndërtimit.
Jemi munduar që besnikërisht të përçojmë frymën e Aleancës në shoqëri me nevojën imediate se vendit i duhet një qeveri përgjegjëse dhe shtetndërtuese në frymën e partnerëve tanë strategjik pa të cilët mbijetesa dhe forcimi i shtetësisë janë gati të pamundura.
Shpresoj ta kem kryer detyrën në nivel njerëzor, intelektual dhe profesional, detyrë të cilën e pranova me shumë dashuri dhe përgjegjësi nga shtëpia jonë e përbashkët, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Dhe, siç e ceka edhe më lartë pavarësisht rezultatit përfundimtar, qoftë si AAK qoftë si kandidate për deputete, unë me besnikëri e përkushtim do të vazhdoj të ndjehem vetja ime në familjen tonë të përbashkët ku vlera e lirisë, dhe e demokracisë është kultivuar më shumë se askund tjetër, ku bartësit e këtyre vlerave i kanë ujitur me gjakun e tyre themelet e shtetit dhe kombit tonë.
Ne do të vazhdojmë betejën për mbrojtjen e këtyre vlerave dhe krijimin e mundësive të reja për një jetë më të mirë për fëmijët tanë, për të sotmen dhe të nesërmen e brezave që do të vijnë.