06/10/2025
Muaji Tetor është muaji për ndergjegjësimin kundër Kancerit, Dr. Arben Bislimi mjeku që lufton çdo ditë me të
Në sallat e bardha të Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë, ku çdo ditë përballen shpresat me frikën, ecën një njeri që e ka bërë mision të jetës së tij luftën kundër kancerit. Dr. Arben Bislimi, një emër që shumë pacientë e përmendin me mirënjohje, e shumë familje e njohin si “njeriun që nuk dorëzohet”.
Me prejardhje nga Gjilani, Dr. Bislimi i përket brezit të mjekëve që nuk e shohin profesionin si thjesht punë, por si thirrje. Ai e nisi rrugëtimin e tij në mjekësi me pasionin për të shëruar, dhe sot, pas shumë vitesh përvoje, është një prej figurave më të respektuara të Onkologjisë kosovare përcjell Revista Gjilani.
Në Klinikën e Onkologjisë – SHSKUK, çdo ditë kalojnë qindra pacientë. Dr. Bislimi shpesh ka treguar se në repartin e kemoterapisë trajtohen mbi 250 pacientë në ditë, ndërsa mbi 100 të tjerë marrin trajtim me rrezatim. “Kanceri nuk pret,” ka thënë ai, “dhe as ne nuk ndalemi.”
Për të, çdo pacient është një histori më vete. Ai dëgjon me kujdes, i jep fjalë shprese dhe ndonjëherë qëndron pranë pacientëve edhe pas orarit zyrtar sepse e di që përballë një diagnoze të rëndë, një fjalë e mirë mund të vlejë sa një ilaç.
Në vitin 2023, ai u nderua nga Kuvendi Komunal i Gjilanit me një mirënjohje për kontributin e tij në fushën e shëndetësisë. Ishte një gjest i vogël përballë një pune të madhe, një njohje për një mjek që çdo ditë përpiqet të mbajë gjallë shpresën e njerëzve që luftojnë me sëmundjen më të vështirë të kohës sonë.
Edhe pse për një kohë ka ushtruar detyrën e drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Dr. Bislimi kurrë nuk e ka parë vetën si burokrat. Ai mbetet para së gjithash mjek në shërbim të pacientit, në çdo moment.
Në sytë e shumë njerëzve, Dr. Arben Bislimi është shembull i përkushtimit, profesionalizmit dhe humanizmit. Ai është kujtesa se në Kosovë ende ka mjekë që punojnë me shpirt, që e mbajnë gjallë besimin në sistemin shëndetësor, dhe që çdo ditë luftojnë jo vetëm me sëmundjen, por edhe me mungesat, me sfidat, me lodhjen.
Në fund të çdo dite, kur spitali hesht e pacientët kthehen në shtëpitë e tyre, Dr. Bislimi e di se nesër do ta presë e njëjta betejë. Por ai do të jetë aty sepse për të, shërbimi ndaj njeriut është forma më e lartë e dashurisë. /Revista Gjilani/.