10/12/2025
Vjersha epiko-surreale
Një gjedhe surreale mes fushave me rrota
1.
Pashë, mes fushave me rrota, një gjedhe gabele, tek shfryhej gjurulldisëse, gallatë e pezmatim, një si e nxitur tufash, shqopesh e mizërish, rropatej këmbëçjerrë e trugdhëre, tekembrame ishte gja prej gjaje, as tul as peshk, as qumësht as mjelmë, as thundër as bretkë, as vend as kuvend, as dhele-lesh as brirëdash, një si kuvendim mes bajgash, në një lëndinë skëterre frymëzaptuese...
2.
Në fund të rrugëve të Universit, një kullë Babeli
Nga dashuria nuk vijmë as tek dashuria nuk shkojmë
Udhëtojmë mes trupave të ngurtë, shkëmborë e të gurosur
Parakalojmë yjet anembanë sa për t'u mashtruar për një çast
Nga çasti në tjetrin rëndojmë hapësirën që bëhet gravitet
Aspirojmë botë të tëra, as këtë ndjesi nuk e kemi vërtet
As vullnet, as pushtet, as dëshirë
Asnjë verbëri, veç shtjellim
Rrotullim kuturu, paushall e manipulim në një sistem
Siç është vrimë e zezë, e terrtë
Si material i errët
I panjohur i themi sepse nuk duam
Ta njohim, s'duam ta gjejmë
Kësisoj bëhemi pjesë e entropisë
Gjithçka që gllabërohet
Sepse përtej çdo shtegu, atje ku mbarojnë horizontet
S'ka asnjë shëlbim, kuptim a religjion tjetër veç këtij rrengu përdredhues
Që çon tek portat e pakuptimit, humbjes së arsyes, sterrës së kujtimeve, dashurisë së asgjësuar
Këtij Babeli
3.
Ai Diell i madhërishëm që lind, si një jetim në barok
Ai Dielli që zgjohet në mëngjes
Ngre flokët dhe vetullat pastaj
Hedh një shikim baroku
Kronian mbi qiell
Që tek i përgjumur, përvilet me letargji, dhe rrufit kafenë, i shkujdesur
Ashtu i patrazuar, e i parregulluar
Ofshanë e mërmëron disa herë
Flokë të bujshme me krrela, krahë të bujshëm e supe të gjera
Krahëror prej atleti, shtat prej Zeusi e muskuj prej mundësi
Sandale të mbathura, një pelerinë e tunikë tok si vile rrokullisur
Një kurorë thurur olive, laureli apo rrushi, asnjë reflektim, asnjë mendim, asnjë arsyetim goje, fjale a rrjesht nga ndonjë abetare e çfarëdo gjuhe bote e civilizimesh, universitetesh e universesh, por veç një buzëqeshje, një rrufitje tasi dhe një kroje leshi...
---