09/08/2026
LAJME : Konjufca reagon ndaj Zelenskyt : Kosova mbështeti Ukrainën pavarësisht mosnjohjes
09-08-2026
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, ku ai riafirmoi mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina, duke theksuar se Kosova ka qëndruar në mbështetje të Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus dhe se do ta mirëpriste njohjen e Republikës së Kosovës nga Kievi.
Në një postim në platformën X, Konjufca tha se Kosova, që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, ka qëndruar në mbështetje të Kievit, pavarësisht se Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Me keqardhje kemi pranuar deklaratat e presidentit Zelenskyy në Beograd, me të cilat ai riafirmoi mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina”, shkroi Konjufca.
Ai tha se Kosova ka dënuar pushtimin rus, është harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe ka ofruar ndihmë për Ukrainën.
“Këtë e bëmë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin e tij territorial është çështje parimi”, shkroi ai.
Konjufca theksoi edhe dallimin mes qëndrimit të Kosovës dhe atij të Serbisë ndaj Rusisë.
“Është po aq e rëndësishme të rikujtohet një dallim i qartë: ndërsa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është harmonizuar me sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura si përgjigje ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.
Ai shkroi se Republika e Kosovës është “shtet sovran dhe i pavarur”, ndërsa rikujtoi procesin që çoi deri te shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.