29/09/2025
Fushata zgjedhore në Istog: presion derë më derë dhe favorizime brenda LDK-së
Me afrimin e zgjedhjeve lokale për kryetar komune, gara politike në Istog po bëhet çdo ditë më e ashpër. Kryetari aktual, Ilir Ferati, ka intensifikuar fushatën me një qasje të drejtpërdrejtë, duke vizituar shtëpi më shtëpi në shumicën e fshatrave dhe lagjeve të komunës. Sipas banorëve, kjo strategji shihet si një formë presioni elektoral, por edhe si përpjekje për të ruajtur mbështetjen para votimeve të 12 tetorit 2025.
Në këtë periudhë, ka rënë dukshëm në sy edhe roli i asambleistes komunale, Liridona Lajqi. Ajo është shfaqur pranë kryetarit Ferati pothuajse në çdo takim elektoral në Istog, Cerrcë, Vrellë dhe Lubozhdë. Ky bashkëngjitje e vazhdueshme ka ngjallur komente në opinionin publik dhe brenda vetë strukturave të LDK-së.
Burime brenda partisë bëjnë të ditur se prania e saj e shpeshtë nuk është e rastësishme. Sipas këtyre burimeve, arsyeja e favorizimit të Lajqit lidhet me marrëdhëniet e saj të afërta politike me kryetarin, si dhe me ambiciet për një rol më të rëndësishëm nëse Ferati siguron një mandat të ri. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto pritshmëri do të materializohen pas datës 12 tetor, në rast se Ilir Ferati arrin të sigurojë një tjetër fitore.
Deri atëherë, fushata në Istog pritet të mbetet ndër më dinamike dhe të debatueshmet në vend, me zhvillime që mund të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen politike të kryetarit aktual, por edhe të figurave të reja që po fitojnë hapësirë në skenën lokale.